Lajmet

Blinken: Zbatimi i marrëveshjes, i hap rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Ai e pranoi se njohja nga Serbia është tjetër çështje dhe do të dojë kohë.

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dekaroi të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Sekretari Blinken i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Senatores demokrate, Jeanne Shaheen lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

“Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende”, tha Blinken.

Ai e pranoi se njohja nga Serbia është tjetër çështje dhe do të dojë kohë.

“Por nëse ato (vendet) arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë në atë pikë, por mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që këto vende (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes”, tha ai.

Sekretari i Shtetit, Blinken tha gjatë seancës se përparimi që është arritur mes Serbisë dhe Kosovës është shpresëdhënës, veçanërisht ai i fundjavës së kaluar për të zbatuar udhërrëfyesin në rrugën drejt normalizimit.

“Besoj se ajo që është e rëndësishme përveç faktit që të dyja vendet kanë rënë dakord në parim që ta bëjnë një gjë të tillë, është që këto angazhime janë pjesë e planeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj shpresoj që kjo të jetë një nxitje që ato t’i zbatojnë ato”, tha ai.

Senatorja Shaheen u shpreh se ishte dakord.

“Besoj se është e rëdësishme për njerëzit si në Kosovë edhe Serbi, të shohin disa përfitime në jetën e tyre private nga kjo lloj marrëveshjeje dhe shpresa është që kjo t’i afrojë të dyja vendet me BE-në”, tha ajo.

Blinken nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë “shumë të përfshira në këtë proces”.

“Kam diskutuar si me Kryeministrin (Albin) Kurti, ashtu edhe Presidentin (Aleksandar) Vuçiç në këtë drejtim, kështuqë mendoj se ky është një moment pozitiv”, tha ai.

Senatorja Shaheen tha se Komisioni i Senatit për Punët e Jashtme është shumë i interesuar për këtë çështje dhe pyeti se si mund të ndihmojë Kongresi në këtë drejtim.

“Besoj se do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme nëse në angazhimet tuaja me ligjvënës të të dyja vendeve për shembull, mbështetja e qartë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të çuar përpara dhe për të zbatuar këto marrëveshje, mendoj se do të ishte kritike”, tha Blinken.

Ai shtoi se inkurajon me force angazhimin e anëtarëve të Kongresit me parlamentet e dy vendeve, si edhe me vetë udhëheqësit e dy vendeve./VOA

Vendi

Dyshohet për helmim nga ushqimi në Han të Elezit, rreth 65 persona kërkojnë trajtim mjekësor

Published

on

Rreth 65 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Han të Elezit, pas konsumimit të ushqimeve në dy piceri të ndryshme.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka, ka bërë të ditur se janë marrë mostra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, ndërsa rezultatet ende janë duke u pritur.

Sipas saj, rastet e para me simptoma të dyshuara të helmimit janë paraqitur të hënën rreth orës 16:00, ndërsa numri më i madh i pacientëve është regjistruar nga ora 23:00 deri në orët e hershme të mëngjesit të së martës.

“Trajtim aktualisht po marrin 65 persona. Dyshohet se 65 është numri i personave të dyshuar për helmim, pasi në total janë mbi 90 persona me simptoma të ngjashme, por një pjesë e tyre dyshohet se janë me virozë”, ka deklaruar Kuka.

Tre persona janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se nga data 13 deri më 15 korrik janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.

Institucionet përkatëse, përfshirë IKShPK-në, janë njoftuar dhe po merren me hetimin e rastit./A.K/

Continue Reading

Rajoni

Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Pëlleshajn për vrasjen e Martin Canit

Published

on

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke dënuar me 16 vite burg Mario Pëlleshajn për vrasjen e të miturit Martin Cani.

Pëlleshaj është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit, si dhe për “vrasjen në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur.

Gjykata e Tiranës kishte caktuar fillimisht 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe 10 vite burg për tentativën e vrasjes së Luis Meçes. Pas bashkimit të dënimeve, masa përfundimtare ndaj Pëlleshajt ishte 16 vite heqje lirie, vendim që tashmë është konfirmuar edhe nga Apeli.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes të miturve që kishte nisur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.

Përplasja përfundoi me vdekjen e Martin Canit dhe plagosjen e Luis Meçes./euronews.al//A.K/

Continue Reading

Vendi

UBT i pari me numrin më të madh të programeve të akredituara në sektorin privat

Published

on

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka publikuar listën zyrtare të programeve të studimit të akredituara për vitin akademik 2026/2027, duke konfirmuar programet që kanë kaluar me sukses procesin e akreditimit institucional dhe programor sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë.

Sipas listës së publikuar nga AKA, UBT prin në sektorin privat me numrin më të madh të programeve të akredituara, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e institucionit ndaj cilësisë akademike, zhvillimit të vazhdueshëm dhe ofrimit të programeve bashkëkohore që u përgjigjen kërkesave të tregut të punës.

Ky rezultat e forcon pozitën e UBT-së si institucioni privat lider i arsimit të lartë në Kosovë, me një gamë të gjerë programesh studimi në fusha të ndryshme, të cilat plotësojnë standardet e kërkuara të cilësisë dhe u ofrojnë studentëve mundësi për arsimim konkurrues dhe zhvillim profesional.

Publikimi i listës zyrtare nga AKA u shërben maturantëve, studentëve dhe publikut si referencë e besueshme për zgjedhjen e programeve të studimit të akredituara për vitin akademik 2026/2027.

Lista e plotë e programeve të akredituara për vitin akademik 2026/2027 mund të gjendet në këtë link: LINKU

Continue Reading

Lajmet

Zejnulla Gashi pranon detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, premton forcim të sundimit të ligjit

Published

on

Zejnulla Gashi ka pranuar zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtruesi i detyrës, Agron Qalaj, duke u zotuar se do të punojë për forcimin e sundimit të ligjit.

Pas marrjes së detyrës, Gashi tha se do të jetë kryeprokuror i të gjithë qytetarëve dhe se puna do të fokusohet në bashkëpunim dhe profesionalizëm.

“Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit”, u shpreh Gashi.

Ai u dekretua një ditë më parë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit ka funksionuar me ushtrues detyre që nga viti 2023, pasi presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e kishte dekretuar Blerim Isufajn në këtë pozitë, duke përmendur shkelje të pretenduara në procesin e përzgjedhjes./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara