Lajmet

Borrell: Dialogu Serbi – Kosovë do të vazhdojë kur të jetë gati pala kosovare, e cila ka kërkuar kohë për t’u parapërgatitur

Published

on

Për herë të parë pas dy vjetësh Ballkani Perëndimor ishte të hënën, 10.05.2021, në agjendën e Këshillimit të BE-së për Çështje të Jashtme. Për të ngarkuarin e Lartë të BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, dhe shumë kolegë të tij nga vendet anëtare, kritikat ndaj këtij fakti janë të drejta:

 Sepse “Ballkani Perëndimor është një rajon kyç me rëndësi gjeostrategjike në Evropë dhe për Evropën”, argumentoi politikani 74-vjeçar në konferencën e shtypit në Bruksel. “Nuk do të presim më dy vjet, madje as dy muaj derisa ta rikthejmë Ballkanin Perëndimor në agjendën e BE-së”, premtoi ai.

Lista e problemeve të lidhura me Ballkanin Perëndimor është jo e vogël: zgjerimi, e i lidhur me të hapja e konferencave të para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe vazhdimi i negociatave me Serbinë e Malin e Zi, dhe çështjet e pazgjidhura ndëretnike në Bosnjë-Hercegovinë dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Ministrat e rikonfirmuan edhe një herë zotimin e tyre për perspektivën evropiane të këtyre vendeve, siç tha Borrell. Ata u zotuan se do të angazhohen për çeljen sa më shpejt të konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Por Borrell nuk e mohoi se është i shqetësuar për mosmarrëveshjet aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Ne i inkurajojmë këto dy vende të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për konfliktin e tyre”.

Borrell theksoi edhe njëherë domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpjegoi se dialogu Serbi – Kosovë do të vazhdojë kur të jetë gati pala kosovare, e cila ka kërkuar kohë për t’u parapërgatitur.

Ndryshe nga ç’ishte paralajmëruar më parë në media, Borrell tha se nuk ka plane për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Më parë komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi, ishte shprehur për mundësinë e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, meqë Bullgaria po e bllokon aktualisht fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Edhe ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas më parë e kishte hedhur poshtë idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.Edhe deputetja gjermane e Bundestagut, Renata Alt, liberalët, u prononcua kundër shkëputjes së dy vendeve dhe paralajmëroi që Shqipëria të mos dalë para Maqedonisë së Veriut.

Çështja e Maqedonisë së Veriut do të jetë në agjendën e ministrave të Evropës të martën, më 11.05.21. Para nisjes së tij në Bruksel, ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, tha se të dy vendet i kanë plotësuar kushtet për hapjen e konferencave ndërqeveritare dhe se me to duhet filluar sa më shpejt.

Kthimi i Ballkanit Perëndimor në agjendën  e ministrave të jashtme në BE vjen pas ankimeve të disa liderëve të Ballkanit Perëndimor për ndihmën e vonuar.

Duke aluduar për diplomacinë e vendeve të tjera me anë të vaksinës, Borrell kujtoi se vaksinat e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë dhuratë, jo me pagesë, dhe jo të kushtëzuara.

Bashkimi Evropian i ka premtuar Ballkanit Perëndimor deri në fund të muajit qershor nëpërmjet nismës Covax deri tani 1 185 340 vaksina. Një pjesë e mirë e tyre tashmë ka mbërritur në rajon.

Javën e ardhshme (18.05.21) liderët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar të shkojnë në Bruksel për një darkë joformale për të këmbyer opinionet e tyre në lidhje me zhvillimet aktuale në rajon. Borrell tha se pret nga shtetet  anëtare të dalin me propozime të reja për ta bërë më të dukshëm angazhimin politik të BE-së në rajon.

Një sërë ministrash të jashtëm të vendeve anëtare, si suedezja, Ann Linde, estonezja, Eva-Maria Liimets, apo sllovaku, Ivan Korčok, ishin shprehur qysh në fillim të takimit për rëndësinë e veçantë të rajonit. “Ne duhet të kemi në kujdes strategjik për rajonin”, tha Korčok. “Për fat të keq, gjatë dhjetë viteve të kaluara kemi qenë të përqendruar te zgjerimi. Kjo është diçka shumë e mirë, tha ai, por ne nuk duhet të humbasim vëmendjen në teknikalitete, e të harrojmë zemrat e njerëzve nga Ballkani Perëndimor,të cilët të ardhmen e tyre e shohin në BE.”/DW

Lajmet

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Lajmet

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara