Lajmet

Boronica, mbreti i ushqimeve antioksidante

Ato kanë pak kalori, por shumë vlera ushqyese.

Published

on

Boronicat janë të ëmbla, ushqyese dhe shumë të shëndetshme. Këto fruta kaq të vogla i bëjnë kaq mirë trupit dhe mendjes sonë. Antioksidantët që gjenden te boronicat janë aq të forta sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve kardiovaskolare apo tumorale.

Pa yndyra dhe me vetëm 84 kalori për një kupë, boronicat janë të pasura me fibra që të mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Në Shqipëri boronicat kultivohen gjerësisht në trevat veriore të vendit. Por, siç shkruan Shqiptarja, boronicat e Tropojës, Kukësit dhe Pukës e kanë më të lehtë të tregtohen në Kosovë dhe Mal të Zi dhe që nga aty më pas shpërndahen në tregjet evropiane, sesa të zbresin poshtë në Tiranë apo dhe në çdo qytet tjetër në vend.

Arsyeja se pse boronicat nuk mbërrijnë dot në kryeqytet dhe në çdo qytet të vendit është mungesa e dhomave frigoriferike për t’i mbajtur boronicat e freskëta. Udhëtimi prej disa orësh në automjete të zakonshme do të ishte fundi i freskisë së boronicave veriore shqiptare.

Kanë pak kalori, por shumë vlera ushqyese

Boronica është një frut i vogël me ngjyrë blu të purpurt. Boronica janë të vogla, rreth 5-16 milimetra në diametër, dhe një kurorë të vogël në majë. Ato janë ndër manaferrat më vlerat më të mëdha ushqyese. Një kupë (148 gramë) boronica përmban; Fibër 4 gramë, 24% të nevojave ditore për Vitaminë C, 36% të nevojave për Vitaminë K, 25% të nevojave ditore për manganez. Ato kanë 85% ujë në përbërje.

Janë mbreti i ushqimeve antioksidante

Ato kanë kapacitetin më të lartë antioksidant ndër të gjitha frutat dhe perimet që konsumojmë zakonisht. Flavonoidët e gjendur tek boronicat janë përbërësi më i mirë antioksdant. Është vërtetuar se këta përbërës rrisin nivelin antioksidues brenda trupit.

Ulin dëmtimin e ADN-së, duke ndihmuar në mbrojtjen kundër plakjes dhe ndaj tumoreve

Dëmtimi i ADN-së është pjesë e jetës së përditshme. Thuhet se kjo ndodh dhjetëra mijëra herë në ditë, në çdo qelizë të trupit. Dëmtimi i ADN-së është pjesë e arsyes që ne plakemi dhe ky dëmtim luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjeve tumorale.

Për shkak se boronicat kanë sasi të mëdha antioksidantësh, ato ndihmojnë të neutralizohen disa nga radikalet e lira që shkaktojnë dëmtimin e ADN-së tonë. Në një studim që zgjati 4 javë, 168 pjesëmarrës pinë 1 litër përzierje të boronicës me lëng molle, çdo ditë. Në fund të studimit, dëmtimi oksidativ i ADN-së, për shkak të radikaleve të lira, u reduktua me 20%.

Mbrojnë kolesterolin në gjak

Dëmtimi oksidativ nuk ndodh vetëm në qelizat tona dhe në ADN. Ky dëmtim është gjithashtu problematik kur lipoproteina (kolesteroli “i keq”) oksidohet. Në fakt, oksidimi i kolesterolit të keq ndikon shumë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës. 50 gramë boronica në ditë shërbyen për të ulur oksidimin e kolesterolit me 27% në disa pjesëmarrës të shëndoshë, pas një periudhe prej tetë javësh.

Ulin tensionin e gjakut

Në një studim, individë me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës vërejtën një ulje 4-6% të presionit të gjakut (tensionit të lartë), pas konsumimit të 50 gramë boronica në ditë, për tetë javë.

Ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës

Është e rëndësishme të kuptohet se kur flasim për ulje të rrezikut përmes konsumit të boronicave, flasim për faktorët e rrezikut, jo për sëmundjet aktuale. Në një studim të vitit 2013, 93,600 infermierë konsumuan shumë antocinisis (antioksidantë kryesorë që gjenden te boronica) duke ulur me 32% rrezikun për atak të zemrës.

Ndihmojnë në funksionimin e trurit dhe në përmirësimin e kujtesës

Antioksidantët përbërës të boronicave duket se kanë ndikime pozitive në funksionimin e trurit duke vonuar edhe rënien e funksioneve të tij të lidhura me moshën. Një studim që zgjati gjashtë vjet, ku morën pjesë 16,010 të moshuar vërtetoi se boronicat dhe luleshtrydhet vonuan plakjen me deri 2.5 vjet.

Kanë efekt anti-diabetik

Boronicat kanë shumë më pak sheqer krahasuar me frutat e tjera. Një kupë përmban vetëm 15 gramë sheqer natyral, aq sa një mollë e vogël apo një portokall.

Përbërësit e boronicave ndihmojnë në luftën kundër infeksioneve urinare

Boronicat përmbajnë substanca që mund të parandalojnë veshjen e mureve të fshikëzës nga baktere të ndryshme. Këto përbërës janë të dobishëm në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar.

Ndihmojnë në uljen e dëmtimit të muskujve pas stërvitjes

Stërvitja e fortë për trupin mund të çojë në dhimbje të muskujve dhe lodhje. Kjo nxitet pjesërisht nga inflamacioni dhe stresi oksidativ në indet e muskujve. Është e qartë se boronicat janë tepër të shëndetshme.

Konsumi i boronicave mund të zvogëlojë dëmin që ndodh në nivel molekular, duke minimizuar dhimbjet dhe reduktuar uljen në performancën e muskujve. Fakti që ato janë të shijshme, me ngjyrë të bukur dhe mund të shijohen si të freskëta edhe të ngrira, i bën ato edhe më të mira.

Vendi

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Vendi

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka nisur zyrtarisht grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të kompanisë KEDS.

Sipas organit të akuzës, ekziston një dyshim i bazuar se këto pajisje nuk po bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët.

Në këtë drejtim, Prokuroria dyshon se është kryer vepra penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të zbardhur rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet vijnë pas shqetësimeve se njehsorët nuk pasqyrojnë realisht shpenzimet, duke dëmtuar kështu qytetarët. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore për të garantuar zbatimin e ligjit.

“Lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar… Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.

Continue Reading

Të kërkuara