Lajmet

Çfarë në të vërtetë bën Lista Serbe në institucionet e Kosovës

Secila krizë në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në shpërnguljen e pjesëtarëve të komunitetit serb, thotë Markoviq.

Published

on

Zyrtarë të Listës Serbe shpeshherë thonë në publik se kjo parti politike është përfaqësuesja e vetme ligjore dhe legjitime e serbëve në institucionet e Kosovës, por zëri i tyre pothuajse asnjëherë nuk dëgjohet në Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, sepse rrallëherë marrin pjesë në seanca ose mbledhje.

Lista Serbe, e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është partia e vetme që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, gjegjësisht, i vetmi opsion opsion politik serb që merr pjesë në punën e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye, më 3 gusht, shoqëria civile nga radhët e komunitetit serb e ftoi Listën Serbe që të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe të marrë pjesë në mënyrë aktive në punë, në mënyrë që përmes kanaleve institucionale t’i japë fund destabilitetit dhe të kontribuojë për paqen.

Tensionet e fundit në Kosovë u ngritën më 31 korrik, para fillimit të procesit të riregjistrimit të targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës në targa RKS (Republika e Kosovës), si dhe vendosjes së masave reciproke lidhur me letërnjoftimet që lëshohen nga organet serbe.

Si shenjë proteste, serbët lokalë në katër komuna në veri të Kosovës bllokuan rrugët me kamionë dhe automjete të tjera, ndërkaq Lista Serbe i falënderoi për këtë dhe i inkurajoi.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, si përgjigje ndaj kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë, vendosi të shtyjë për 30 ditë zbatimin e këtyre vendimeve, për shkak të dezinformatave që vinin nga Beogradi për situatën në terren.

“Lista Serbe nuk ka komunikim me qytetarët”
Igor Markoviq nga organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se Lista Serbe është një “bojler që rrjedh” në raport me informacionet që vijnë nga Beogradi dhe se nuk bën pothuajse asgjë për të mbrojtur interesat e serbëve përmes institucioneve në Kosovë.

Lista Serbe nuk i shfrytëzon institucionet në të cilat funksionon dhe të cilat i ka zgjedhur si kanal për artikulimin e interesave të komunitetit serb. Disi duket sikur Lista Serbe është në Serbi e jo në Kosovë”, thotë Markoviq.

Organizata joqeveritare Aktiv është një nga nënshkrueset e njoftimit, me të cilin i bëhet thirrje Listës Serbe që përveç komunikimit me Beogradin, të vendosë një kanal institucional të komunikimit me kryeministrin e Kosovës.

Igor Markoviq, po ashtu, thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe në asnjë mënyrë nuk e kanë njoftuar popullatën lokale për vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe as nuk ua kanë shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë. Ai thekson se qytetarët pothuajse nuk kanë pasur asnjë informacion.

Informatat e vetme që vinin nga përfaqësuesit e tyre legalë në institucionet e Kosovës, ishin të dobëta dhe me përmbajtje me karakter konflikti. Në vend se të ishin në Kuvend (të Kosovës), kur bisedohej për atë udhëzim administrativ, ata nuk morën pjesë aty. Është një hap që është dashur të përdoret, jo vetëm për qetësimin paraprak të tensioneve, por edhe për rregullimin më të mirë të asaj fushe”, konsideron ai.

Sipas tij, secila krizë në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë në shpërnguljen e pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilët, siç thotë ai, janë nën presionin e pasigurisë së vazhdueshme.

Lista Serbe: Qëllim të vetëm kemi rrëzimin e Qeverisë së Kurtit
Radio Evropa e Lirë (REL) i është drejtuar Listës serbe me pyetjen se a do t’i dëgjojë thirrjet e shoqërisë civile për të rritur bashkëpunimin me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe për të luftuar për të drejtat e serbëve përmes institucioneve të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij teksti askush nga ky subjekt politik nuk është përgjigjur.

Megjithatë, Lista Serbe ka bërë një njoftim publik, më 3 gusht, për t’iu përgjigjur deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se Lista Serbe është “zhvlerësuar politikisht” dhe se bashkëpunon me grupe kriminale.

Ndër të tjera, Lista Serbe ka deklaruar se nuk bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, në krye të së cilës është Albin Kurti, sepse ajo “punon kundër interesave të popullit serb” dhe se qëllimi politik i këtij subjekti politik është rrëzimi i kësaj qeverie.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës me pyetjen se pse nuk ekziston bashkëpunim më i madh me përfaqësuesit politikë të serbëve në institucionet e Kosovës, por përgjigja nuk ka arritur.

Në Qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti, Lista Serbe udhëheq Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, por nuk është pjesë e koalicionit qeverisës. Në Kuvendin e Kosovës, kjo listë ka dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb dhe po ashtu udhëheqë me të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Që atëherë, gati se në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, ajo ka fituar mbi 90 për qind të votave, ndërkohë që ka eliminuar tërësisht partitë tjera politike serbe.

Çfarë presin banorët lokalë nga Lista Serbe?
Stanko nga Mitrovica e Veriut pret që Lista Serbe t’i ndjekë udhëzimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe jo ato të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë, ai konsideron se Lista Serbe do të duhej të punonte për uljen e tensioneve, atëherë ku ato ndodhin për shkak të vendimeve politike.

Këtë duhet ta bëjnë (t’i ulin tensionet), por edhe të luftojnë atje (në institucionet e Kosovës). Por, nëse nuk munden, atëherë le t’i braktisin ato, çfarë duan më shumë atje”, thotë Stanko.

Edhe bashkëqytetari i tij, Radisha, mendon se Lista Serbe duhet të punojë në zbutjen e marrëdhënieve dhe qetësimin e tensioneve, në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata.

Presidenti ynë (i Serbisë, Aleksandar Vuçiq) thotë, ne kemi fituar ose do të fitojmë. Jo. Këtë nuk guxon as ai ta thotë. Duhet ngadalë dhe me qetësi, të flasë, të flasë dhe të flasë. Si fqinji me fqinj, si thonë, rreth kufirit. Ashtu duhet të bisedojmë ne. Me inate askush nuk ka krijuar kurrë asgjë. Në atë mënyrë nuk do të mund ta bëjë as këtu. Vetëm përmes rrugës paqësore gjithçka mund të zgjidhet”, thotë ai.

Serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, e përkrahin më shumë bashkëpunimin mes Listës Serbe dhe Qeverisë së Kosovës, sepse besojnë se do të përfitojnë qytetarët

Vesna nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se përfaqësuesit politikë të serbëve duhet të bashkëpunojnë më shumë me Qeverinë e Kosovës për të evituar tensionet, sepse siç thotë ajo, paqja është parakusht themelor për një jetë më të mirë të qytetarëve.

Duhet të ketë marrëveshje mes tyre (në mes të Listës Serbe dhe Qeverisë së Kosovës), që çdo gjë të jetë mirë, në të mirë të këtij populli, që të mbijetojë”, thotë Vesna.

Milani beson se qytetarët asnjëherë nuk kontribuojnë në ngritjen e tensioneve, por këtë e bëjnë politikanët nga radhët e komunitetit serb dhe shqiptar. Ai thekson se pikërisht politikanët janë ata që duhet të bashkëpunojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë.

Populli nga të dyja palët (serbët dhe shqiptarët) do të duhej të kuptonte se ato(konfliktet) duhet të ndalen, sepse ne kemi jetuar së bashku. Ndërkaq, për faktin pse u grindëm, fajtorë janë ata (politikanët), jo ne”, vlerëson ai.

Dialogu si e vetmja zgjidhje për tejkalimin e krizës
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 4 gusht, ka biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe. Ai ka theksuar rëndësinë e shmangies së përshkallëzimit të situatës.

Ambasadori Hovenier ritheksoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë, është në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit, të cilën Prishtina dhe Beogradi e nënshkruan në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Me Hovenierin është pajtuar edhe kryetari i Listës Serbe, Rakiq, i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Në një komunikatë të veçantë, ai ka thënë se kriza e ndodhur ditëve të kaluara mund të zgjidhet përmes dialogut, si dhe duke respektuar plotësisht nevojat elementare, kur është fjalë për funksionimin normal të serbëve

Rakiq ka thënë gjithashtu se Lista Serbe do të jetë një partner konstruktiv në vendimmarrje dhe se kriza që ekziston sot mund të tejkalohet vetëm me vullnetin e sinqertë të të gjitha palëve.

Pse ndodhi kriza?
Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës mori vendim që të fillojë procesin e ri-regjistrimit të targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës në targa RKS (Republika e Kosovës), që nga 1 gushti.

Vendimi i referohet edhe vendosjes së masave reciproke për letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe.

Mirëpo, në prag të fillimit të zbatimit të këtij vendimi, më 31 korrik, serbët lokalë në katër komuna në veri të Kosovës, në shenjë proteste, bllokuan rrugët me kamionë dhe vetura të tjera.

Më pas, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e atyre vendimeve për 30 ditë.

Vendi

Nesër në UBT mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi

Published

on

By

UBT organizon nesër mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe njerëzore.

Mbledhja komemorative do të mbahet në UBT, në ambientet e Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së, duke filluar nga ora 11:00.

Në këtë ceremoni përkujtimore do të marrin pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe familja Krasniqi, miq dhe bashkëpunëtorë të profesor Naim Krasniqit.

Kjo mbledhje do të jetë një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në procesin mësimor dhe në zhvillimin akademik të shumë gjeneratave të studentëve. Profesori Naim Krasniqi u dallua për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi, duke qenë gjithmonë pranë studentëve dhe kolegëve me urtësi, dije dhe integritet.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku, së bashku me Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, publikojnë studim ndërkombëtar për cilësinë e ujërave të burimeve natyrore

Published

on

By

Profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku dhe Agron Shala, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë publikuar një artikull të rëndësishëm në revistën prestigjioze “Journal of Engineering Geology and Hydrogeology”, botim i Akademisë Bullgare të Shkencave, duke vendosur institucionin në qendër të hulumtimeve shkencore me ndikim rajonal dhe global.

Artikulli me titull “Evaluation of the quality of spring waters for their use for irrigation – case study: Central Part of the Republic of Kosovo”, trajton cilësinë e ujërave të burimeve natyrore dhe potencialin e tyre për përdorim në bujqësi, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.

Prof. Hazir S. Çadraku dhe Prof. Agron Shala kanë përdorur metoda moderne analitike dhe krahasime me të dhëna historike, duke arritur rezultate të rëndësishme për menaxhimin e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Kosovë. Ky botim shënon një arritje të rëndësishme akademike dhe dëshmon kontributin e stafit të UBT-së në shkencën ndërkombëtare.

Revista “Engineering Geology and Hydrogeology” (ISSN 0204-7934 – Print, ISSN 2738-6996 – Online) është një botim me akses të hapur, i rishikuar nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe referohet në bazat e të dhënave të njohura si Scopus, EBSCOhost-GeoRef, VINITI dhe CASSI (CAS Source Index).

Për të lexuar artikullin e plotë, vizitoni linkun zyrtar të revistës: Revista

Continue Reading

Vendi

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Të kërkuara