Aktualitet

Çeku bën bilancin e 2021-s: Rritëm buxhetin për trashëgiminë kulturore dhe sportin

Ai bëri të ditur se shumë shpejtë do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”.

Published

on

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mbajtur konferencën përmbyllëse ku ka bërë një përmbledhje të projekteve të realizuara gjatë këtij viti si dhe projektet për vitin 2022.

Ai ka potencuar fillimisht punët dhe intervenimet që janë bërë në trashëgiminë kulturore ku ka thënë se gjatë këtij viti janë identifikuar mbi 200 monumente kulturore që janë në rrezik, janë bërë 13 ndërhyrje tashmë të përfunduara, 18 janë në proces dhe 16 të tjera pritet të nisin së shpejti dhe kjo punë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022.

“Për vitin 2022 kemi planifikuar mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në të gjithë vendim po vazhdojmë më restaurimin e monumenteve, ndër ato që po restaurohen janë Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla e Sulejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Dedës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit. […] Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 5.4 milionë eurosh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga të cilat 1 milion për ndërhyrje emergjente”, theksoi Çeku.

Çeku gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejtë do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.

Sa i përket sportit, i pari i MKRS-së theksoi se janë përfunduar disa projekte kapitale gjatë këtij viti dhe se janë në plan një numër i madh i projekteve të reja gjatë vitit 2022.

Çeku u shpreh se mbështetja për federata sportive si dhe për klubet e sportistët do të jetë edhe më e madhe. Sipas tij, gjatë vitit 2021 për klubet dhe federata janë ofruar si mbështetje mbi 6.35 milionë euro.

Sa i përket problematikës për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan, Çeku bëri të ditur se në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, janë duke punuar intensivisht që operatori të kryejë sa më parë punimet dhe janë në gatishmëri për të kryer të gjitha obligimet ndaj këtij operatori nëse punët përfundohen me një dinamikë më të shpejtë.

Ndërsa rreth ndërtimit të stadiumit kombëtar të futbollit, Çeku tha se janë duke biseduar me shumë faktorë relevantë për të marr një vendim se a duhet të shkohet në këtë aventurë për të ndërtuar një stadium që kushton shumë, apo me ato para të investohet në konsolidimin e infrastrukturës ekzistuese.

Vendi

Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës për vitin 2026

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim.

Buxheti i paraparë për këtë vit është 4 miliardë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se ky është një buxhet i përkohshëm emergjent, ndërsa procesi i miratimit ka qenë i shpejtë për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.

Ai ka sqaruar se për shkak të kohës së kufizuar, nuk është dhënë hapësirë për ndryshime, madje as ministrave që menaxhojnë dikasteret e tyre, duke u fokusuar në sigurimin e një baze që komunat dhe institucionet qendrore të mund të funksionojnë pa probleme. Murati po ashtu ka kërkuar që të mos ketë amandamente me implikime financiare.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar mënyrën se si janë trajtuar amandamentet e partisë së tij gjatë seancës plenare, duke thënë se nuk është lënë hapësirë reale për ndryshime.

“Asnjë amandament i AAK-së nuk kaloi, dhe i gjithë procesi duket si një mashtrim optik,” ka thënë Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike ka paraqitur 21 amandamente që nuk janë shqyrtuar nga komisionet përkatëse.

Ajo ka paralajmëruar se pa vënien e këtyre amandamenteve në votim, LDK nuk do ta mbështesë buxhetin, duke argumentuar se ato adresojnë probleme reale të qytetarëve, përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe investimet kapitale.

Gjithashtu, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar se partia e tij nuk e mbështet buxhetin dhe tërheq të gjitha amandamentet.

Ai ka thënë se vërejtjet e PDK-së, që lidhen me aspektet profesionale, teknike dhe nevojat reale që buxheti duhet të adresojë, nuk kanë marrë vëmendje, duke përfshirë edhe kërkesat për rritje të mbështetjes financiare për të akuzuarit dhe çlirimtarët në Hagë.

 

Continue Reading

Aktualitet

Profesorët e UBT-së publikojnë studim në revistën ndërkombëtare Aquatic Ecology

Published

on

By

Profesorët e UBT-së: Pajtim Bytyqi, Hazir S. Çadraku dhe Osman Fetoshi, në bashkëpunim me studiues nga universitete të vendit, rajonit, Evropës dhe më gjerë, kanë publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare Aquatic Ecology (Springer).

Studimi me titull “Assessment of macrophytes biological indexes for Mirusha River and evaluation of physicochemical parameters in the Republic of Kosovo” është botuar më 13 shkurt 2026 (Volume 60, Article 25).

Hulumtimi, i zhvilluar gjatë viteve 2022–2023, analizon gjendjen ekologjike të Lumit Mirusha duke përdorur makrofitet si bioindikatorë dhe duke matur parametrat fiziko-kimikë në gjashtë pika monitorimi.

Rezultatet identifikuan 53 specie makrofitesh nga 25 familje, ndërsa analizat laboratorike treguan nivele të larta ndotjeje organike dhe ngarkesë të konsiderueshme me lëndë ushqyese, përfshirë BOD, COD, nitrite, nitrate, azot total, amoniak dhe fosfor total.

Studimi evidenton se segmentet e sipërme të lumit (SP1–SP3) janë më të ndotura nga aktivitetet industriale dhe banesore, ndërsa segmentet e poshtme (SP4–SP6) ndikohen nga gastronomia dhe infrastruktura lokale. Gjetjet tregojnë qartë ndikimin e aktivitetit antropogjen në komunitetet bimore ujore dhe nevojën për masa të synuara restauruese për përmirësimin e shëndetit të lumenjve dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Ky publikim thekson angazhimin e UBT në kërkime mjedisore dhe bashkëpunime ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e politikave të qëndrueshme për menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen e ekosistemeve ujore në Kosovë.

Artikulli i plotë mund të gjendet këtu: Springer Link

Continue Reading

Rajoni

Dështon rezoluta në Komision për krerët e UÇK-së, deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen

Published

on

By

Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të RMV-së nuk e miratoi projektrezolutën për respektimin e standardeve në procedurat penale kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, pasi nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje, raporton Zhurnal.

Deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen, duke penguar kështu shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar të Rezolutës. Në seancë morën pjesë vetëm deputetët e Frontit Evropian, VLEN-it, Aleancës për Shqiptarët dhe deputeti Rexhep Ismail nga “E Majta”, përcjell “Alsat”.

Sipas përfaqësuesve të partive politike shqiptare, mungesa e deputetëve maqedonas ishte e qëllimshme. Debati për këtë çështje është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Kujtojmë se anëtar shqiptar me të drejtë vote në këtë komision janë deputetët Merita Koxhaxhiku dhe Skender Rexhepi. Ilire Dauti është zv. anëtare që sot ishte si një nga propozuesit e rezolutës. /Zhurnal MK/

Continue Reading

Lajmet

LDK kundër refuzimit të 21 amandamenteve të propozuara në buxhet

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur indinjatën e saj për refuzimin e 21 amandamenteve që kishte propozuar për buxhetin, gjatë një konference për media.

Shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku, tha se projekti i buxhetit nuk përkrah arsimin, shëndetësinë dhe projektet kapitale si Unaza e Kryeqytetit, ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit dhe digjitalizimi i sistemeve arsimore e shëndetësore. Ajo shtoi se LDK do të insistojë që këto projekte të futen në buxhet.

Deputeti Besian Mustafa vuri në dukje se asnjë nga amandamentet e komunave, përveç buxhetit të Kryeqytetit, nuk janë miratuar, ndërsa deputeti Fadil Hadergjonaj kritikoi moskalimin e amandamentit të tij për punimet në Kompleksin Memorial të Betejës së Kosharës.

LDK deklaron se nuk do të mbështesë buxhetin përderisa nuk përfshin këto projekte kapitale dhe reformuese.

Continue Reading

Të kërkuara