Lajmet

Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, Kurti takon Cooper – përmend sulmin terrorist në Banjska

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti u prit sot në takim nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër.

Kurti përkujtoi se përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, përkundër faktit që autori i sulmit terroristi Milan Radoiçiq, ka pranuar përgjegjësinë dhe se lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës.

Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme, tha Kurti.

Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.

Kurti tha se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe mund të ecet drejt integrimit në Aleancën e Veri-Atlantikut./KP

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen mbretërore “Royal Reception” të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër.

Në këtë pritje, përveç Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, Kryeministri Kurti pati mundësinë të bisedojë me Madhërinë e Tij, Mbretin Charles III, kryeministrin e Mbretërisë se Bashkuar, Keir Starmer, si dhe me liderë të tjerë të pranishëm, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e veçantë që lidh Republikën e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe barazisë./EO

Britania e Madhe do të jetë sot nikoqire e mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimin e sigurisë e zgjerimit.

Procesi i Berlinit është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.

Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet për një përafrim më të ngushtë evropian të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Britanisë së Madhe do të punojë me Gjermaninë, si iniciatore e Procesit të Berlinit, mbi prioritetet e përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportimeve, liderët ballkanikë do të priten fillimisht nga kryeministri britanik, Keir Starmer. Më pas, ata do të priten nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Nga ora 15:00 do të nisë seanca plenare me dy panele: njëri me temën “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”, ndërsa paneli tjetër do të trajtojë temat “Zgjerimi, Migracioni dhe Siguria”.

Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri i saj, Edi Rama.

Kryeministri Starmer do të presë udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor si Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe nga shtete partnere të BE-së, përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë, Italinë e Greqinë.

Këtë vit, Samiti zhvillohet në një moment simbolik, pasi përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit dhe 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara.

Përndryshe, Mbretëria e Bashkuar kishte qenë nikoqire e këtij procesi edhe në vitin 2018. /S.K/EO/

Continue Reading

Vendi

Sveçla: Arsenal i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok

Published

on

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjetën në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përmeç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t`i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuar, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sveçla: Armët në veri u gjetën në 12 lokacione, do të përcaktohet përdorimi i tyre

Published

on

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshm eXhelal Sveçla, tha se armatimi në pjesën veriore të vendit është gjetur në 12 lokacione të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tha se këto armë do të ekzaminohen për t’u përcaktuar përdorimi i tyre.

“Armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve tjera kriminale”, tha Sveçla./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mjekësi, Teknologji, Sport: Eksploro Shkencën e Lëvizjes në UBT

Published

on

By

Sporti sot nuk është më vetëm pasion ose garë në terren — është shkencë, teknologji, mjekësi parandaluese dhe industri me zhvillim të pandalshëm. Nëse dëshiron që pasionin tënde për lëvizjen ta shndërrosh në një karrierë elitare me standarde evropiane, Programi Bachelor në Sport dhe Shkenca e LëvizjesUBT është pikënisja jote ideale.

Përmes një ndërlidhje unik mes metodologjive më moderne, laboratorëve të teknologjisë së lartë dhe bashkëpunimit me ekspertë e studiues të njohur evropianë, UBT të përgatit për të qenë një profesionist lider. Ti nuk do të mësosh vetëm se si të trajnosh, por si të kuptosh në detaje fiziologjinë e organizmit të njeriut dhe si ta optimizosh çdo lëvizje.

Ky program të pajis me njohuri të thella teorike dhe praktike, nga menaxhimi i disiplinave të ndryshme sportive e deri te përdorimi i aktivitetit fizik për qëllime rehabilituese e parandaluese. Përmes teknikave të avancuara, ti do të mësosh se si ta përshtatësh ushtrimin fizik për çdo kategori — nga fëmijët dhe sportistët elitarë, e deri te individët me sfida të veçanta shëndetësore.

Inovacioni dhe teknologjia janë në zemër të studimeve të tua. Në UBT do të mësosh të përdorësh të dhënat elektronike, kërkimin shkencor dhe mjetet digjitale për të matur performancën, për të analizuar lëvizjet dhe për të hartuar programe fitnesi që sjellin rezultate maksimale e të sigurta.

Përveç anës fizike e shkencore, programi zhvillon te ti kompetenca kyçe në menaxhimin dhe marketingun sportiv. Ti do të mësosh se si të udhëheqësh projekte, të organizosh burime dhe të zgjidhësh me kreativitet e inovacion sfidat komplekse në industrinë e sportit, rekreacionit dhe kohës së lirë.

Tregu i punës ka nevojë për profesionistë të formuar sipas standardeve evropiane. Pas diplomimit në UBT, ti nuk do të jesh thjesht një i diplomuar në sport, por një specialist i kualifikuar gati për të udhëhequr në klube sportive, qendra rehabilituese, institucione shëndetësore dhe me sipërmarrje personale. E ardhmja e shkencës sportive fillon në UBT.

 

Continue Reading

Vendi

Vuçiq i kërkon NATO-s të ndalë tërheqjen e KFOR-it nga ura në Mitrovicë

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i, misioni i aleancës në Kosovë, të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

“Besoj se vlerësimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s për koment lidhur me kërkesën e Vuçiqit dhe është në pritje të përgjigjes.

Mitrovica, pas luftës së vitit 1999, u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe atë jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Sot ato funksionojnë si dy komuna të ndara.

Megjithatë, që nga përfundimi i luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën mbi Ibër, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Ai tha se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar as mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq tha gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Ulutash u takua më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe që gjithashtu kundërshton zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.

Komandanti i KFOR-it tha atëherë se procesi i optimizimit të pranisë ishte nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe se ai do të zhvillohej gradualisht.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës.

Misioni i NATO-s ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet përkatëse të secilit në fushën e sigurisë.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara