Lajmet

Çifti kosovar dënohet për abuzim me ndihmat sociale por shpëton nga dëbimi

Paratë e marra gabimisht si ndihma sociale tashmë i kanë kthyer dhe borxhet e sigurimit të papunësisë po i shlyejnë. Kjo ka bërë që çifti të fitojë trajtim më të mirë

Published

on

Një çift me shtetësi kosovare ka marrë rreth 2,400 franga në muaj përfitime të papunësisë dhe ndihmë sociale, edhe pse të dy punonin pjesërisht. Komuna i ka zbuluar – dhe tani, Gjykata Penale e Lucernit ka dënuar çiftin për mashtrim masiv, shkruan zentralplus.ch.

Familja me katër fëmijë qe vënë në shënjestër të autoriteteve, që në vitin 2017. Pastaj kishte dalë në dritë fakti që prindërit kishin shfrytëzuar zyrën e mirëqenies sociale dhe fondin e papunësisë për dy vite të tëra, transmeton albinfo.ch. Paraqiteshin sikur të dy të ishin të papunë dhe nuk kishin të ardhura. Por në fakt, ata punonin në mënyrë sporadike. Ai, si punëtor i përgjithshëm, ajo fillimisht si shitëse në një dyqan rrobash. Më vonë ajo kishte punuar edhe si pastruese.

Ndonjëherë burrit i paguheshin pagat me para në dorë. Por, shumicën e kohës, paratë shkonin në një llogari bankare që ai dhe gruaja e tij e mbanin të fshehtë nga autoritetet. Ata “kanë mashtruar komunën dhe në këtë mënyrë kanë bërë që të ardhurat e padeklaruara të mos merreshin parasysh kur llogaritej e drejta për ndihmë sociale”, thuhet në një vendim të lëshuar nga Gjykata Penale në Lucern.

Gjithsej rreth 27,000 franga u janë paguar gabimisht

Burri gjithashtu merrte përfitime ditore të sigurimit të papunësisë në total prej rreth 67,000 frangash. Ai po ashtu nuk kishte të drejtë të merrte këto para. Mesatarisht, familja, gjatë dy viteve apo më shumë, ka rritur të ardhurat e saj me 2,400 franga në muaj  përmes gënjeshtrave.

Nga këndvështrimi i zyrës së prokurorit publik, nuk mund të ketë asnjë “arsye të respektueshme” për mashtrim të mirëqenies sociale. Familja kosovare nuk ishte në “vështirësi serioze”. Ata kanë gënjyer autoritetet “thjesht për të pasur më shumë para në dispozicion në muaj”, thuhet në aktakuzë.

Por, tani çiftit i ka ardhur “fatura” për atë që kanë bërë. Ata tashmë kanë ndërmarrë hapin e parë: paratë e marra gabimisht si ndihma sociale tashmë i kanë kthyer. Borxhet e sigurimit të papunësisë po i shlyejnë çdo muaj.

Marrëveshje  me prokurorin

Ripagimet – dhe pranimi i veprës nga ana e tyre, kanë bërë që çifti të fitojë trajtim më të mirë. Zyra e prokurorit publik ka ofruar në këtë rast procedurën e ashtuquajtur të shkurtuar. Kësjhtu, prokurori dhe mbrojtja kanë rënë dakord për një dënim që është i përshtatshëm për  të dy palët, transmeton albinfo.ch. Dhe në një rast të tillë, gjykata ka vetëm mundësinë të miratojë “marrëveshjen” ose jo.

Në rastin aktual, propozimi ishte si më poshtë. Gruaja dënohet me një gjobë me kusht prej 150 tarifave ditore nga 30 franga. Ajo duhet të paguajë 4,500 franga nëse vepra ripërsëritet brenda dy vjetësh. Por, një gjobë prej 1,000 frangash ajo duhet ta shlyjë menjëherë. Burri, nga ana tjetër, dënohet me 12 muaj burgim me kusht.

Mes palëve ekziston një pajtim se këtu kemi të bëjmë me një “rast vështirësie” – prandaj duhet të hiqet dorë nga vendimi për dëbim të çiftit nga Zvicra.

I akuzuari, tashmë 42-vjeçar kishte ardhur në Zvicër në moshën 14 vjeçare. Gruaja e tij  tani 41 vjeçare ka jetuar këtu për 20 vjet, përcjell albinfo.ch Çifti ka katër fëmijë, njëri prej të cilëve është vetëm 12 vjeç dhe vazhdon ende shkollën. Prandaj, nga këndvështrimi i gjykatës, nuk mund të pritet që familja të largohet nga Zvicra. Sidomos pasi që perspektivat e riintegrimit në Kosovë janë “të vogla”, siç thotë gjykimi. Gjykata në fund ka miratuar “marrëveshjen”.

Continue Reading

Lajmet

Naim Qelaj letër Trendafilovës, ngrit shqetësime serioze për proceset në Hagë

Published

on

By

Procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara në Hagë shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për refuzimin e “kërkesave procedurave dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja”.

Në këtë letër, Qelaj përmend edhe pranimin e disa provave nga Serbia.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letrën drejtuar Trendafilovës.

Ndër tjera, Qelaj në këtë letër thekson se është shqetësuese “të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja”.

Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve”, thuhet më tej.

Letrat e Qelajt drejtuar Trendafilovës, nënvizon edhe mënyrën se si Dhomat e Specializuara trajtojnë paraburgimin.

Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare”, thotë Qelaj.

Continue Reading

Lajmet

Spitali i Pejës flet për gjendjen e tre të plagosurve në Deçan: Dy janë bartur në QKUK, një po trajtohet te ne

Published

on

By

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se mbrëmë i kanë pranuar tre viktimat që u plagosën në një lokal në Deçan.

Spitali thotë se dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, ndërsa një ende po trajtohet në Pejë dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë.

Mbrëmë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar tre pacientë të plagosur me armë zjarri. Pas dhënies së ndihmës së nevojshme mjekësore, dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Një pacient po vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar.

Continue Reading

Lajmet

REL: Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka njoftuar se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës. Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Ky hap mund t’i ringjallë shpresat evropiane të Kosovës, pasi 2026-ta mund të jetë viti kur aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në fund të vitit 2022, do të shqyrtohet për herë të parë nga Komisioni Evropian.

Po ashtu, ekziston mundësia që dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, të rifillojë pas një ndërprerjeje dyvjeçare.

Sanksionet kanë qenë të diskutueshme dhe pa precedent në raportet e BE-së me një vend aspirant për anëtarësim.

Ato nuk kanë qenë sanksione në kuptimin e plotë politik dhe procedural, ndaj në qarqet e Brukselit janë konsideruar më tepër si “masa”.

Sanksionet e BE-së duhet t’u paraqiten 27 shteteve anëtare përmes një akti formal ligjor dhe të miratohen njëzëri. Kjo ka ndodhur, për shembull, në vitin 2019, kur Brukseli ka ngrirë asetet dhe ka ndaluar vizat për individë nga Turqia – vend kandidat për anëtarësim në BE – për shkak të shpimeve të paautorizuara për gaz në Mesdheun Lindor.

Në rastin e Kosovës, një procedurë e tillë nuk është ndjekur. Në vend të saj, shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dërguar një letër shteteve anëtare, ku i ka përshkruar masat dhe u ka rekomanduar kryeqyteteve që t’i zbatojnë ato, ndonëse nuk ka pasur ndonjë detyrim formal.

Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim – departament i BE-së që merret me vendet që synojnë anëtarësimin në bllok – e ka njoftuar më pas Kosovën për masat që do të ndërmerren kundër saj.

Këto masa kanë qenë kryesisht të natyrës së brendshme të BE-së; ato kanë përfshirë ngrirjen e fondeve për Kosovën nga buxheti i përbashkët i BE-së, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe mosmbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit – mekanizmit kryesor politik të marrëdhënieve Bruksel-Prishtinë – deri në një njoftim të dytë.

Ndonëse për vendosjen e masave nuk ka pasur unanimitet formal të shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e tyre është kërkuar.

Kur Borrell – në njërin nga veprimet e tij të fundit para largimit nga detyra në vitin 2024 – ka kërkuar heqjen e masave, nuk ka pasur konsensus dhe vendimi fillestar ka mbetur në fuqi.

Një dinamikë e re në favor të Kosovës është krijuar me nisjen e punës së përbërjes së re të Komisionit Evropian në fund të vitit 2024, kur disa diplomatë evropianë kanë vlerësuar se komisionari në largim për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili vinte nga Hungaria, ka pasur “një simpati të veçantë” për Serbinë dhe ka penguar çdo lëvizje reale në favor të Kosovës.

Më pas është paralajmëruar “heqja graduale” e masave, por nuk është shpjeguar qartë se cilat masa do të hiqeshin dhe në çfarë afati.

Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë vizituar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke hedhur poshtë idenë se ekzistonte ndalesa për vizita të nivelit të lartë.

Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, asnjë politikan i lartë kosovar nuk ka realizuar ndonjë vizitë dypalëshe në Bruksel.

Një përparim i madh politik ka ndodhur pastaj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Bruksel, më 17 dhjetor. Atë ditë, von der Leyen ka njoftuar se masat ndaj Kosovës do të hiqen.

Ky vendim ka pasuar zgjedhjet lokale të tetorit në veri të Kosovës, të cilat Brukseli i ka vlerësuar si “të qeta dhe paqësore”, duke përmbysur kështu qasjen që ka ndërmarrë në vitin 2023.

Megjithatë, kjo nuk ka shënuar fundin e rrëfimit.

Para samitit, Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Spanja kanë propozuar që heqja e masave të bëhej në dy faza.

Sipas këtij plani, gjysma e parave të ngrira, rreth 216 milionë euro, do të lëshohej menjëherë për Prishtinën, ndërsa gjysma tjetër, 205 milionë euro, do të shpërndahej pas zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.

Arsyeja ishte se lëshimi i menjëhershëm i të gjitha parave, do t’i jepte avantazh të madh politik kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.

Kushti i ri është vendosur nga pothuajse të njëjtat shtete që në vitin 2023 kanë luajtur rol kyç në shmangien e masave të ngjashme të BE-së ndaj Serbisë, pasi militantë serbë – me mbështetje të dyshuar nga Beogradi zyrtar – kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë një oficer të vrarë.

Disa shtete të tjera anëtare të BE-së janë ankuar se vendet proserbe po nxisnin sërish veprime kundër Kosovës, por më pas kanë rënë dakord, duke dëshiruar të shmangnin një tjetër ngërç politik.

Në fund, Kurti ka rritur numrin e votave dhe BE-ja ka njoftuar menjëherë se gjysma e dytë e parave të ngrira do të lirohet në fillim të vitit 2026.

Problemi tani është se, edhe pse janë marrë vendimet politike për heqjen e të gjitha masave, puna teknike nuk ka filluar ende.

Granti i parë është “programuar”, që do të thotë se është caktuar për përfitues të ndryshëm në Kosovë, por paratë ende nuk janë transferuar.

Sipas zyrtarëve të BE-së, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, as hapi formal për të “programuar” grantin e dytë nuk është bërë akoma, edhe pse pritet të kryhet si formalitet gjatë janarit.

Pasi këto masa janë vendosur në mënyrë të paprecedentë në vitin 2023, në Bruksel është duke u diskutuar edhe për atë se çfarë duhet bërë teknikisht për t’i hequr ato.

Për shembull, a duhet që shtetet anëtare të BE-së të konsultohen sërish me shkrim apo përmes ndonjë grupi pune apo komiteti të Këshillit, apo Komisioni mund të vazhdojë pa marrë miratimin e tyre?

Ajo që dihet me siguri është se Komisioni Evropian dëshiron të rifillojë të angazhohet me Kosovën.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por të dërguarit të Brukselit për këto bisedime, diplomatit danez, Peter Sorensen, së fundmi i është rinovuar mandati edhe për dy vjet.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Ekziston gjithashtu mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Evropian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

Çekia, e cila ka pranuar aplikimin e Kosovës gjatë kryesimit të saj me BE-në më 2022, ka qenë vendi i fundit që ka bërë përpjekje reale për ta trajtuar këtë çështje.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – kanë bllokuar çdo përparim dhe ua kanë bërë të qartë vendeve të tjera anëtare që kanë pasur presidencën e radhës, se nuk do ta trajtojnë këtë çështje.

Pritjet janë që gjërat të mos lëvizin gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa ndryshime mund të ketë kur Irlanda ta marrë presidencën në muajin korrik.

Dublini e ka bërë të qartë se po punon për t’i përfunduar negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE deri në fund të vitit dhe se synon të afrojë edhe Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën me bllokun.

Me zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore, Irlanda mund të nisë gjithashtu edhe një vlerësim për Kosovën.

Sipas thashethemeve në Bruksel, Spanja – shpesh më e vështira mes pesëshes që s’e njeh Kosovën – mund të lejojë që Komisioni ta bëjë një vlerësim, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk i detyron shtetet anëtare ta diskutojnë menjëherë çështjen e njohjes së Kosovës./REL

Continue Reading

Lajmet

Rritet bindshëm numri i turistëve në Kosovë

Published

on

By

Kosova ka pritur më shumë turistë gjatë nëntorit 2025 sesa një vit më parë. Sipas të dhënave, në hotelet e vendit kanë qëndruar 57 548 vizitorë, që paraqet një rritje prej 2,7 për qind krahasuar me nëntorin 2024. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë nga Shqipëria, Turqia, Zvicra dhe Gjermania.

Kosova ka shënuar një rritje të vizitorëve në sektorin hotelier gjatë muajit nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga tregojnë se interesimi për akomodim në vend ka vazhduar të jetë në rritje, si nga qytetarët vendorë ashtu edhe nga vizitorët e huaj.

Në total, 57 548 vizitorë kanë qëndruar në hotelet e Kosovës gjatë nëntorit të kaluar. Prej tyre, 42,8 për qind kanë qenë vizitorë vendorë, ndërsa 57,1 për qind kanë qenë të huaj.

Kjo përbën një rritje prej 2,7 për qind krahasuar me muajin nëntor të vitit 2024, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve kishte arritur në 56 027.

Continue Reading

Të kërkuara