Lajmet

Borrell bën thirrje për uljen e tensioneve

Ai deklaroi se dhuna në veri të Kosovës është “e papranueshme”.

Published

on

Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i bllokut evropian, Josep Borrell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke shtuar se dhuna në veri të Kosovës është “e papranueshme”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian i bëri këto komente para një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut që po mbahet në Bruksel, teksa u kërkoi palëve që t’i kthehen dialogut.

“Ata duhet t’i kthehen dialogut. Ata duhet ta tejkalojnë këtë tendencë të konfliktit në rrugë, krijimin e bllokadave. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet marrëveshja. Kjo nuk është mënyra se si zhvillohen bisedimet. Kjo nuk është mënyra se si kërkohet zgjidhja, se si kërkohet normalizimi i raporteve përmes procesit në të cilin ata janë angazhuar”, tha Borrell.

Ditëve të fundit, tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe janë rritur, me serbët që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar prezencën e saj në këtë pjesë të shtetit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka qenë cak i disa sulmeve, teksa edhe misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, ka raportuar se është sulmuar me shok bombë në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Serbët nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova argumenton se ai qëndron pas sulmeve ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, Borrell tha se bllokimi i rrugëve, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të ish-policit serb, është i papranueshëm.

“Unë e di se të dyja palët janë të gatshme që të ulin tensionet dhe fuqishëm ftoj të dyja palët që ta bëjnë këtë. Por, në këtë rast, unë kam qenë në kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa i dërguari i posaçëm [i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, ka qenë në kontakt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo prishje e rendit publik dhe kjo dhunë është e papranueshme”, tha ai.

Për shkak të rritjes së tensioneve, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Po ashtu, autoritetet kanë shtyrë për në prill mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri, që ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata – së bashku me policët serbë dhe punëtorët e sistemit të drejtësisë në veri – dhanë dorëheqje për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe./REL

Lajmet

SHBA: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës, në trevjetorin e sulmit.

Ambasada ka nderuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në shtator të vitit 2023.

“Bashkohemi me Kosovën për të nderuar zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë në shtator 2023. Ritheksojmë thirrjen tonë që autorët të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Armë, granata dhe municion sekuestrohen në Pejë e Deçan

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të armëmbajtjes pa leje në Pejë dhe Deçan.

Në Pejë, gjatë kontrollit të një lokacioni më 23 shtator, janë gjetur një armë AK-47, dy mitralozë të lehtë, një pushkë përsëritëse, pesë granata dore, shtatë karikatorë dhe rreth 510 fishekë. Armët dhe municioni janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.

Ndërsa në Deçan, një person është identifikuar pasi në një video-incizim shihet duke shtënë me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është sekuestruar një armë AK-47 me një karikator të zbrazët.

Të dyja rastet janë iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbeten në procedurë hetimore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident fatal në Prizren, humb jetën drejtuesi i motoçikletës

Published

on

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku mes një veture dhe një motoçiklete në Prizren.

Aksidenti ka ndodhur më 23 shtator rreth orës 18:20. Vdekja e drejtuesit të motoçikletës është konstatuar nga ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesja e dyshuar e veturës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tentim-vrasje në Obiliq, i dyshuari në kërkim policor

Published

on

Një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër në Obiliq, më 23 shtator rreth orës 18:20.

Sipas Policisë së Kosovës, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur tri gëzhoja.

Në konsultim me prokurorin, është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit, i cili aktualisht ndodhet në kërkim policor.

Rasti është duke u hetuar për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara