Lajmet

Çfarë është Këshilli i Evropës ku synon të aplikojë Kosova?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Published

on

Kosova pritet të aplikojë të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Si i promovon të drejtat e njeriut ky Këshill?

Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.

Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.

Si financohet ky Këshill?

Për vitin 2022, Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh.

Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare.

Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.

Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Cilat janë vendet anëtare të Këshillit të Evropës?

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Dallimi mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit Evropian

Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian, i cili ka 27 vende anëtare.

Megjithatë, asnjë shtet nuk është anëtarësuar në BE, pa iu bashkuar fillimisht Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Këshilli Evropian është institucion i Bashkimit Evropian. Së bashku me Komisionin Evropian hartojnë politikat e BE-së.

Pse Kosova aplikon tani?

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit./REL

Vendi

Simiq propozoi “në emër të popullit serb” në Kuvendin e Kosovës – reagime të ashpëra

Published

on

Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka propozuar Slavko Simiqin për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

Simiq tha se kandidatura është bërë në emër të popullit serb, me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb.
“Në emër të popullit serb, me nënshkrimet e shumicës së deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb, përkatësisht 9 nga 10 deputetë, propozojmë zotin Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit”, deklaroi ai.

Ky propozim ka nxitur reagime të shumta nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar duke thënë se deputeti i Listës Serbe, sipas saj, ka sulmuar Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit.

“E tash pritini këta që na tregojnë që nuk paska rëndësi që deputeti i Listës Serbe sulmon Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit”, ka shkruar Gërvalla.

Edhe deputeti i LVV-së, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Simiqit, duke thënë se Lista Serbe nuk përfaqëson të gjithë popullin serb në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Instituti Yunus Emre nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Published

on

By

UBT dhe Instituti Yunus Emre në Kosovë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të promovimit dhe avancimit të mësimdhënies së gjuhës turke, si dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Drejtori i Institutit Yunus Emre, Ramazan Yılmaz.

Në kuadër të bashkëpunimit parashihet organizimi i kurseve të gjuhës turke, punëtorive, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin.

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, përmes të cilit synohet zgjerimi i mundësive për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Continue Reading

lajme

UBT ofron 20% bursë për profesionistët përmes iniciativës ENGAGED SCHOLARSHIP

Published

on

By

UBT ka lansuar iniciativën ENGAGED SCHOLARSHIP, përmes së cilës profesionistët e angazhuar në tregun e punës mund të përfitojnë 20% bursë për studimet Master, duke krijuar mundësi për avancim të mëtejshëm akademik dhe profesional.

ENGAGED SCHOLARSHIP është konceptuar si një mundësi që lidh drejtpërdrejt përvojën profesionale me avancimin akademik, duke u mundësuar profesionistëve të thellojnë njohuritë në fusha që lidhen me profesionin e tyre dhe të zhvillojnë kompetenca të reja që mund t’i aplikojnë në vendin e punës.

Në kuadër të kësaj iniciative, mund të përfitojnë 20% bursë profesionistët që angazhohen në programet Master të UBT-së, sipas profileve dhe kategorive profesionale përkatëse:

  • Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – për punonjësit në institucionet bankare, sektorin privat dhe publik, si dhe kontabilistët.
  • Shkenca Politike, Politika Publike dhe Menaxhim – për punonjësit në administratën publike, komuna, institucione publike, organizata joqeveritare, si dhe koordinatorët e projekteve vendore dhe ndërkombëtare.
  • E Drejta Penale, E Drejta Civile dhe e Pronës, E Drejta Komerciale – për punonjësit në institucionet e drejtësisë, avokatët, noterët, zyrtarët ligjorë, zyrtarët e burimeve njerëzore dhe profesionistët në institucione të tjera publike e private.
  • Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit – për teknologët e ushqimit, nutricionistët, infermierët, kontrollorët e cilësisë, inspektorët ushqimorë dhe laborantët ushqimorë.
  • Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik – për sportistët, fizioterapeutët, infermierët, instruktorët e fitnesit dhe punonjësit në qendrat e rehabilitimit.
  • Studime të Sigurisë – për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe profesionistët e tjerë të fushës së rendit dhe sigurisë.
  • Gjuhë, Media dhe Komunikim – për gazetarët, punonjësit e mediave, zyrtarët për komunikim dhe marrëdhënie me publikun, menaxherët e mediave sociale, si dhe profesionistët e marketingut dhe komunikimit.

Një nga elementet që e bën këtë iniciativë të përshtatshme për profesionistët është fleksibiliteti i orarit të studimeve. Ligjëratat zhvillohen kryesisht në orët e pasdites, duke krijuar mundësi që angazhimi profesional dhe studimet Master të zhvillohen paralelisht. Në këtë mënyrë, profesionistët mund të vazhdojnë punën e tyre, ndërsa njëkohësisht investojnë në ngritjen e tyre akademike dhe profesionale.

Përmes ENGAGED SCHOLARSHIP, UBT synon të mbështesë profesionistët që janë të gatshëm të bëjnë hapin e radhës në karrierën e tyre, duke u ofruar atyre mundësi për arsimim të avancuar, zhvillim profesional dhe specializim në fushën përkatëse.

Aplikimi është i hapur.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi shkon në pauzë, ende pa marrëveshje për nënkryetarët

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka shkuar në pauzë prej 30 minutash, pasi partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë se një prej propozimeve është që nënkryetarët të votohen në një pako, ndërsa për këtë formë ka edhe rezerva nga partitë tjera.

Haxhiu ka kërkuar gjithashtu nga administrata e Kuvendit që të sqarojë nëse propozimi i Listës Serbe për nënkryetar është në përputhje me Kushtetutën.

Partitë tashmë kanë propozuar kandidatët e tyre: LVV-ja Ardian Golën, PDK-ja Vlora Çitakun, LDK-ja Kujtim Shalën, ndërsa nga komunitetet Sllavko Simiqin dhe Emilija Rexhepin.

Pa zgjedhjen e nënkryetarëve, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara