Lajmet

Burokraci me Ballkanin Perëndimor

Cili ishte qëllimi i saktë i samitit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor?

Published

on

Duket se ngjarje si këto po bëhen burokraci e rregullt për Brukselin, ashtu si shumë gjëra të tjera që po përpiqet t’i bëjë këto ditë në fushën e gjeopolitikës.

Samiti ka siguruar një platformë për të treguar gjërat që BE-ja po u dhuron gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë të anëtarësohen në bllok. Por, në fund, ai gjithashtu ka treguar se sa jofunksional është bërë blloku dhe se anëtarësimi në BE për vendet e Ballkanit nuk është gjë tjetër, veçse një ëndërr.

Diplomatët e BE-së natyrisht se do të protestonin me zemërim ndaj një përshkrimi të tillë.

Dhe, për të qenë të sigurt, ata mund të përmendin disa shembuj konkretë për të gjitha gjërat që janë arritur në takimin në Slloveni, më 6 tetor.

Për shembull, takimet që janë mbajtur në margjina të samitit. Keni parë që presidenti i Francës dhe kancelarja gjermane kanë biseduar me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, për të treguar se marrëdhëniet Beograd-Prishtinë preokupojnë nivelet më të larta të diplomacisë evropiane.

Ngjashëm, një takim midis udhëheqësve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, së bashku me dy presidentët e BE-së, mund të jetë një tregues i vërtetë se udhërrëfyesi për të zhbllokuar veton e Sofjes ndaj bisedimeve të anëtarësimit të Shkupit në BE, mund të aktivizohet.

Pastaj, ka edhe shembuj të tjerë konkretë në deklaratën që kanë prodhuar zyrtarët e BE-së pas disa javësh bisedime në Bruksel, që janë zhvilluar përpara samitit.

Në të mund të lexoni për rreth 30 miliardë euro që BE-ja do t’i investojë në Ballkanin Perëndimor gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, për 2.9 milionë dozat e vaksinës kundër koronavirusit që Brukseli u ka dhënë gjashtë vendeve dhe për angazhimin në “përcaktimin e objektivave të qarta për uljen e kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Deklarata gjithashtu premton se samiti i ardhshëm do të mbahet vitin e ardhshëm.

Megjithatë, ka diçka shqetësuese në këtë që duhet t’i zemërojë vendet në rajon. Ata takohen me homologët e tyre në BE më shpesh – kjo është ngjarja e tretë e nivelit të tillë të lartë në katër vjetët e fundit. Megjithatë, këto takime ofrojnë pak gjëra të vlefshme për gjërat thelbësore.

E vërteta e hidhur është kjo: samiti i parë BE – Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Selanik në vitin 2003, ka qenë deri më tash më ambiciozi, me një deklaratë që thoshte se “e ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian” dhe se “përgatitja për integrimin në strukturat evropiane dhe anëtarësimin përfundimtar në BE, përmes miratimit të standardeve evropiane, është tani sfida e madhe përpara”.

Samiti tjetër i tillë është mbajtur 15 vjet më vonë, në vitin 2018, dhe papritmas është bërë një premtim për organizimin e tubimeve vjetore, por pa një gjuhë që i çon gjërat përpara.

Deklarata e këtij viti thotë se “BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimeve të marra për të, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave”.

Diplomatët e BE-së që duan ta shohin rajonin në BE po festojnë për faktin që fjala “zgjerim” është përfshirë në tekst. Ky është niveli i ambicieve tani.

Dhe, për të qetësuar skeptikët e zgjerimit, si: Danimarka, Franca dhe Holanda, është shtuar gjithashtu një fjali që thotë: “Ne gjithashtu kujtojmë rëndësinë që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar kapacitetin për të integruar anëtarë të rinj”.

Kjo, në thelb, është një gjuhë diplomatike që do të thotë: “Ne kemi shumë çështje të brendshme të BE-së për t’i trajtuar tani, kështu që ju lutemi mos na shqetësoni duke pyetur për anëtarësimin”.

Nuk është çudi që një propozim i mëhershëm i presidencës sllovene të BE-së për të shtuar një lloj orari për anëtarësimin e gjashtë vendeve, është hedhur poshtë menjëherë.

Ka mjaftuar të ndiqen hapat e liderëve të BE-së përpara takimit dhe konferenca për shtyp pas samitit.

Gjysma e pyetjeve të gazetarëve – pothuajse të gjithë nga vende të ndryshme të BE-së – nuk kanë qenë për Ballkanin Perëndimor.

Ata janë dukur më të interesuar për darkën që krerët e BE-së kanë pasur një natë para samitit, në të cilën kanë diskutuar për rritjen e çmimeve të energjisë, autonominë strategjike të BE-së pas tërheqjes kaotike nga Afganistani dhe çështjen e paktit AUKUS që ende e mundon Parisin.

BE-ja është plotësisht e zënë me veten tani dhe për një të ardhme të parashikueshme Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e asaj harte mendore. Tani për tani do të jetë vetëm një samit vjetor. Ngjashëm sikur mblidhet familja. Por, mos thoni që ata janë pjesë e familjes ose do të jenë ndonjëherë./REL

Continue Reading

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara