Lajmet

Charlie Chaplin, dhjetë leksione për jetën që na mësoi gjeniu i kinemasë

Chaplin ishte edhe një shkrimtar, regjisor, muzikant dhe një njeri i shkëlqyer.

Published

on

Shumica nga ne e njohin Charlie Chaplin si një aktor dhe komedian të shkëlqyer. Por ai ishte shumë më tepër se kaq. Chaplin ishte edhe një shkrimtar, regjisor, muzikant dhe një njeri i shkëlqyer. Mendimi i tij ishte përpara kohës kur jetoi, dhe falë artit ishte në gjendje të analizonte aspektet më të vështira të bashkëkohësisë së tij, pa e humbur kurrë ironinë dhe gëzimin për ta bërë këtë. Ja cilat janë 10 mësimet e çmuara të jetës që Chaplin na la si trashëgimi.

1. Origjinaliteti

“Kur nisa ta doja veten, zbulova se ankthi dhe dhimbja emocionale janë vetëm shenja paralajmëruese se isha duke jetuar kundër të vërtetës sime. Sot e di që ajo është vetja ime origjinale”.

Dashuria për veten është vërtet shumë e rëndësishme. Sot, shumë nga ne i presim dështimet në një mënyrë negative. Por shpeshherë s’ka kuptim të vazhdojmë të vuajmë derisa të dimë plotësisht se çfarë duam të arrijmë. Ndonjëherë ne vazhdojmë të dëshirojmë gjëra të panevojshme, madje “të padobishme”. Ndërkohë, Charlie Chaplin na mëson të ruajmë një harmoni midis mendimeve dhe veprimeve tona.

2. Pjekuria

“Kur nisa ta doja veten, pushova së dëshiruari një jetë ndryshe. Atëherë munda të shihja se gjithçka rreth meje më ftonte që të rritesha. Sot këtë e quaj pjekuri”.

Pjekuria është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse derisa të piqesh, ngecesh nëpër kufijtë që i ke vendosur vetes dhe bën një jetë kaotike. Sepse kur qëndrojmë brenda zonës sonë të rehatisë, nuk i kuptojmë më as dëshirat tona. Mënyra e duhur është krijimi i një lidhjeje midis mendjes së vetëdijshme dhe nën/ndërgjegjshme përmes bisedës me vetveten. Këtë e mësuam gjatë pandemisë në vitet 2020-2021. Dialogu me veten, është hapi kryesor për të filluar një jetë të ndërgjegjshme.

3. Respekti

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se sa shumë mund të ofendoj dikë nëse përpiqem t’i imponoj atij dëshirat e mia. Edhe pse e dija që nuk ishte koha e duhur dhe personi nuk ishte gati për të, dhe megjithëse ky person isha unë. Sot e quaj respekt”.

Chaplin na mëson të respektojmë çdo individ, pa asnjë dallim. Ai na thotë me fjalë të tjera:Trajtoje personin tjetër, ashtu siç do ta trajtoje veten. Sot, ky leksion vazhdon të jetë më i nevojshmi për t’u mësuar. Duke lundruar nëpër rrjetet sociale, lexojmë histori që flasim për diskriminimin, margjinalizimin, racizmin dhe homofobinë. Ne kemi nevojë për respekt. Duhet të mësojmë barazinë.  

4. Vetëbesimi

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se në çdo rrethanë, jam në vendin e duhur në kohën e duhur dhe gjithçka ndodh pikërisht në kohën e duhur. Kështu mund të isha i qetë. Sot e quaj vetëbesim”.

Vetëbesimi është i vetmi çelës që ju vendos në kontakt me “të vërtetën tuaj”. Ai nuk ju lejon të merrni vendime të këqija apo të jeni xhelozë për suksesin e të tjerëve. Sepse besimi mbi atë që jeni dhe tek potenciali tuaj, ju lejon të shihni qartë qëllimet tuaja. Ne jemi të fortë, të qëndrueshëm. Kjo periudhë historike ka ende shumë sfida për të na ofruar, ndaj tani është koha e duhur për të fituar besim.

5. Dashuria për veten

“Ndërsa fillova ta dua veten, hoqa dorë nga gjithçka që nuk ishte e mirë për shëndetin tim, ushqime, njerëz, gjëra, situata, dhe çdo gjë që më largonte nga vetja. Në fillim e quajta këtë qëndrim egoizëm të shëndetshëm. Sot e di që është dashuri për veten”.

Shumë prej nesh gjenden të mbërthyer midis “egoizmit” pozitiv dhe negativ. Egoizmi negativ është një gjendje shpirtërore që mund të krijojë stanjacion në jetë, gjë që nuk ju lejon të zhvilloni ndjeshmërinë e duhur në raport me të tjerët apo lidhjen e duhur. Nga ana tjetër egoizmi i shëndetshëm, është ajo që na mbron dhe na lejon të zgjedhim. Sepse siç thoshte Charlie Chaplin, lumturia është një zgjedhje, diçka që mund ta menaxhojmë vetë.

6. Modestia

“Kur fillova ta dua veten, ndalova së përpjekuri që të kisha gjithmonë të drejtë, dhe që atëherë kam gabuar më rrallë. Sot zbulova se është modesti”.

Modestia nuk është të jesh gjithmonë i mirë, por të jesh gjithmonë i vërtetë dhe i sinqertë me veten, pavarësisht suksesit. Ajo kërkon ta kuptojmë veten përtej asaj që është e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe. Vetë-analiza bëhet përbërësi kryesor për të kuptuar njëri-tjetrin.

7. Thjeshtësia

“Kur nisa ta dua veten, ndalova së vjedhuri kohën time, dhe ndalova së bëri plane të mëdha për të ardhmen. Sot, unë bëj vetëm atë që më sjell gëzim dhe lumturi, gjërat që më pëlqejnë të bëj, dhe i bëj ato sipas mënyrës sime dhe me ritmin tim. Sot unë këtë e quaj thjeshtësi”.

Leksioni tjetër i rëndësishëm pas vetëbesimit është thjeshtësia. Nuk mund të jesh i shkëlqyer nëse nuk je i thjeshtë. Sepse shpeshherë për të qenë të lumtur, nuk duhen gjeste madhështore, ato të tepruarat. Mjaftojnë detajet e vogla, momente të shkurtra gëzimi të pastër.

8. Mençuria e zemrës

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se mendja imë mund të më shqetësonte dhe të më sëmurte. Por kur e lidha me zemrën time, mendja ime u bë një aleat i çmuar. Sot këtë lidhje e quaj mençuri të zemrës”.

Mendja e njeriut është si një Univers:imagjinatë e pakufizuar, krijim i fuqishëm, përshtatshmëri. Atëherë, çfarë na bën të pakënaqur? Kur përpiqemi të kufizojmë veten, kur e burgosim në skemat e racionalitetit, të perfeksionizmit. Mënyra e vetme për të çliruar mendjen tuaj është të ndiqni zemrën tuaj.

9. Përmbushja

“Kur nisa ta dua veten, refuzova të vazhdoja të jetoja në të kaluarën, dhe të shqetësohesha për të ardhmen. Tani jetoj vetëm për momentin ku po ndodh gjithçka. Sot jetoj çdo ditë, ditë pas dite, dhe këtë e quaj vetëpërmbushje”.

E kaluara dhe e ardhmja nuk mund të kontrollohen as edhe nga kreu i një korporate të madhe apo një multimiliarder. Ndaj e vetmja gjë që mund të bëni është të jetoni në të tashmen, dhe të rriteni çdo ditë, duke u fokusuar tek gjërat e vogla për të krijuar një tablo më të madhe. Pra, pa u shqetësuar për të ardhmen apo pa ankoruar të shkuarën, ne duhet të fokusohemi tek “e tashmja” jonë. Kjo vlen për ne dhe për shoqërinë në të cilën jetojmë.

10. Kjo është jeta

“S’duhet të kemi më frikë nga diskutimet, përballjet apo ndonjë lloj problemi me veten apo me të tjerët. Edhe yjet përplasen, dhe nga përplasja e tyre lindin botë të reja. Sot e di që kjo është jeta!”.

Jeta ka të bëjë me “të ecurit përpara”. Nuk mund të ndalemi, por duhet të mësojmë të përballojmë goditjet që na jep jeta. Ndaj le të dalim nga guaska e injorancës, indiferencës, egoizmit dhe të mësojmë të jetojmë me kokën lart./Bota.al

Vendi

OVL-UÇK reagon pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit: Të hetohen rrjetet e mundshme të spiunazhit

Published

on

By

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar publikisht lidhur me aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh në favor të Serbisë. OVL-UÇK ka kërkuar që ky rast të mos trajtohet thjesht si një përgjegjësi individuale, por si një çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare.

Përmes një komunikate për medie, organizata theksoi se duke respektuar prezumimin e pafajësisë, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të gjurmojnë çdo kontakt, lidhje financiare apo komunikim të mundshëm për të parë nëse ekzistojnë rrjete më të gjera të bashkëpunimit me shërbimin BIA të Serbisë.

“Akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Gjithashtu, nga OVL-UÇK kanë kërkuar që organet kompetente të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente serbe kanë grumbulluar apo përcjellë materiale që lidhen me luftën e UÇK-së me qëllim të manipulimit apo shfrytëzimit të tyre në procese politike e gjyqësore.“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt,” përmbyll reagimin kjo organizatë. /E.A/

Continue Reading

lajme

100 nxënës nga e gjithë Kosova përfitues të bursës për shkollim në UBT International Smart Schools

Published

on

By

Njëqind nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës janë përzgjedhur përfitues të bursave të shkollimit në UBT International Smart Schools, pas pjesëmarrjes së suksesshme në edicionin e sivjetmë të Testit Provues të Arritshmërisë.

Përmes bursave të fituara, nxënësit do të kenë mundësinë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre arsimor në një mjedis modern dhe inovativ, duke zhvilluar njohuri dhe aftësi të nevojshme për të ardhmen akademike dhe profesionale.

Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, tha se ndarja e këtyre bursave dëshmon përkushtimin e UBT International Smart Schools për të mbështetur të rinjtë dhe për t’u krijuar atyre mundësi të reja për zhvillim akademik e profesional.

“Kjo është një dëshmi e qartë e mbështetjes që UBT po i jep të rinjve të Kosovës dhe rajonit. Fakti që në mesin e përfituesve kemi nxënës nga e gjithë Kosova, e bën këtë nismë edhe më të veçantë. Fokusi ynë është që të mbështesim talentet e reja dhe t’i përgatisim ata me njohuri dhe aftësi profesionale për fushat që do të përcaktojnë të ardhmen”, tha Rektori Hajrizi.

Bursat përfaqësojnë një investim në talentin, potencialin dhe të ardhmen e të rinjve. Përfituesit kanë zgjedhur ndërmjet drejtimeve moderne dhe të orientuara drejt kërkesave të së ardhmes, duke u përgatitur për një treg pune ku teknologjia, inovacioni, shkencat, shëndetësia dhe aftësitë digjitale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi.

Bëhu pjesë e UBT International Smart Schools, duke aplikuar në këtë link: APLIKIMI ONLINE

Continue Reading

Vendi

IQMT aksion kundër udhërrëfyesve turistikë pa licencë: Gjobat shkojnë deri në 9 mijë euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar aksione inspektuese në regjionin e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me synim parandalimin dhe evidentimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë nga udhërrëfyesit turistikë të palicencuar.

Gjatë inspektimeve, IQMT ka evidentuar se disa kompani nga vendet e rajonit po angazhojnë udhërrëfyes jo-vendas pa licencat e nevojshme, çka përbën shkelje direkte të ligjeve në fuqi.

“Përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave reale të lokacioneve turistike që vizitohen në Republikën e Kosovës,” bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) paralajmëroi se ushtrimi i kësaj veprimtarie në mënyrë të kundërligjshme përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro. IQMT u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve turistikë që të angazhojnë vetëm kuadro të licencuara.

Kujtojmë se më 10 korrik 2026, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka pajisur me kartela identifikuese 12 udhërrëfyesit e parë të licencuar në Kosovë, të cilët janë: Naile Cekaj, Fisnik Thaçi, Orhan Ramadani, Fitim Bunjaku, Fatijona Bajra, Adriana Pllana, Akil Cejku, Muhamed Cejku, Muhamer Hasani, Ilir Sopjani, Enes Toska dhe Mirjeta Shatri./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria del me detaje për vrasjen e gruas në Prizren

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, më 26 gusht 2026.

Sipas njoftimit zyrtar nga organet e ndjekjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës. Bazuar në të dhënat e para të hetimit, i dyshuari me inicialet B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet e Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të plota rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet për vrasje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, rreth 81-vjeç.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për KosovaPress se rreth orës 01:30 Policia ka pranuar informatën për një grua të gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Policisë, lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje. Në momentin e incidentit, ata dyshohet se kanë qenë vetëm në shtëpi.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Kosova Press/

Continue Reading

Të kërkuara