Aktualitet

BQK shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë

Published

on

Përkundër situatës së krijuar nga Pandemia, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nisur organizimet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.

Me gjithë sfidat e vazhdueshme që solli COVID-19, BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe duke pas parasysh se sektori financiar është një ndër kontribuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, Edukimit Financiar po vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë.

Përmes punës dhe angazhimit në avancimin e edukimit financiar, qytetarët kanë arritur të përmirësojnë njohuritë e tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve, sfidave e rreziqeve, përmes marrjes së informacioneve, zhvillimit të aftësive dhe shprehive të tyre për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.

Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale e ndërgjegjësimit për fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që në moshë të hershme të sigurohen, të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare. Kjo fushatë apo aktivitet shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, derisa motoja e kësaj Jave, këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë tua”, e cila përmban një mesazh që vjen si ndikim i pandemisë në të gjithat fushat e jetës.

“Ngritja e numrit të rasteve me Covid-19, posaçërisht javët e fundit, ka ndikuar që të ndryshojmë agjendën tonë të paraparë për këtë Javë dhe t’i përshtatemi respektimit të rregullave të përcaktuara për Pandeminë. Sot do të shënojmë hapjen e kësaj Jave me grupe të vogla nxënësish, të cilët do të vizitojnë BQK-në. Të njëjtit kanë marrë pjesë në garën e BQK-së për Ese, me temën e Edukimit Financiar dhe që janë përzgjedhur si Esetë më të mira, për të cilët do të ndajmë disa çmime simbolike. Pastaj do të vazhdohet gjatë javës me ligjërata e  aktivitete të tjera virtuale në pamundësi të realizimit të aktiviteteve të parapara. Një aktivitet tjetër për të cilin dëshiroj t’i ftoj nxënësit e shkollave të mesme që të marrin pjesë, është që sot ne kemi shpallur një konkurs për Ese me temën e motos së kësaj Jave ”Kujdesu për veten kujdesu për paratë”, i cili do të qëndrojë i hapur për një muaj, ku tri Esetë më të mira do t’i fitojnë 3 çmime. Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar e edukuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka thënë Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti në lansimin e kësaj jave.

BQK-ja nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili tashmë drejtohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). BQK organizon ngjarje e aktivitete të ndryshme me qëllim që të ndikojë në nxitjen e fëmijëve dhe të rinjve që të fitojnë njohuri ekonomike e financiare të cilat do t’ju nevojiten gjatë tërë jetës.

Qëllimi i Programit të Edukimit Financiar të BQK-së është që në aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grup-moshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë. 

Vlen të përmendet një nga projektet konkrete që ka nisur BQK-ja dhe që lidhet me institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar që vjen pas nënshkrimit të memorandumit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në tetorin e vitit të kaluar.

“Po ashtu jemi dakorduar për mundësinë e përfshirjes së edukimit financiar në kurrikulën shkollore dhe konkretisht kemi përgatitur koleksionin prej 5 librash për klasat e I deri V, i cili planifikohet të shpërndahet posa të na lejojnë kushtet e pandemisë dhe  do të mësohen në kuadër të lëndës “Shkathtësi për jetë”. Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulën zyrtare shkollore njihet si një nga mënyrat më efikase, të qëndrueshme, afatgjate dhe të duhura për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare, të mësohen nga një gjeneratë e tërë dhe në nivel vendi. Po ashtu kemi një numër projektesh në proces, për të cilat do të informoheni me kohë, të cilat konsideroj  që do të kontribuojnë në të mirën e qytetarëve dhe në marrjen e vendimeve të duhura financiare kundrejt produkteve dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, dua t’ju informoj që të gjitha aktivitetet materialet dhe konkurset në vazhdimësi i promovojmë edhe në faqen zyrtare apo në rrjetet sociale të BQK-së, andaj i ftoj fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë që të na përcjellin qoftë përmes tyre”, ka thënë tutje Guvernatori Mehmeti.

BQK organizoi një ngjarje me rastin e hapjes së Javës së parasë për vitin 2021, ku ndau çmimet për nxënësit fitues të garës për Esenë më të mirë për Edukim Financiar. Konkursi ka qenë i dedikuar për nxënësit e shkollave fillore, konkretisht klasa VI deri IX dhe janë ndarë gjithsej 10 çmime. Nxënësit fitues të këtyre çmimeve janë si ne vijim:

Çmimi i parë: Qëndresa Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin ,Zveçan; Çmimi i dytë: Erona Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin, Zveçan; Çmimi i tretë: Erina Musliu,  klasa IX/4, SHFMU  “Mihal Grameno”, Fushë Kosovë; Çmimi i katërt: Enda Imeri, klasa VIII/1, SHFMU “Ibrahim Rugova”, Podujevë, Çmimi i pestë: Erdonit Jusufi, klasa VII, SHFMU “Dëshmorët e Kombit”, Lagjja Malësia, Kamenicë; Çmimi gjashtë: Adora Alidemaj, Klasa VIII B, Shkolla ISP (International School of Prishtina), Prishtinë, Çmimi i shtatë: Era Xërxa, klasa VII/2, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë, Çmimi i tetë: Ema Boqolli, klasa VII/3, SHFMU “Asdreni”, Pejë, Çmimi i nëntë: Hena Perjuci, klasa VIII/1, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë,  Çmimi i dhjetë: Etrid Thaçi, klasa IX, SHFMU “Metush Krasniqi”, fshati Rogoçicë, Kamenicë.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, fton nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për esenë më të mirë në fushën e financave dhe ekonomisë.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.

Continue Reading

lajme

Interesim rekord për drejtimin e Teknikut të Laboratorit Mjekësor në UBT International Smart Schools – profesionet e së ardhmes po zgjedhen sot

Published

on

By

Interesimi i të rinjve për regjistrimin në drejtimin Teknik i Laboratorit Mjekësor në UBT International Smart Schools ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar këtë program në një nga drejtimet më të kërkuara për vitin e ri shkollor.

Kërkesa e lartë reflekton besimin në cilësinë e arsimit që ofron UBT International Smart Schools, e cila është forcuar edhe më tej pas akreditimit të plotë ndërkombëtar nga Cambridge International Education.

Një nga arsyet kryesore që ky drejtim po tërheq një numër kaq të madh të nxënësve është modeli unik i mësimit, i cili ndërthur përgatitjen teorike me praktikën profesionale. Nxënësit e drejtimit Teknik i Laboratorit Mjekësor zhvillojnë praktikën profesionale në United Hospital, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë në një ambient real shëndetësor dhe duke u njohur me standardet bashkëkohore të punës në laboratorët mjekësorë.

Në një kohë kur teknologjia po transformon diagnostikën dhe shërbimet laboratorike, UBT International Smart Schools ka ndërtuar një program modern, i cili kombinon shkencat mjekësore me teknologjinë informative, duke përgatitur nxënësit për sfidat reale të profesionit që në bankat e shkollës.

Përveç njohurive profesionale në laboratorinë mjekësore, nxënësit zhvillojnë kompetenca të avancuara digjitale, duke mësuar të krijojnë dhe menaxhojnë baza të të dhënave, të analizojnë informacione, të përdorin sisteme moderne informatike, si dhe të ndërtojnë aplikacione dhe ueb-faqe funksionale. Programi përfshin përdorimin e teknologjive bashkëkohore për menaxhimin e të dhënave laboratorike, dizajnimin e bazave relacionale të të dhënave, krijimin e pyetësorëve, raporteve dhe formave për analizimin e informacionit, si dhe zhvillimin e aftësive në dizajnimin dhe publikimin e ueb-faqeve.

Mësimi zhvillohet në laboratorë modernë të pajisur me teknologjinë më të avancuar, ku nxënësit punojnë me kompjuterë, pajisje laboratorike dhe platforma profesionale, duke fituar përvojë praktike që i përgatit për studime universitare dhe për tregun e punës.

Krahas aftësive teknike, programi zhvillon edhe kompetenca të domosdoshme të shekullit XXI, si komunikimin efektiv, bashkëpunimin në grup, mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve, hulumtimin, analizimin dhe përpunimin e të dhënave, duke krijuar profesionistë të kompletuar për sektorin e shëndetësisë dhe teknologjisë.

Interesimi i madh i prindërve dhe nxënësve dëshmon se zgjedhja e një profesioni me perspektivë fillon që në arsimin e mesëm. Drejtimi i Teknikut të Laboratorit Mjekësor në UBT International Smart Schools ofron një rrugë të qartë drejt studimeve universitare në fushat e mjekësisë, laboratorisë, biokimisë, farmacisë dhe shkencave shëndetësore, duke u mundësuar nxënësve të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më të kërkuar të kohës.

Vendet janë të limituara andaj nxitoni të siguroni vendin Tuaj në UBT International Smart Schools!

Continue Reading

Vendi

Kusari-Lila: Çmimet e derivateve mund të bien, por jo në mënyrë të ndjeshme

Published

on

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë ulje në ditët në vijim, por rënia pritet të jetë e vogël.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ajo tha se importi i naftës ka shënuar një rënie të lehtë dhe, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë ulje prej një deri në dy centë për litër.

Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI po shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për operatorët e derivateve, duke vlerësuar se kjo masë ka ndihmuar në frenimin e rritjeve të menjëhershme të çmimeve.

Sipas saj, pa këtë masë, çmimi i naftës mund të ishte edhe më i lartë, për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit veror dhe numrit më të madh të automjeteve që hyjnë në Kosovë.

Ajo tha se ministria po shqyrton edhe ndryshimin e mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve, ndërsa paralajmëroi takim me përfaqësuesit e naftarëve, të cilët kanë kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit.

Kusari-Lila theksoi se vendimi duhet të balancojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesat e bizneseve të këtij sektori./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Fakulteti Arti dhe Mediat Digjitale në UBT organizoi ekspozitën artistike “Buoyant”, një reflektim mbi marrëdhënien mes natyrës dhe botës digjitale

Published

on

By

Fakulteti Arti dhe Mediat Digjitale në UBT organizoi ekspozitën artistike “Buoyant”, një ngjarje që solli së bashku artin bashkëkohor, dizajnin dhe teknologjinë në një hapësirë unike pranë Liqenit të Batllavës. Aktiviteti ofroi një përvojë artistike që ndërthuri peizazhin natyror me instalacionet dhe konceptet vizuale të krijuara nga studentët dhe stafi akademik.

Ekspozita “Buoyant” u ndërtua mbi idenë e eksplorimit të hapësirës ndërmjet natyrës dhe artificiales, aty ku kufijtë bëhen gjithnjë e më të paqartë dhe realitetet ndërthuren. Përmes veprave artistike, formave digjitale dhe interpretimeve kreative, pjesëmarrësit u ftuan të reflektojnë mbi mënyrën se si teknologjia, mjedisi dhe identiteti njerëzor bashkëjetojnë në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Koncepti i ekspozitës trajtoi tema aktuale si transformimi i peizazheve, ndikimi i teknologjisë në perceptimin e realitetit, identitetet në evolucion dhe aftësia e njeriut për t’u përshtatur me ndryshimet e pandërprera. Përmes një qasjeje multidisiplinare, studentët shpalosën vizionin e tyre artistik duke kombinuar elemente të artit vizual, dizajnit dhe mediave digjitale.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital fuqizon Kardiokirurgjinë me Dr. Sulejman Kusin, ekspertizë ndërkombëtare dhe standarde moderne për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Published

on

By

Prishtinë – Në një kohë kur sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të mbeten ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore, investimi në ekspertizë mjekësore dhe teknologji bashkëkohore është bërë një domosdoshmëri. Duke ndjekur këtë vizion, United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e tij klinike, duke konsoliduar Departamentin e Kardiokirurgjisë me ardhjen e Dr. Sulejman Kusit, specialist i kardiokirurgjisë me përvojë profesionale dhe trajnim të avancuar në qendra të njohura mjekësore në Samsun dhe Stamboll, Turqi.

Ky angazhim përfaqëson një tjetër hap në zhvillimin e shërbimeve të specializuara të spitalit, me synimin për t’u ofruar pacientëve kujdes kirurgjikal modern, të sigurt dhe të bazuar në praktikat më të avancuara të mjekësisë bashkëkohore. Duke investuar vazhdimisht në teknologji diagnostikuese, infrastrukturë moderne dhe staf të kualifikuar, United Hospital synon të krijojë një qendër referuese për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive komplekse të zemrës.

Në kuadër të Departamentit të Kardiokirurgjisë, Dr. Sulejman Kusi ofron një gamë të gjerë shërbimesh specialistike, duke filluar nga konsultat dhe vlerësimet paraoperative, deri te ndërhyrjet më të ndërlikuara kardiokirurgjikale.

Procesi i trajtimit fillon me vizitat specialistike dhe vlerësimin multidisiplinar, ku pacienti vlerësohet nga një ekip i përbërë nga kardiokirurgu, anesteziologu dhe specialistë të tjerë përkatës. Ky model bashkëpunimi mundëson planifikim të individualizuar të trajtimit dhe përgatitje optimale për çdo ndërhyrje kirurgjikale.

Në fushën e kirurgjisë së arterieve koronare, pacientëve u ofrohen procedura moderne të bypass-it aortokoronar, si me qarkullim ekstrakorporal (On-Pump CABG) ashtu edhe pa të (Off-Pump CABG), si dhe teknika të avancuara të revaskularizimit arterial dhe venoz të miokardit, me synimin për të përmirësuar furnizimin me gjak të muskulit të zemrës dhe cilësinë e jetës së pacientit.

Një tjetër segment i rëndësishëm përfshin kirurgjinë e valvulave të zemrës, ku realizohen ndërhyrje për zëvendësimin dhe riparimin e valvulave aortale, mitrale dhe trikuspidale, trajtimin kirurgjikal të endokarditit infektiv, si dhe procedura hibride në bashkëpunim me ekipin e kardiologjisë intervenuese.

Departamenti ofron gjithashtu kirurgji minimale invazive, duke përdorur teknika moderne me prerje më të vogla kirurgjikale, të cilat synojnë reduktimin e traumës operative, rikuperim më të shpejtë dhe rezultate më të mira funksionale për pacientët. Në këtë kategori përfshihen procedura të avancuara si ablacioni kirurgjikal i fibrilacionit atrial (Maze Procedure), rekonstruksioni kirurgjikal i ventrikulit të majtë (Dor Procedure) për pacientët me insuficiencë të avancuar kardiake, si dhe miektomia septale për trajtimin e kardiomiopatisë hipertrofike obstruktive.

United Hospital

Ekspertiza e Dr. Kusit shtrihet edhe në trajtimin e sëmundjeve të aortës, përfshirë riparimin dhe zëvendësimin e aneurizmave, trajtimin kirurgjikal të diseksioneve akute dhe kronike të aortës, si dhe korrigjimin e defekteve kongjenitale të zemrës tek pacientët e rritur.

Për pacientët me patologji komplekse, United Hospital ofron edhe procedura të kombinuara, ku ndërhyrjet koronare, valvulare dhe aortike realizohen në të njëjtën seancë operative, përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet kardiokirurgut, kardiologut, anesteziologut dhe ekipit multidisiplinar.

Filozofia e United Hospital mbështetet në ofrimin e kujdesit shëndetësor të bazuar në evidencë shkencore, inovacion teknologjik dhe standarde të larta profesionale, duke e vendosur pacientin në qendër të çdo vendimmarrjeje klinike. Investimet e vazhdueshme në teknologji, aparatura moderne dhe burime njerëzore të specializuara e kanë bërë spitalin një adresë të rëndësishme për trajtimin e patologjive komplekse në Kosovë.

“Zemra juaj meriton kujdesin e profesionistëve” mbetet filozofia që udhëheq këtë shërbim, duke synuar diagnostikim të hershëm, trajtim kirurgjikal cilësor dhe rikthim të sigurt të pacientëve në jetën e tyre të përditshme.

Për informata shtesë dhe rezervimin e një vizite ose konsulte kardiokirurgjikale me Dr. Sulejman Kusin, pacientët mund të kontaktojnë United Hospital në numrat:

📞 038 60 70 70 | 046 60 70 70

📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Continue Reading

Të kërkuara