Lajmet

Çfarë duhet të dini për variantin Delta?

Published

on

Në Kosovë, më 29 qershor, autoritetet shëndetësore njoftuan se kanë regjistruar dy raste me variantin Delta të koronavirusit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të dy pacientët tashmë janë shëruar.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të sëmundjes COVID-19. Aty bëjnë pjesë edhe varianti Alfa (i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe), Beta ( i identifikuar fillimisht në Afrikë të Jugut) dhe Gama (i identifikuar fillimisht në Brazil).

Variantet që bëjnë pjesë në këtë grup janë më ngjitëse, më vdekjeprurëse ose më rezistente ndaj vaksinave ekzistuese kundër COVID-19.

Varianti Delta tashmë është përhapur në mbi 90 shtete të botës dhe OBSH-ja ka thënë se Delta po bëhet varianti dominues i koronavirusit në mbarë botën.

Shefja e shkencëtarëve në OBSH, Soumya Swaminathan, ka deklaruar më 18 qershor se studimet kanë sugjeruar se varianti Delta është rreth 60 për qind më i transmetueshëm se varianti Alfa, që konsiderohet si variant më ngjitës se varianti origjinal i COVID-19, që u përhap fillimisht në Vuhan të Kinës, në fund të vitit 2019.

Varianti Delta tashmë është dominues në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shkencëtari kryesor për sëmundje ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, e ka cilësuar këtë variant si “kërcënimin kryesor” në përpjekjet e SHBA-së për ta mposhtur pandeminë COVID-19.

Sipas të dhënave të Shëndetit Publik të Anglisë, që është agjencia kryesore britanike për shëndetësi, mbi 90 për qind e rasteve me COVID-19 janë me variantin Delta. Sipas kësaj agjencie, varianti Delta ka 64 për qind më shumë mundësi që të përhapet brenda familjeve, sesa varianti Alfa.

Ndërkaq, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë më 23 qershor, se pret që deri në fund të muajit gusht, varianti Delta të përbëjë 90 për qind të rasteve me COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian.

“Fatkeqësisht, të dhënat fillestare (të studimeve) tregojnë se (varianti Delta) mund të prekë njerëzit që kanë marrë dozën e parë të vaksinave ekzistuese. Ka shumë gjasa që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht në mesin e të rinjve, të cilët ende nuk janë në listë për t’u vaksinuar. Kjo gjë mund të rrisë rrezikun që njerëzit më të ndjeshëm të infektohen dhe të përjetojnë sëmundje të rëndë dhe vdekje, nëse nuk janë të vaksinuar plotësisht”, ka thënë ECDC-ja.

Edhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë klasifikuar si variant shqetësues variantin Delta.

Për dallim nga varianti fillestar i koronavirusit, që karakterizohet me simptoma si temperaturë, dhembje muskujsh, probleme me frymëmarrje, humbje të shijes apo nuhatjes, personat që po preken nga varianti Delta, sipas ekspertëve, po përjetojnë kryesisht këto simptoma: dhembje të kokës e fytit dhe rrjedhje nga hunda.

Këto simptoma, sipas ekspertëve, janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal, prandaj rritet edhe rreziku që shumë të infektuar të mos izolohen dhe të përhapin edhe më tej sëmundjen.

A janë efektive vaksinat ekzistuese ndaj variantit Delta?

Që prej përhapjes së variantit Delta janë kryer disa studime, për të parë nëse vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 janë efektive ndaj këtij varianti.

Sipas një studimi të kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit, vaksina e prodhuar nga AstraZeneca dhe ajo nga Pfizer/BioNTech mbeten gjerësisht efektive ndaj variantit Delta.

Ky studim, gjetjet e të cilit janë publikuar në gazetën shkencore Cell, ka hetuar aftësinë e antitrupave në gjakun e njerëzve, të cilët janë vaksinuar me të dyja dozat, për të neutralizuar variantin ngjitës Delta.

Megjithatë, hulumtuesit thanë se kanë parë rënie të përqendrimit të antitrupave në gjak, duke shtuar se kjo gjë mund të çojë në disa infektime me COVID-19.

Sipas gjetjeve të Shëndetit Publik në Angli, vaksinat e këtyre dy kompanive kanë ofruar mbi 90 për qind mbrojtje ndaj hospitalizimeve nga varianti Delta.

Kompania farmaceutike Moderna ka thënë se në një studim të kryer, ku është analizuar gjaku i personave që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës një javë më parë, është gjetur se vaksina e kësaj kompanie, ka shkaktuar përgjigje të antitrupave kundër të gjitha varianteve të testuara.

Sipas studimit, vaksina Moderna është shumë më efektive në prodhimin e antitrupave ndaj variantit Delta sesa ndaj variantit Beta, që fillimisht është identifikuar në Afrikën e Jugut.

“Këto të dhëna të reja janë inkurajuese dhe përforcojnë besimin tonë se vaksina Moderna do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje ndaj varianteve të reja që janë zbuluar”, tha shefi ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel.

Pavarësisht se disa studime sugjerojnë se vaksinat janë efektive ndaj variantit Delta, OBSH-ja u ka bërë thirrje edhe njerëzve që janë të vaksinuar plotësisht, të vazhdojnë të mbajnë maska dhe distancë fizike.

“Njerëzit nuk duhet të ndihen të sigurt për faktin se kanë marrë dy dozat e vaksinës. Ata ende duhet të mbrojnë vetveten”, ka deklaruar Mariangela Simoa, ndihmësdrejtoresha e përgjithshme e OBSH-së për qasje në ilaçe dhe produkte shëndetësore./REL

Lajmet

Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”, shqiptarja e parë që merr këtë çmim

Published

on

Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike, pasi Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”.

Kazia është shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në zhvillimin e sigurisë kibernetike në nivel ndërkombëtar.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtajn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.

Pas marrjes së çmimit, Kazia në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.

“Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e teknologjisë, por me mbrojtjen e besimit”, u shpreh ajo.

Gjatë këtij edicioni janë zhvilluar edhe diskutime për mundësinë që ceremonia “Cybersecurity Woman of the World 2027” të organizohet në Shqipëri. Nëse realizohet, vendi pritet të mirëpresë ekspertë, institucione dhe përfaqësues ndërkombëtarë të fushës së sigurisë kibernetike.

Duke komentuar vlerësimin, Kazia tha se ky titull përfaqëson një përgjegjësi për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

Esmeralda Kazia aktualisht është Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë për Teknologjinë Operacionale, Sistemet e Kontrollit Industrial dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më herët ajo ka udhëhequr operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare si NATO, OSBE dhe iniciativa globale kundër sulmeve kibernetike. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare dhe kërkuese shkencore, me fokus në inteligjencën artificiale dhe ekosistemet digjitale./Albinfo.ch//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sean “Diddy” Combs do të lirohet nga burgu më herët, data caktohet për janar 2028

Published

on

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët sesa ishte planifikuar fillimisht, pavarësisht një incidenti të fundit ku raportohet se u përfshi në një përleshje me një të burgosur tjetër.

Sipas të dhënave më të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve, lirimi i Combs është caktuar për 24 janar 2028. Fillimisht, data e lirimit ishte parashikuar për maj të vitit 2028, por ajo është ndryshuar disa herë gjatë muajve të fundit.

Combs, 56 vjeç, u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe reketimin, por u dënua për organizim të prostitucionit.

Shkurtimi i dënimit lidhet me zbatimin e ligjit amerikan “FIRST STEP Act”, i cili u mundëson disa të dënuarve përfitime për lirime më të hershme.

Ndryshimi i fundit i datës së lirimit vjen vetëm një javë pasi reperi raportohet se u përfshi në një përleshje fizike me një të burgosur tjetër në burgun federal Fort Dix në New Jersey. Sipas raportimeve, konflikti nisi pas një përplasjeje verbale dhe më pas kaloi në përleshje fizike, derisa ndërhynë rojet e burgut.

Pas incidentit, Combs raportohet se është vendosur përkohësisht në izolim, megjithëse autoritetet e burgut nuk kanë konfirmuar detaje për ngjarjen.

Byroja Federale e Burgjeve ka deklaruar se, për arsye sigurie dhe privatësie, nuk komenton kushtet e qëndrimit të të burgosurve apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu takon sot krerët e partive, në fokus seanca konstituive

Published

on

Sot është paraparë të mbahet mbledhja e përbashkët e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kryetarët e subjekteve politike.

Kjo mbledhje vjen në kuadër të përgatitjeve për Seancën konstituive të Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi pritet të mbahet në ambientet e Kuvendit me fillim nga ora 11:00./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Seancë gjyqësore për 21 të akuzuar për krime lufte në Prishtinë

Published

on

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa të akuzuarit përballen me akuzën për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në këtë rast janë të akuzuar: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Procesi gjyqësor lidhet me hetimet për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara