Lajmet

Ç’duhet të bëni kur stresi merr përmasa epike?

Nga Leslie Finlay.

Published

on

Nga Leslie Finlay

Amerika është një vend me një popullsi shumë të stresuar. Sipas Institutit Amerikan të Stresit, edhe para pandemisë 94 për qind e punonjësve, thanë se ndiheshin rregullisht të stresuar. Dhe së fundmi, Shoqata Psikologjike Amerikane raportoi se stresi kolektiv i vendit ka arritur nivele alarmante.

Të gjithë prekemi ndonjëherë nga një gjendje e tillë, por ndjenja e vazhdueshme dhe kronike e shqetësimit dhe e mbingarkesës psikologjike, mund të çojë në një ezaurim nervor, gjë që mund të ketë pasoja të rënda. “Zakonisht, ezaurimi nervor përkufizohet si një gjendje ekstreme e tendosjes psikologjike” thotë Jaung Ah Park, profesor i asociuar në Shkollën e Punës dhe Marrëdhënieve të Punësimit në Universitetin e Ilinoisit.

Ajo është një përgjigje ndaj përballjes me faktorë të stresit që janë kronikë, zgjasin në kohë, dhe që shtrihen përtej aftësive tuaja ose burimeve të disponueshme për t’i kapërcyer. Për shkak se shumë nga ne ndihen shpesh të stresuar, mund të jetë e vështirë të dallohet se kur është kapërcyer kufiri maksimal.

Ezaurimi nervor i vërtetë ndryshon nga ndjenja e mbi-stresit. Majkëll Leiter, profesor i psikologjisë në Universitetin Akadia në Nova Scotia, shpjegon ”Ezaurimi nervor kombinon tre dimensione kryesore:lodhjen e madhe fizike, ndjenjën e cinizmit dhe një ndjenjë dekurajimi”.

Të ndjerit i rraskapitur sapo nis punën është një alarm i kuq. Më pas kjo lloj lodhje evoluon në ndjenja të tilla si pesimizmi dhe tërheqja nga jeta e përditshme “duke u bërë i ndrojtur dhe cinik për punën që dikur e donit, por ndiheni kështu edhe ndaj njerëzve për të cilët supozohet të interesoheni”.

Kjo është faza përfundimtare e ezaurimit nervor, por duhet ende pak kohë për të arritur në atë pikë. “Në fillim, mund të përjetoni një lloj hiperaktiviteti. Prandaj përpiqeni të menaxhoni faktorët e stresit duke punuar furishëm për t’i reduktuar ata” thotë Emili Balsetis, profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Nju Jorkut.

Por fatkeqësisht, kjo lloj sjellje mund të kontribuojë në bërjen e gabimeve, humbjen e përqendrimit apo edhe fillimin e ndjenjës së pavarur emocionale. Dhe që të gjitha këto i hapin rrugën zhvillimit të problemeve më kronike. Të jetosh me një nivel stresi të vazhdueshëm, mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë modelet problematike të gjumit, problemet e tretjes, dhe madje një rrezik më të madh për depresion, probleme të zemrës, diabet dhe shtim në peshë thotë Balsetis.

Një studim i botuar në “Journal of Psychosomatic Research”, zbuloi se njerëzit që përjetojnë kronikisht ezaurim nervor janë 35 për qind më të rrezikuar nga vdekja e hershme. Ndaj para se stresi në jetën tuaj të rritet në atë nivel, ekspertët rekomandojnë disa hapa pro–aktivë që mund të ndërmerrni për ta parandaluar atë gjendje:

Kërkoni domethënien e punës që bëni

Ne mund ta tolerojmë më gjatë stresin që përjetojmë, nëse besojmë se po bëjmë diçka të qëllimshme dhe të vlefshme. Balsetis thotë se kemi më shumë gjasa të përjetojmë stres kronik, që çon më pas tek ezaurimi nervor, kur diçka duket jashtë kontrollit tonë, kundër vullnetit tonë, apo kur është tërësisht e pakuptimtë.

Përpiquni të identifikoni mënyrat përmes të cilave edhe detyrat tuaja më të vogla të përditshme kontribuojnë në jetën e të tjerëve. “Bëni një bilanc të asaj që është në pjatën tuaj. Në rast se keni mundësi, shkurtoni ose transferoni një ose dy nga ato gjëra që nuk ju japin personalisht kuptim”-shprehet Balsetis.

Kërkoni kuptim tek gjërat që bëni jashtë punës

Nëse po përpiqeni ta bëni sa më kuptimplotë punën tuaj, shumë e dobishme mund të jetë vendosja e prioriteve të jetës jashtë punës. Hulumtimet e botuara në “BMC Medicine” tregojnë se njerëzit më të prirur të përjetojnë një ndjenjë më të madhe angazhimi kur janë në punë, janë ata që kanë një hobi.

Mundohuni të ndani punën nga familja/jeta e jashtme

Sot kur ka një mjegullim të dukshëm të mes punës dhe kohës së lirë, Park këshillon të çaktivizoni njoftimet e postës elektronike të punës në telefonin tuaj, të përdorni llogari të veçanta të postës elektronike për punën dhe jetën personale, si dhe të vendosni kufij – fizikë dhe kohorë – midis punës dhe jetës personale, sidomos nëse punoni nga shtëpia.

Mos e neglizhoni veten

“Neglizhimi i dietës suaj ushqimore apo konsumimi i ushqimeve të shpejta, mund të bëhet një mënyrë për t’u përballur me stresin, por ai do t’i marrë trupit dhe trurit tuaj ushqyesit e nevojshëm për të pasur energjinë e duhur dhe për të rregulluar humorin” thotë Benxhamin Makson, një terapist familjar në Kaliforni.

Sipas tij aktiviteti fizik është thelbësor për të larguar hormonet e stresit. “Shumë individë janë më pak aktivë kur janë nën stres, dhe preferojnë të pushojnë shtrirë” thotë Makson. Në fakt lëvizja është përgjigja më e natyrshme evolucionare ndaj stresit të trupit tonë. Ndërsa sot nuk keni nevojë t’i largoheni me vrap një luan në mal, edhe një aktivitet i lehtë fizik ndihmon në “dhënien fund” të ciklit të stresit, duke nxjerrë jashtë qarkullimit të gjakut hormonet e stresit.

Kuptojeni në kohë kur stresi ka arritur në nivele alarmante

Flisni me eprorët tuaj kur mendoni se puna juaj duhet të jetë më e menaxhueshme, shpërblyese dhe nën kontrollin tuaj. “Është shumë e zakonshme që eprorët të vazhdojnë të shtojnë detyrat me kalimin e kohës”- thotë Makson, duke shtuar se nëse nuk i komunikojmë nevojat ose kufizimet tona, ato mund të anashkalohen.

Nëse nuk prisni që gjërat të përmirësohen, mendoni të ndryshoni punë apo edhe karrierë.
Për infermieren Uendi Rejnolds, drejtoreshë e një njësie të kujdesit intensiv spitalor (ICU) në Pensilvani, stresi ka qenë një pjesë e përhershme e punës. Më pas erdhi pandemia dhe stresi u rrit në një nivel krejtësisht të ri.

“Nuk flija dot, kisha gjithmonë dhimbje koke, isha gjithnjë në ankth dhe e shqetësuar për gjithçka. E dija se duhej të largohesha prej andej” kujton ajo. Uendi e kuptoi se puna në krye të ICU ishte bërë shumë stresuese. Ajo e zgjidhi problemin e saj të ezaurimit nervor, duke kaluar në një rol administrativ, ku ka mundësi mund të menaxhojë balancën e saj punë-jetë, ndërsa ka ende një karrierë që përputhet me pasionin e saj për kujdesin shëndetësor klinik.

“Më pëlqen puna ime e re. Tani kam mundësi të shoh më shpesh familjen time, dhe mund të përdor aftësitë e mia profesionale për të ndihmuar drejtuesit në spitale të tjera që të përmirësojnë ecurinë e punës për stafin e tyre” thotë ajo. Nëse ndiheni të ezauruar, terapia mund t’ju ndihmojë të menaxhoni stresin e lidhur me punën dhe të mësoni strategjitë e përballimit. Po ashtu, ajo mund t’ju mësojë të komunikoni me punëdhënësin tuaj dhe të vendosni kufij të shëndetshëm. Makson thotë se terapia konjitive e sjelljes është veçanërisht efektive për trajtimin e rasteve të ezaurimit nervor në vendin e punës./bota.al

Vendi

Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.

“Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin
brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij
Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja
e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të
zhvillohen brenda 45 ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66
[Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në vendim.

Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë./REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës

Published

on

By

Media shtetërore iraniane, Press TV, duke cituar një “zyrtar të lartë të sigurisë politike”, njoftoi se Irani ka hedhur poshtë një propozim të Shteteve të Bashkuara që synonte përfundimin e konfliktit aktual, raporton BBC.

Megjithëse burimi mbetet anonim, raportohet se qëndrimi zyrtar i Teheranit është i prerë: “Irani do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe kur të plotësohen kushtet e tij.” Zyrtarët iranianë kanë theksuar vazhdimisht se kërkojnë një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.

Pesë kushtet e Iranit

Sipas raportimeve, pala iraniane ka paraqitur pesë kërkesa kyçe për arritjen e një marrëveshjeje:

  1. Ndalimi i plotë i agresionit: Pushimi i menjëhershëm i të gjitha sulmeve dhe atentateve nga ana e armikut.
  2. Garanci sigurie: Krijimi i mekanizmave konkretë që sigurojnë që lufta të mos i imponohet përsëri Republikës Islamike.
  3. Dëmshpërblimet: Pagesa të garantuara dhe të përcaktuara qartë për dëmet e luftës dhe reparacionet.
  4. Zgjidhja rajonale: Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në rajon.
  5. Sovraniteti detar: Njohja ndërkombëtare dhe garancitë mbi të drejtën sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të vijuar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, Teherani i ka cilësuar propozimet amerikane si “të tepërta” dhe të papranueshme në formën e tyre aktuale. /BBC/

 

Continue Reading

lajme

Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.

Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.

Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.

Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.

Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.

Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.

 

Continue Reading

Lajmet

Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT

Published

on

By

Zhvillimi i shpejtë i industrisë së medias dhe kërkesat e vazhdueshme të tregut në Kosovë kanë rritur nevojën për profesionalizëm në fushën e komunikimit dhe multimedias.

Programi Media dhe KomunikimUBT është ndërtuar si një mundësi e mirë që bashkon mësimet teorike me punën praktike, duke u ofruar studentëve aftësitë e duhura për të punuar në fusha të ndryshme pas diplomimit.

Ky program trevjeçar është i fokusuar në këto pika kryesore: zhvillimin e aftësive për intervistim dhe shkrim mediatik, njohuritë mbi funksionimin e gazetarisë moderne, si dhe zbatimin e etikës profesionale në gazetari.

Programi është i krahasueshëm me planet mësimore të universiteteve të njohura në Prishtinë, Tiranë, Zagreb dhe Paris, duke garantuar kështu një nivel cilësor të edukimit.

Një lehtësim i rëndësishëm për studentët e rinj është se kushdo që regjistrohet në këtë drejtim përfiton bursë prej 20% për të tri vitet e studimit, gjë që ndihmon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e studimeve të tyre.

Përmes detyrave individuale dhe projekteve në grup, studentët mësojnë si të punojnë në mjedise të ndryshme, si të krijojnë strategji për marketingun digjital dhe si të nisin bizneset e tyre mbi baza të shëndosha profesionale.

Ky drejtim synon të plotësojë mungesën e gazetarëve dhe ekspertëve të komunikimit në vend, duke u dhënë mundësi studentëve që gjithçka që mësojnë në ligjërata ta ushtrojnë përmes praktikës në institucione shtetërore, publike dhe private

Continue Reading

Të kërkuara