Lajmet

Blinken: Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara

Blinken falënderoi Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës.

Published

on

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Blinken gjatë takimit në Uashington me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë se dy shtetet kanë një histori të gjatë, teksa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Ukrainës pas agresionit rus.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta. Dua t’ju falënderoj përsëri për pritjen bujare të afganëve në rrezik, mbështetjen e fortë që kemi parë që nga dita e parë për Ukrainën e përballur me agresionin rus, punën që po bëni në Samitin për Demokraci, duke përfshirë organizimin e samitit për gratë, paqen dhe sigurinë – dhe, zonja Presidente, vlerësoj veçanërisht udhëheqjen tuaj në këtë drejtim. Nesër do të nënshkruani një marrëveshje me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit – vërtet të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbështetjen e përpjekjeve tuaja për të ndërtuar energji të rinovueshme. Pra, ka shumë për të folur, ndërsa po punojmë për të gjitha këto çështje, si dhe, natyrisht, për çështje qenësore të sigurisë rajonale që e di se do të kemi një shans për t’i diskutuar”, theksoi Blinken.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe se do të punojnë me SHBA-të dhe vendet tjera demokratike që pozita ndërkombëtare e vendit tonë të forcohet edhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.

Osmani ka përmendur edhe përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Siç e dini sekretar, Putini do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë Evropën edhe përmes Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve tanë evropianë, për t’u siguruar që planet e Rusisë, si dhe përfaqësuesve të saj në rajon të ndalen. Për këtë arsye, ne presim me padurim të punojmë me ju, me të gjithë administratën Biden, për t’u siguruar që si linjat e para në mbrojtjen e demokracisë, të jemi të suksesshëm në mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta, të cilat janë themelet e vendit tonë… Kosova e pavarur, sovrane, e lirë, është një realitet i pakthyeshëm që ju keni ndihmuar që të krijohet. Ne do të punojmë krah për krah çdo ditë së bashku me Shtetet e Bashkuara, si dhe me vendet e tjera demokratike në mbarë botën, për t’u siguruar që ky realitet të forcohet, të sigurohemi që pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës të forcohet, dhe për të ecur përpara drejt vendit tonë të merituar në komunitetin euroatlantik”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë aleate e fuqishme e SHBA-së.

“Në të njëjtën mënyrë që qëndruat pranë nesh në atë kohë dy dekada më parë, sot po qëndroni me Ukrainën. Kështu që unë dua t’ju siguroj në emër të Kosovës se edhe populli i Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, siç e kemi treguar me miratimin e sanksioneve menjëherë, në të njëjtën ditë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë bërë këtë. Dhe, sigurisht, ne ripërsërisim thirrjen tonë për të gjitha vendet në rajon për ta bërë këtë”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, udhëtuan të hënën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e marrëveshjes 200-milionëdollarëshe me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Lajmet

Aksident i rëndë në Shqipëri, një i vdekur dhe dy të lënduar

Published

on

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrugën Fushë Krujë–Rinas, pranë Urës së Gjolës, në zonën e Tiranës.

Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur kokë më kokë. Për pasojë, një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, shkruan vizionplus.tv.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë së Tiranës, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku: Refuzimi i Presidentit po i bën dëm LDK-së dhe po e çon vendin në zgjedhje

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas bllokimit të kandidaturës së profesor Bekim Sejdiut për President nga gjashtë deputetë të këtij subjekti, duke sqaruar se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe se nuk ekzistonte asnjë marrëveshje qeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përmes një shkrimi në facebook, Abdixhiku theksoi se refuzimi i gjashtë deputetëve nuk ishte parandalim i ndonjë koalicioni, por bllokim i zgjidhjes për kreun e shtetit që e çon vendin pashmangshëm drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Ai e cilësoi këtë veprim si një dëm të madh që po i bëhet drejtpërdrejt LDK-së, duke e krahasuar me vendimet e vitit 2020 që e zbritën me parë këtë parti në kuotën e 12 përqindëshit.

Kreu i LDK-së shprehu keqardhje që agjenda e zgjedhjeve të reja e cila sipas tij ishte synim i grupeve të tjera politike,  po ndikon me sukses edhe brenda radhëve të partisë së tij. Sidoqoftë, Abdixhiku konfirmoi se nuk do të dorëzohet përballe kësaj situate, duke ritheksuar përkushtimin e tij për mbrojtjen e interesave të Republikës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta historiani dhe publicisti kosovar Daut Dauti

Published

on

Historiani, gazetari, hulumtuesi dhe publicisti i njohur nga Kosova, Dr. Daut Dauti, ka ndërruar jetë në Londër në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.

Dauti lindi në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit dhe gjatë karrierës së tij la gjurmë në gazetari, historiografi dhe në studimet për Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Ai kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.

Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).

Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit për media dhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.

Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në gazetari, histori dhe publicistikë, Daut Dauti mbetet një nga emrat e njohur të jetës intelektuale dhe mediatike shqiptare në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kallas: Sulmi rus në aeroportin e Lajpcigut ishte terrorizëm shtetëror

Published

on

By

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, e cilësoi përpjekjen e Rusisë për të kryer një sulm me dron në aeroportin e Lajpcigut muajin e kaluar si një incident që “kishte të gjitha shenjat dalluese të terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”. Deklarata e saj vjen përpara drejtimit të bisedimeve mbi përgjigjen politike të BE-së.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të mblidhen sot në Wicklow të Irlandës, në një takim të kryesuar nga Kallas. Në qendër të diskutimeve do të jetë pyetja se “çfarë mund të bëjmë më shumë”, pasi Gjermania e ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për incidentin.

Sipas Kallas, ngjarja duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për shtetet që kanë vonuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës. “Nëse duam t’i japim fund kësaj lufte, të gjithë duhet të përqendrojmë përpjekjet tona, ta çojmë atë në një nivel të ri”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Franca kanë thirrur zyrtarë të lartë rusë për të diskutuar sulmin.

Takimi do të trajtojë edhe mënyrat se si BE-ja mund të rrisë mbështetjen për Ukrainën, në një kohë kur, sipas Kallas, “Rusia po përshkallëzon situatën dhe po vret civilët dhe po shkakton sa më shumë dëm që mundet”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të zhvillojë sot një takim të veçantë me Mark Rutte të NATO-s. Edhe në këtë bisedë, incidenti i Lajpcigut dhe situata në Ukrainë pritet të jenë ndër temat kryesore.

Continue Reading

Të kërkuara