Lojërat Mesdhetare janë një prej ngjarjeve më të rëndësishme shumë-sportëshe në rajonin e Mesdheut. Ato u themeluan në vitin 1951, me idenë që sporti të shërbejë si urë bashkëpunimi dhe afrimi mes vendeve të këtij rajoni.
Ideja për organizimin e tyre u prezantua nga egjiptiani Mohamed Taher Pasha, atëkohë president i Komitetit Olimpik të Egjiptit dhe nënkryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, me mbështetjen e anëtarit grek të IOC-së, Ioannis Ketseas. Projekti u diskutua në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 1948, ndërsa tri vjet më vonë u realizua edicioni i parë.
Aleksandria 1951, fillimi i historisë
Edicioni i parë i Lojërave Mesdhetare u zhvillua në vitin 1951 në Aleksandri të Egjiptit. Që atëherë, Lojërat janë zhvilluar në intervale të rregullta, kryesisht çdo katër vjet, duke mbledhur sportistë nga vendet e Mesdheut.
Gjatë dekadave, numri i vendeve pjesëmarrëse dhe i sporteve është rritur ndjeshëm. Për herë të parë, gratë morën pjesë në Lojërat Mesdhetare në edicionin e vitit 1967, të zhvilluar në Tunis.
Pas Aleksandrisë, Lojërat u zhvilluan në Barcelonë (1955), Bejrut (1959), Napoli (1963), Tunis (1967), Izmir (1971), Algjer (1975), Split (1979), Casablanca (1983), Latakia (1987), Athinë (1991), Languedoc-Roussillon (1993), Bari (1997), Tunis (2001), Almeria (2005), Pescara (2009), Mersin (2013), Tarragona (2018) dhe Oran (2022).
Kush ka fituar më së shumti medalje?
Në historikun e Lojërave Mesdhetare, Italia është vendi me më së shumti medalje. Deri në përfundim të edicionit të vitit 2022, sportistët italianë kishin fituar gjithsej 2,303 medalje, prej tyre 876 të arta, 741 të argjendta dhe 686 të bronzta.
Në vendin e dytë renditet Franca me 1,740 medalje, ndërsa pas saj vijnë Spanja, Turqia dhe Greqia.
Italia ka qenë veçanërisht dominuese në edicionet e fundit dhe vazhdon ta mbajë rekordin historik për numrin e përgjithshëm të medaljeve.
Taranto 2026, edicioni që po zhvillohet në Itali
Pas Oranit në vitin 2022, radha i ka ardhur Italisë. Edicioni i 20-të i Lojërave Mesdhetare po zhvillohet në Taranto dhe në qytete të tjera të Pulias, nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026.
Ky edicion është i veçantë edhe për Kosovën, e cila po merr pjesë në një numër të madh sportesh dhe po synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj sportive.
Por Taranto nuk është vetëm një tjetër ndalesë në historinë e Lojërave Mesdhetare. Për Kosovën, këto gara kanë një rëndësi edhe më të madhe, pasi vendi tashmë e ka siguruar organizimin e edicionit të vitit 2030.
Prishtina 2030, një kapitull historik për Kosovën
Më 8 shtator 2023, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e mbajtur në Heraklion të Greqisë, vendosi që Prishtina të jetë nikoqire e edicionit të vitit 2030.
Kandidatura e Kosovës mori 55 nga 66 vota, ndërsa tetë delegatë votuan kundër dhe tri vota ishin të pavlefshme. Prishtina ishte kandidatura e vetme zyrtare për organizimin e Lojërave të vitit 2030.
Kjo do të jetë hera e parë që Kosova organizon Lojërat Mesdhetare dhe njëkohësisht ngjarja më e madhe shumë-sportëshe që vendi ka organizuar deri më tani.
Si arriti Kosova ta fitojë organizimin?
Rruga drejt organizimit nuk ishte pa sfida. Kosova ishte kandidatura e vetme, por procesi u shoqërua edhe me kundërshtime politike.
Serbia, ndonëse nuk paraqiti kandidaturë për organizimin e Lojërave, u përpoq të ndikonte në procesin e votimit. Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës, delegati serb kërkoi që votimi për vendin nikoqir të shtyhej, por drejtuesit e ICMG-së e konsideruan këtë propozim në kundërshtim me statutin.
Një tjetër sfidë ishte fakti se Kosova nuk ka dalje në det. Megjithatë, ndryshimet në statutin e ICMG-së ua kanë mundësuar edhe vendeve pa bregdet të kandidojnë për organizimin e Lojërave.
Në këtë drejtim, Shqipëria është zotuar ta ndihmojë Kosovën, duke ofruar bregdetin shqiptar për zhvillimin e garave të sporteve ujore dhe të lundrimit.
Investimi më i madh sportiv i Kosovës
Kosova aktualisht nuk e ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla. Për këtë arsye, vendi duhet të ndërtojë dhe rinovojë një numër të madh të objekteve sportive dhe infrastrukturës përcjellëse.
Sipas planifikimeve të paraqitura nga autoritetet kosovare, për organizimin e Lojërave Mesdhetare parashihet një investim prej mbi 250 milionë eurosh gjatë viteve të ardhshme.
Ky do të ishte investimi më i madh i një qeverie kosovare në sport që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Për Kosovën, që deri më tani nuk ka organizuar një ngjarje të madhe ndërkombëtare të këtij niveli, Prishtina 2030 shihet si një mundësi për të ndërtuar infrastrukturë të re sportive dhe për ta rritur kapacitetin e vendit për organizimin e garave ndërkombëtare.
Një investim shumë më i madh se edicionet e kaluara
Kostoja e parashikuar për Prishtinën është dukshëm më e lartë se investimet që janë bërë në disa nga edicionet e fundit.
Tarragona në Spanjë, e cila organizoi Lojërat në vitin 2018, investoi rreth 70 milionë euro, ndërsa një pjesë e madhe e këtij financimi erdhi nga buxheti i shtetit spanjoll.
Në vitin 2022, Orani i Algjerisë ishte nikoqir i Lojërave. Ndërkohë, Omani, në përgatitjet e tij për edicionin e mëhershëm, kishte investuar rreth 32.4 milionë euro për rinovimin e një stadiumi olimpik dhe infrastrukturës tjetër sportive.
Rasti i Tarragonës gjithashtu shërben si shembull për sfidat që mund të sjellë një organizim i tillë. Pas përfundimit të Lojërave, disa prej objekteve sportive u përballën me mungesë të shfrytëzimit dhe interesit publik, ndërsa organizatorët u kritikuan për mungesën e një kthimi të kënaqshëm të investimit.
Çfarë do të thotë Prishtina 2030 për Kosovën?
Lojërat Mesdhetare nuk kanë të njëjtin ndikim global dhe mediatik si Lojërat Olimpike apo Kampionatet Botërore në sportet kryesore. Megjithatë, për Kosovën organizimi i tyre paraqet një hap të jashtëzakonshëm.
Vendi do të ketë mundësinë të presë mijëra sportistë nga vendet e Mesdheut, të ndërtojë dhe modernizojë infrastrukturën sportive, të fitojë përvojë në organizimin e ngjarjeve të mëdha dhe ta promovojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Nga Aleksandria në vitin 1951, përmes dhjetëra qyteteve në Evropë, Afrikë dhe Azi, deri te Taranto në vitin 2026, Lojërat Mesdhetare kanë kaluar më shumë se shtatë dekada histori.
Tani, kjo histori po i afrohet një kapitulli të ri: në vitin 2030, Prishtina do të bëhet qyteti i 21-të që pret Lojërat Mesdhetare.
D.L