Lajmet

Çfarë duhet të mësojmë nga rënia e Kabulit?

Në 20 vite qeveria amerikane ka shpenzuar 145 miliardë dollarë në përpjekje për të rindërtuar Afganistanin.

Published

on

Nga Fareed Zakaria

Më 16 gusht 2021, Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit publikoi një raport me titull “Çfarë duhet të mësojmë: Leksione nga 20 vitet e rindërtimit të Afganistanit”. Por ky raport u la në hije nga lajmet dramatike në terren.

Pasi vetëm një ditë më parë qeveria afgane ishte rrëzuar dhe talibanët morën me shpejtësi pushtetin. Por një vit më vonë, është një tjetër dokument – i bazuar në 13 vite punë, një mal me të dhëna dhe më shumë se 760 intervista – që ia vlen të studiohet me kujdes.

“Në 20 vite qeveria amerikane ka shpenzuar 145 miliardë dollarë në përpjekje për të rindërtuar Afganistanin”- nis ky dokument. Më pas në të përmenden të gjitha kostot e tjera, përfshirë 837 miliardë dollarë për luftimet, 3.587 ushtarët amerikane dhe të vendeve aleate që kanë humbur jetën, dhe të paktën 66.000 ushtarë afganë të vdekur.

Por raporti thekson se “nëse synimi ishte vërtet rindërtimi dhe mundësia që ai të mbante veten duke paraqitur pak kërcënim për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, tabloja e përgjithshme është e zymtë”. Përse? Si ka mundësi që kaq shumë energji, përpjekje, gjak dhe para dhanë kaq pak rezultate pozitive?

Raporti rendit shumë arsye – strategjitë jo koherente, mungesën e durimit, pritshmëritë jorealiste, monitorimin e pamjaftueshëm – ku të gjitha ato hedhin dritë mbi dështimet specifike. Një nga përfundimet e raportit, është se qëllimet e SHBA ishin shpesh kontradiktore.

Për shembull, Shtetet e Bashkuara investuan miliarda dollarë në ekonominë afgane, në përpjekje për t’i dhënë fund korrupsionit. Ajo donte që të dobësonte pozitat e komandantëve lokalë të luftës dhe milicive, por nga ana tjetër do të mbështetej vazhdimisht tek ata kur donte të vendoste me shpejtësi rendin e cënuar.

Po ashtu, donte t’i jepte fund prodhimit të opiumit, por jo të prekte të ardhurat e fermerëve.

E megjithatë këto nuk ndihen sikur janë në thelbin e problemit. Pas humbjes së tyre në vitin 2001, talibanët u rigrupuan dhe fituan në mënyrë të qëndrueshme terren, nga viti 2005 e tutje.

Raporti dokumenton se “sulmet e armikut” u rritën nga rreth 2.300 në vitin 2005 në thuajse 23.000 në vitin 2009, dhe nuk ranë më kurrë nën 21.000 në vit, pavarësisht ndryshimeve të ndryshme në strategji, taktika apo numrin e trupave amerikane në terren.

Një këshilltar civil i ushtrisë amerikane për Irakun dhe Afganistanin, Karter Malkasian, shkroi një libër që unë besoj se i afrohet më së shumti një shpjegimi gjithëpërfshirës mbi dështimin e madh të SHBA-së në Afganistan.

“Talibanët përfaqësonin diçka që frymëzonte, diçka që i bënte ata të fuqishëm në betejë, diçka që lidhej ngushtë me atë që do të thoshte të jesh afgan. Thënë thjeshtë, ata luftuan për Islamin dhe rezistencën ndaj pushtimit, vlera këto të mishëruara në identitetin afgan. Në linjë me pushtuesit e huaj, qeveria afgane nuk rrezatoi asnjëherë asnjë frymëzim të ngjashëm”- shkroi ai.

Shtetet e Bashkuara ishin gjithnjë të huajt, në mesin e një lufte civile komplekse në Afganistan, ndërsa qeveria e re afgane nuk qe asnjëherë në gjendje të fitonte legjitimitetin që i nevojitej. Ajo u pa si tejet e korruptuar dhe e varur plotësisht nga Amerika. Dhe që të dyja akuzat ishin të vërteta.

Kur një qeveri ka një legjitimitet të brendshëm – si për shembull Ukraina sot – të huajt mund ta ndihmojnë atë në mënyrë efektive. Por kur i mungon forca dhe mbështetja e brendshme, ndihma e jashtme e dobëson shpesh besueshmërinë e saj.

Kësaj mund t’i shtohen të gjitha llojet e arsyeve të tjera të rëndësishme. Talibanët kishin një bazë të sigurt në Pakistan. Historikisht, ka qenë praktikisht e pamundur të mposhtet një kryengritje e mirë-armatosur dhe që ka si strehë një vend fqinj. Amerikanët nuk i kuptojnë vendet dhe kulturat e huaja.

Lufta e Irakut ishte për ta një shpërqendrim i madh. Agjencitë amerikane punonin ndonjëherë për qëllime të kundërta me njëra-tjetrën. Por rënia e Kabulit një vit më parë, ka edhe një leksion tjetër të rëndësishëm për Amerikën: rrezikun e të mos parit me kujdes realitetin dhe nënshtrimin ndaj mendimit kolektiv.

Për një kohë të gjatë, elitat e Uashingtonit e panë Afganistanin si “luftën e mirë”, të justifikuar moralisht dhe të miratuar edhe nga Kombet e Bashkuara. Njerëzit u investuan për të besuar se gjërat po funksiononin, dhe shumë prej tyre e “verbuan veten” për të mos parë se në fakt, gjërat ishin ndryshe.

Ushtria është shpesh e kthjellët në raport me një konflikt. Por pasi përfshihet në luftë dhe i jepet një mision, ajo do të sigurojë një rrjedhë raportesh që vërtetojnë se po ia del mbanë. Në Vietnam, detyra ishte numërimi i trupave armike të vrara.

Në Afganistan, ishte numri në rritje i Ushtrisë Kombëtare Afgane (që rezultoi të ishte tejet i ekzagjeruar). Pavarësisht të metave të tij në organizimin e tërheqjes nga ky vend, Joe Biden, si senator dhe zëvendëspresident, ishte një nga të paktët njerëz në pushtet që ishin të gatshëm të ngrinin disa pyetje të pakëndshme, dhe për të parë përtej bisedave plot entuziazëm.

Në një artikull të shkëlqyer të botuar në “The Atlantic”, gjenerali amerikan Dejvid H. Petreus bën një pasqyrë të luftës dhe argumenton se “gabimi themelor” i Amerikës në Afganistan ishte “mungesa e angazhimit”. Dhe në një aspekt ai ka të drejtë.

Ishte e qartë se mbështetja e SHBA-së ndaj kësaj lufte ka qenë me luhatje. Por vlen të përmendet se Amerika qëndroi në Afganistan më gjatë sesa britanikët gjatë tre Luftërave Anglo-Afgane të marra bashku. Për më tepër, qëndroi për një kohë dyfish më të gjatë se Bashkimi Sovjetik në fundin e viteve 1970-1980.

Në librin e tij të ri mbi luftën 20-vjeçare, “Akti i Pestë: Fundi i Amerikës në Afganistan”, Eliot Akerman vëren se shumica e asaj që ndërtuan Shtetet e Bashkuara në Afganistan ishte prej kompensate, një metaforë për hezitimin tonë në atë mision.

Nëse e krahasojmë atë me sjelljen e britanikëve më herët, që mbërrinin në një vend dhe ndërtonin me shpejtësi monumente prej guri për të simbolizuar perandorinë e tyre të qëndrueshme. Unë dyshoj se Amerika do të jetë gjithmonë një fuqi plot ndërdyshje, një  imperialiste e fiksuar pas fasadave prej kompensate. / “The Washington Post” – Bota.al

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara