Lajmet

Bosch në përkrahje të protestës: Gjykata Speciale është jo transparente, nuk është dashur të themelohej

Published

on

Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.

Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, por ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Së fundmi, është raportuar se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente si prova nga Serbia e kjo vetëm sa ka rritur reagimin në Kosovë për një gjykatë që vazhdimisht kritikohej për njëanshmëri dhe jo transparencë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbledh sot në orën 17:00 ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë në një protestë në Prishtinë të cilën ka thënë se po e organizon kundër padrejtësisë që vlerëson se po i bën Gjykata Speciale në Hagë.

Për ish-ambasadorin holandez në Kosovë, protesta të tilla duhet të mbahen.

Para së gjithash, mendoj se është mirë të bëhet një protestë, për sa kohë që bëhet me dinjitet, pa dhunë dhe pa slogane të këqija. Por fakti që ka një protestë është, sigurisht, diçka e pranueshme, sepse ajo që po ndodh ngadalë por sigurt është bërë qesharake. Kjo gjykatë është totalisht jotransparente. Askush nuk e di çfarë po bën. Supozohet të jetë një gjykatë e Kosovës, dhe nuk lejohen asnjë kosovar të jetë aty, përveç të akuzuarve. Pra është pak e çuditshme për një gjykatë të Kosovës. Kushton një sasi të jashtëzakonshme parash”, thotë ish-diplomati holandez.

Bosch thekson se procesi i themelimit të kësaj gjykate është dashur të ndalet që në fillim kur u rrëzuan pretendimet për trafikim organesh.

Dhe, po, nuk është dashur të themelohej fare, sepse u themelua për shkak të këtij trafikimi të organeve. Por kur Williamson, pas hetimeve, vendosi dhe pa që nuk kishte fare trafikim organesh, se ishte një histori e trilluar nga serbët, atëherë sigurisht është dashur të ndalej, sepse kjo ishte arsyeja e vetme pse u krijua kjo gjykatë. Pra është shumë e çuditshme që vazhdoi megjithatë. Dhe tani këta njerëz po qëndrojnë në burg, nuk e di sa vite janë bërë tashmë. Është, sigurisht, qesharake. Është dashur të ndalej atëherë. Dhe nëse ka ndonjë gjë, njerëzit është dashur të gjykohen në Kosovë”, thotë ai.

Ai që njihet si gjyqi i madh në Hagë – procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është drejt fundit. Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj, ndërkaq dëshmitarët e mbrojtjes pritet të dëgjohen nga mesi i shtatorit.

ZPS-ja e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës, ka thënë se ish-eprorët e UÇK-së kanë qenë pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjithsesi, nuk është dashur të themelohej [Gjykata Speiale]. Dhe për këtë arsye, sigurisht, është mirë të protestohet. Është gjithashtu shumë e gabuar ta quash UÇK-në një organizatë kriminale, sepse, sigurisht, nuk është ashtu. Por unë isha gjithashtu i përfshirë personalisht gjatë luftës së Kosovës. Dhe në atë kohë, UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, sepse ne nuk kishim njerëz në terren. Ata punonin për ne, për NATO-n. Dhe unë e di këtë, sepse isha i përfshirë. Pra të thuash tani që ata janë një organizatë kriminale, atëherë ne kemi punuar me një organizatë kriminale, [ne] NATO. Gjithsesi, shpresoj që protesta të jetë, sërish, dinjitoze, paqësore, por që njerëzit duhet, sigurisht, të shohin që kjo çështje duhet të marrë fund”, thotë ish-ambasadori Bosch.

Dhomat e Specializuara, që në publik njihen si Gjykata Speciale, financohen prej Bashkimit Evropian por me kontribute edhe nga shtete të tjera, në mesin e tyre edhe Shtetet e Bashkuara, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja e Turqia.

Ndërkombëtarët kanë vendosur diçka. Dhe, po, kanë marrë një vendim të gabuar. Dhe nuk do ta pranojnë lehtë që kanë marrë një vendim të gabuar. Mënyra e vetme që kjo mund të ketë ndikim është nëse z. Trump thotë diçka, sepse kam dëgjuar që edhe z. Grenell e ka thënë njëherë që kjo gjykatë është qesharake. Pra ata janë të vetmit që mund të thonë me të vërtetë që kjo gjykatë duhet ndalur. Dhe për këtë arsye, sigurisht, protesta mund të jetë e mirë. Por duhet të jenë amerikanët që e marrin këtë çështje seriozisht”, shton Bosch.

Përveç Thaçit dhe të tjerëve, në Hagë janë zhvilluar edhe raste të tjera për krime të pretenduara të luftës dhe janë shpallur aktgjykime fajësie ndaj Salih Mustafës e Pjetër Shalës. Specialja ka trajtuar raste edhe për pengim të drejtësisë. Madje, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është ngritur edhe një aktakuzë e re me pretendimet se ka tentuar të pengojë drejtësinë.

Vendi

Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës

Published

on

By

Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.

Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.

Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.

Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.

Continue Reading

Lajmet

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Published

on

By

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.

Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.

Continue Reading

Të kërkuara