Lajmet

Çeku: Kemi identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë

Çeku shtoi se do të kërkojnë kthimin e artefakteve nga muzeu i Beogradit.

Published

on

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit(MKRS), Hajrulla Çeku ka deklaruar se shumë shpejt do të fillojnë punimet brenda kompleksit memorial “Adem Jashari”. Ai po ashtu ka njoftuar se është duke u hartuar plani zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në mbledhjen e Komisionit për Kulturë, ai ka bërë të ditur se janë identifikuar 200 monumente të cilat janë në gjendje të rëndë dhe se në vitin e ardhshëm do të bëjnë ndërhyrje në 50 prej tyre që janë në rrezik.

Në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ministri Hajrulla Çeku ka njoftuar se mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2021 është mbi 910 mijë euro.

Ai theksoi se pas një studimi të gjendjes fizike të kullave të Jasharajve, së shpejti pritet të fillojnë punimet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Është themeluar komiteti ndër-ministror për kompleksin ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Për herë të parë është realizuar studimi profesional i vlerësimit i gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit. Janë hartuar projektet e ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet brenda këtij kompleksi. Është themeluar edhe komisioni i ekspertëve, si trup profesionale e komitetit. Ndërsa, gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm në bazë të rekomandimeve të komisionit të ekspertëve do të marrim edhe vendimin për hapat e master-planit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’”, ka deklaruar Çeku.

Më tej, ai gjatë raportimit ka bërë të ditur se është themeluar komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 98-99. Për këtë, ai theksoi se është nismë për herë të parë, ku do të përgatitet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Çeku shtoi se do të kërkojnë kthimin e artefakteve nga muzeu i Beogradit.

Në raportimin para anëtarëve të komisionit, ai tha se kanë planifikuar një milion euro buxhet për ndërhyrje emergjente në monumente.

“Nga vlerësimi në terren kemi identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë. Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje, deri tash kanë përfunduar 9 asete, 19 janë në realizim, ndërsa për 18 asete po realizohen procedurat e prokurimit. Ndërsa, ndërhyrjet fillojnë ditëve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të vazhdojmë me mbi 50 ndërhyrje në monumente që janë në rrezik, e synimi jonë është që në vitin 2023 të mos kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Pas shumë vitesh është riaktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë. Gjatë këtij muaji do të dorëzojmë 30 dosje të nominimit në KKTK. Ky proces dinamik do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022”, ka thënë ai.

Sipas tij, kanë shtuar 17 asete të reja në listën e mbrojtjes së përkohshme, siç është teatri Dodona, kino-Rinia, shkolla “Gjon Serreqi”.

Ai ka folur edhe për Manastirin e Deçanit, ku tha se kanë kundërshtuar listimin e saj në organizatën “Europa Nostra”.

“Kemi kundërshtuar në të gjitha format përfshirjen e manastirit e Deçanit në listën e organizatës ‘Europa Nostra’ për trashëgiminë kulturore në rrezik në Evropë. ‘Europa Nostra’ ka premtuar që do të vij në Kosovë për një vlerësim të gjendjes, por për fat të keq ende nuk kanë ardhur, sepse nuk kanë ardhur as në fazën kur e kanë futur Manastirin e Deçanit në këtë listë. Paralelisht kemi kërkuar nga ICOM International një vlerësim profesional për manastirin e Deçanit. Ky vlerësim do të na ndihmojë që të vazhdojmë insistimin tonë në raport me UNESCO-n që t’i largojë katër monumentet tona nga lista e trashëgimisë botërore në rrezik[…]Paralelisht jemi duke e hartuar planin zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, ka njoftuar Çeku para anëtarëve të komisionit.

Në mbledhjen e së martës, Çeku ka theksuar se është formuar grupi koordinues për hartimin e koncept-dokumentit, me qëllim të bazës për Ligjin Unik të Kulturës.

Për këtë ka pyetur edhe anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha, duke vijuar me atë se pse nuk është shpallur ende drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Pse duhet të ndryshohet statuti, ndërkohë që po bëhet ligji dhe pastaj ato statute duhet me qenë në harmoni me ligjin. A nuk do të duhej me prit, që të përfundojë ky ligj dhe statutet përditësohen karshi ligjit të ri për kulturë, ku keni thënë se do të keni një ligj gjithëpërfshirës. E përmendet që institucionet do të kenë drejtues të rinj në fillim të vitit të ardhshëm. Mua më intereson të di, meqenëse jam në dijeni që procesi për drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare është zgjedhur, ka përfunduar. Nuk e kuptoj pse nuk e shpallni, meqenëse i gjithë procesi ka përfunduar?”, ka pyetur ajo ministrin Çeku. Ajo gjithashtu pyeti se kur do të shqyrtohet projektligji për Kinematografinë.

Ministri i Kulturës ka njoftuar se Projektligji për Kinematografinë nuk do të procedohet këtë vit për miratim në Kuvendin e Kosovës. Kjo meqë, sipas tij, ka ende kërkesa edhe nga vet komuniteti.

Ndërsa, sa i përket shpalljes së drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Bislim Bislimi tha se nuk ka përfunduar e gjithë procedura, meqë ka sinjalizime të gabimeve në këtë proces.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të rinovohet Teatri Kombëtar i Kosovës.

Lajmet

Trepça rikthen në menaxhim lokalin në Sheshin e Mitrovicës së Veriut pas 27 vjetësh

Published

on

Trepça ka rikthyer në menaxhim një lokal në Sheshin e Mitrovicës së Veriut, për të cilin ndërmarrja thotë se kishte qenë jashtë menaxhimit të saj për 27 vjet.

Rikthimit të pronës i ka paraprirë njoftimi zyrtar i 27 gushtit 2026, përmes të cilit Trepça, duke u bazuar në të dhënat e Certifikatës së Pronësisë, kishte kërkuar lirimin e pronës dhe paraqitjen e dokumentacionit që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit.

Sipas ndërmarrjes, pas përfundimit të procedurave, lokali është rikthyer nën menaxhimin e Trepçës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Liria Ka Emër” para EULEX-it: “Shpalleni të pafajshëm!”

Published

on

Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar të martën një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.

Gjatë aktivitetit është vendosur pankarta me mesazhin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, ndërsa platforma ka kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se kërkesa e tyre nuk është për hakmarrje, por për drejtësi, duke theksuar se procesi në Hagë nuk duhet të shkëputet nga konteksti historik i luftës së Kosovës.

“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë”, deklaroi Fazlija.

Ajo tha se më 16 shtator, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, nuk pritet vetëm një aktgjykim, por edhe një përgjigje që, sipas saj, ka rëndësi për mënyrën se si trajtohet historia e Kosovës.

Fazlija iu bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mos harrojnë sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Ndërkohë, platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PISA 2025: Rënie në matematikë, Kosova mbetet nën OECD

Published

on

Sipas rezultateve, Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i njëjtë, leximi ka rënë nga 342 në 340 pikë, ndërsa matematika nga 355 në 350 pikë.

Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë. Megjithatë, rezultatet e Kosovës në të gjithë treguesit kryesorë mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Raporti tregon gjithashtu performancë më të lartë të vajzave, veçanërisht në shkencë dhe lexim. Në shkencë vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, kurse në lexim diferenca është edhe më e madhe, 358 pikë për vajzat dhe 322 për djemtë. Në matematikë rezultatet janë pothuajse të barabarta.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 15 për qind dhe në lexim rreth 16 për qind.

Raporti rekomandon përmirësimin e cilësisë së të nxënit, si dhe përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet do të analizohen në detaje dhe do të shërbejnë si bazë për ndërhyrjet dhe përmirësimet në Strategjinë e re të Arsimit.

Në PISA 2025, në krye të renditjes u pozicionuan Kina dhe Singapori./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Ilustrim: Adem Demaçi

 

 

8 shtator 1994

 

Adem Demaçi kandidat për Çmimin Nobel për Paqe

 

Numri i kandidatëve për Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit arriti në 130 – informon drejtori i fondit të këtij çmimi. Në mesin e kandidatëve të mundshëm për pmimin më të lartë për paqe në botë është edhe shkrimtari i njohur nga Kosova, Adem Demaçi, njofton gazeta e sotme “Bujku”, duke iu referuar “Zërit të Amerikës”.

 

 

8 shtator 1995

 

Adnan Merovci u mor në sigurimin shtetëror serb

 

Më 7 shtator, në orën 8.00, një inspektor i sigurimit serb në Prishtinë, kërkoi nga Adnan Merovci, sekretar teknik në Zyrën e kryetarit Rugova, që të paraqitet në sigurimin shtetëror serb në Prishtinë.

Zoti Merovci u paraqit në orën 10:00 dhe nuk u lirua ende.

Atij nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim se përse po thirrej në sigurimin serb.

Sigurimi serb nuk dha asnjë shpjegim as më vonë. Mirëpo njoftohet se ai po mbahet në paraburgim prej 3 ditësh me vendim të policisë serbe.

Zoti Merovci e ka përcjellë vazhdimisht kryetarin e Republikës së Kosovës gjatë udhëtimeve diplomatike nëpër vendet e ndryshme të botës.

 

Policia arrestoi Milazim Krasniqin dhe ndërpreu punën e redaksisë së gazetës “Bota sot”

 

Policia serbe ndërpreu sot rreth orës 11:00 punën e redaksisë së Pishtinës të gazetës së përditshme “Bota sot” që botohet në disa shtete të Evropës dhe arrestoi redaktorin e saj në Prishtinë, Milazim Krasniqin.

Milazim Koci, anëtar i kësaj redaksie, tha se në orën 11:00 në lokalet e redaksisë hynë pesë inspektorë të sigurimit shtetëror serbë dhe legjitimuan e morën në pyetje anëtarët e redaksisë e bashkëpunëtorët tjerë e qytetarë që rastësisht qëlluan në lokalet e redaksisë.

Pas kontrollit dhe bastisjes, policët urdhëruan largimin e gazetarëve nga lokali, arrestuan redaktorin Milazim Krasniqi dhe morën pajisjen komplete tenknike të redaksisë: 2 telefonë, 1 faks, tre kompjuterë, 1 printer, si edhe tekstet e përgatitura për numrin e nesërm të gazetës.

Me këtë ndërhyrje policia praktikisht pamundësoi punën e kësaj redaksie.

Me gjithë insistimin e anëtarëve të redaksisë, inspektorët serbë nuk e justifikuan me asgjë ndërhyrjen e tyre.

Redaksia njofton se është në procedurë e sipër që nga 15 gushti kërkesa për regjistrimin e kësaj redaksie.

 

 

8 shtator 1997

 

Ditë zie në Kosovë në nderim të Nënës Tereze

 

Prishtinë, 8 shtator (QIK)

Sot në Republikën e Kosovës në shenjë pikëllimi e nderimi për vdekjen e Nënë Terezes ishte ditë zie.

Në zyrat e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës sot janë hapur librat e zisë, të cilët do të qëndrojnë të hapur deri të shtunën e ardhshme.

Që nga dita e sotme, me urdhërin e presidentit Rugova në lokalet e Zyrës së Republikës së Kosovës për Beneluks dhe Bashkim Evropian u hap libri i homazheve në të cilin bashkëatdhetarët tanë po shprehin dhembjen e thellë me këtë rast. Aktualisht në librin e homazheve u shënuan dhjetëra bashkëkombasë tanë.

Gani Azemi i tha QIK-ut se janë duke u bërë përpjekje maksimale që në Bruksel, në njërën prej kishave të shumta, të organizohet një meshë, në shenjë nderimi dhe respekti për Nënë Terezën.

Libri i zisë u hap sot edhe në Presidencën e Kosovës. Edhe këtu libri do të jetë i hapur deri të shtunën nga ora 10 deri në orën

Dita e zisë në Kosovë, për shkak të gjendjes së okupimit në Kosovë, u shënua në mënyrë specifike. Faqja e parë e gazetës së përditshme “Bujku” doli sot me shirit të zi. Edhe gazeta tjetër e përditshme, që botohet në perëndim “Bota sot” doli me shirit të zi. Gazeta “Koha Ditore” doli sot si rëndom, në dy ngjyra, pa shenjën e zisë në faqen e parë.

Në vendet publike ndjehet kudo atmosfera e zisë. Në restorante e kafenetë e Prishtinës, si edhe në qendrat tjera komunale, sot nuk kishte muzikë. Vendimin e kryetarit Rugova për ditë zie nuk e respektoi radiostacioni Selavi, një program shqip i radios së një pronari serb, në të cilin edhe sot transmetohej vazhdimisht muzikë e hareshme shqipe.

 

 

8 shtator 1998

 

Prizren: Policia serbe ekzekutoi edhe dy shqiptarë

 

Mbrëmë rreth orës 20:00, në lagjen “Tusus” të Prizrenit, forcat e policisë serbe kanë vrarë Arsim Ramadan Ponikun (18), njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Njoftohet se policia serbe menjëherë pas vrasjes së Arsim Ponikut, ka arrestuar edhe axhën e tij Hasret Sylejman Ponikun (36), të cilin me një veturë me regjistrim të Pejës e kanë dërguar deri në afërsi të varrezave në Prizren dhe e kanë ekzekutuar.

Vrasjet e këtilla të shqiptarëve nga forcat serbe qoftë edhe në oborret e shtëpive të tyre dhe masakrimet e ditëve të fundit e kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen në Prizren e rrethinë.

 

Në Struzhe të Prizrenit u gjetën tre shqiptarë të masakruar

 

Mbrëmë në malet e fshatit Struzhe u gjetën trupat e pajetë dhe të masakruar të tre të rinjëve shqiptarë, Muhamet Shemsedinit (23), Zymri Shemsedinit (21) që të dy nga Zaplluxha e Opojës dhe mikut të tyre Sabri Maliqit (18) nga Kuklibegu, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Njoftohet se këta tre të rinj më 1 shtator të këtij viti kanë shkuar për të prerë dru dhe nuk janë kthyer më.

Trupat e pajetë të Muhamet e Zymri Shemsedinit u varrosën sot në Zaplluxhë, ndërsa në Kuklibeg pritet të varroset trupi i pajetë i Sabri Maliqit.

Continue Reading

Të kërkuara