Lajmet nga UBT
Bizneset kosovare në udhëkryq të digjitalizimit: Kosto dhe mungesë e ekspertizës!
Published
2 years agoon
By
UBT NewsNë një botë ku çdo klikim mund të ndryshojë kursin e një biznesi, digjitalizimi është ajo ‘drita e gjelbër’ që premton mundësi të pafundme, por gjithashtu fsheh sfida që kërkojnë guxim dhe inovacion për t’u kapërcyer.
Kosova, një vend në kërkim të transformimit, ndodhet përpara një dileme të rëndësishme: A do t’i japin politikat fiskale dhe subvencionet shpejtësinë që kërkon digjitalizimi, apo do të jenë ato më shumë një sherr mbi shpejtësinë e zhvillimit të tij?
Nëse shikojmë nga afër, diku mes granteve që mbështesin disa biznese dhe mungesës së resurseve për të tjerët, ndodhet një lëmsh i padukshëm që ndalon përparimin. Si mund të evoluojnë politikat për të nxitur një mjedis ku teknologjia nuk është më një luks, por një pjesë e domosdoshme e çdo modeli biznesi? Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të mbështetur digjitalizimin, mungesa e harmonizimit të politikave me nevojat reale të bizneseve, krijon një kontradiktë të rëndësishme. Ky është një moment kyç, ku çdo veprim dhe çdo vendim mund të rrisë ose të pengojë hapësirën për zhvillimin e një Kosove digjitale.
Agim Zuzaku, profesor i Sistemeve të Informacionit në UBT dhe ekspert në teorinë e informacionit dhe menaxhimin e njohurive, ofron një vlerësim të thellë mbi ndikimin e politikave fiskale dhe subvencioneve në digjitalizimin e bizneseve kosovare. Ai thekson mundësitë dhe sfidat që këto politika paraqesin për përqafimin e teknologjive moderne dhe rritjen e konkurrencës, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e investimeve në siguri, zhvillimin e talenteve dhe integrimin e teknologjive si ERP, cloud computing dhe inteligjenca artificiale për rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së bizneseve.

Pengesat kryesore të bizneseve në digjitalizim…
Profesori Agim Zuzaku e vlerëson se pengesat kryesore për bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë gjatë implementimit të teknologjive digjitale janë mungesa e profesionistëve të kualifikuar dhe vetëdija e ulët te menaxherët për rëndësinë e këtyre ekspertëve. “Nëse menaxherët nuk e kuptojnë se investimi në ekspertizën teknologjike është një mundësi për rritjen e konkurrencës dhe qëndrueshmërisë, atëherë teknologjitë digjitale mbeten të pazbuluara”, thotë Zuzaku duke shtuar se pa pagesa konkurruese, është e vështirë për bizneset të tërheqin dhe mbajnë talente, duke penguar zhvillimin dhe integrimin e plotë të teknologjive digjitale.
Në pyetjen se si ndikon kostoja e teknologjisë në aftësinë e bizneseve për të investuar në transformimin digjital, profesori Agim Zuzaku thekson se kostoja e lartë është një pengesë e rëndësishme për bizneset e vogla dhe të mesme në Kosovë. Ai shpjegon se shumë prej këtyre bizneseve përballen me dilema të vështira për shkak të buxheteve të kufizuara dhe kërkesës për investime të shtrenjta në teknologji. “Kostoja fillestare e pajisjeve, programeve dhe mirëmbajtjes është një barrë e madhe që i detyron bizneset të shtyjnë investimet ose të zgjedhin mundësi më të lira, të cilat shpesh janë më pak efektive”, shprehet Zuzaku.
Sipas tij, kjo kosto jo vetëm që pengon avancimin e transformimit digjital, por gjithashtu ndikon në mbajtjen e konkurueshmërisë së bizneseve në treg. Për shumë biznese në Kosovë, kostoja e mirëmbajtjes është e vështirë për t’u përballuar, duke bërë që shumë prej tyre të përdorin teknologji të papërditësuara dhe shpesh joefikase.
Mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara në teknologji është një pengesë e madhe për digjitalizimin në Kosovë. Profesori Agim Zuzaku thekson se shumë biznese janë të bllokuara në zhvillimin e transformimit digjital për shkak të mungesës së ekspertëve.
“Mungesa e profesionistëve të kualifikuar krijon një cikël ku vizioni për digjitalizim mbetet vetëm një ide”, shprehet Zuzaku. Gjithashtu, theksohet nga profesori se kur të rinjtë e talentuar në teknologji largohen nga vendi për të punuar në tregje ndërkombëtare që ofrojnë paga më të mira, kjo ikje e trurit dhe mungesa e mentorëve, sipas profesorit ngadalësojnë zhvillimin e brezave të rinj, duke e thelluar problemin dhe duke krijuar një pengesë të vazhdueshme për përparimin e digjitalizimit.

Digjitalizimi, çelësi për tregjet dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare!
Siç vlerëson profesori Zuzaku, “Digjitalizimi është një mundësi e pashembullt për bizneset kosovare të përmirësojnë efikasitetin e tyre dhe të krijojnë një avantazh konkurrues. Ky proces është shumë më tepër se thjesht përmirësim teknologjik; ai është një mundësi për të transformuar mënyrën se si bizneset operojnë, duke i dhënë mundësinë të përshpejtojnë proceset, të rrisin cilësinë dhe të zvogëlojnë kostot”.
Përveç kursimit të kohës dhe përmirësimit të saktësisë në procese të thjeshta si menaxhimi i inventarit, digjitalizimi mund të krijojë një rrjedhë komunikimi më të shpejtë dhe vendimmarrje më të informuar. Sipas tij, ky përqafim i teknologjisë moderne është jo vetëm një mënyrë për të mbijetuar, por dhe për të krijuar një avantazh konkurrues, sidomos në një treg që ende është në faza fillestare të digjitalizimit.
Digjitalizimi ofron avantazhe konkurruese të rëndësishme për bizneset kosovare në tregun ndërkombëtar. Ai u mundëson atyre të kalojnë kufijtë fizikë të tregut lokal dhe të arrijnë klientë globalë përmes platformave digjitale, siç janë dyqanet online dhe tregtia elektronike. Sipas profesor Zuzakut, “Digjitalizimi është çelësi për të hapur dyert e tregjeve ndërkombëtare dhe për të rritur konkurrueshmërinë”. Për më tepër, përdorimi i teknologjisë për personalizimin e shërbimeve dhe automatizimin e proceseve i ndihmon bizneset kosovare të ofrojnë shërbime me efikasitet dhe transparencë të lartë, duke e rritur besimin dhe mundësinë për partneritete strategjike jashtë vendit.
Gatishmëria e drejtuesve të bizneseve në Kosovë për të ndryshuar kulturën e menaxhimit në funksion të përqafimit të teknologjisë është ende në faza të ndryshme, duke u shfaqur një përzierje mes qëndrimeve tradicionale dhe një dëshire gjithnjë në rritje për inovacion. Sipas profesor Zuzakut, “Për shumë drejtues, teknologjia shpesh shihet si një kosto dhe jo si një mundësi për zhvillim”. Mungesa e njohurive dhe e vetëdijes për rëndësinë e teknologjisë si një investim strategjik e ka penguar përparimin. Megjithatë, një pjesë e menaxherëve po kuptojnë se digjitalizimi është një domosdoshmëri për të mbetur konkurrues në një treg gjithnjë e më globalizuar.

Politikat fiskale: Shpërblim apo pengesë për digjitalizimin e bizneseve në Kosovë?
Kur flitet për politikat fiskale dhe subvencionet në lidhje me digjitalizimin e bizneseve në Kosovë, Zuzaku vlerëson se ato kanë një ndikim të dyfishtë. Ai mendon se për shumë biznese, mbështetja ekzistuese është një nxitje për të përqafuar teknologjinë, por për të tjerë, kufizimet financiare dhe politike janë pengesa të mëdha. Zuzaku thekson se politikat fiskale aktuale shpesh nuk mbulojnë nevojat e bizneseve që kërkojnë një transformim më të thelluar teknologjik.
Ai sugjeron që digjitalizimi duhet të trajtohet si një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve dhe jo si një mundësi të thjeshtë. Për të arritur këtë, politikat fiskale dhe subvencionet duhet të ofrojnë mbështetje më të madhe dhe të fokusuar, duke e bërë digjitalizimin një shtyllë të rëndësishme për rritjen e bizneseve në Kosovë.
Sa i përket politikave fiskale, Zuzaku vlerëson se ato luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e digjitalizimit të bizneseve në Kosovë, por ndikimi i tyre është i kufizuar. Politikat aktuale fiskale shpesh nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për bizneset, veçanërisht ato që kërkojnë një transformim më të thelluar teknologjik. Pavarësisht nga disa programe dhe subvencione të ofruara nga qeveria, mungesa e lehtësirave tatimore dhe mbështetjes financiare përbën një pengesë për shumë biznese, veçanërisht ato të vogla, të cilat nuk kanë mundësi për të përballuar koston e lartë të teknologjive moderne.

Për Zuzakun, është e rëndësishme që politikat fiskale të rishikohen dhe të ofrohen mbështetje më e fokusuar dhe lehtësira më të mëdha për biznese, që do të ndihmonin në përqafimin më të lehtë të digjitalizimit. Ai thotë: “Vetëm duke krijuar kushte të favorshme fiskale dhe mbështetje konkrete mund të bëjmë që digjitalizimi të jetë një shtyllë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
Vetëm në këtë mënyrë, digjitalizimi mund të bëhet një shtyllë kyçe për rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve në Kosovë.
Përfitimet e Sistemeve ERP dhe Cloud Computing për efikasitetin e bizneseve në Kosovë
Në kontekstin e digjitalizimit të bizneseve, profesori Zuzaku sheh një mundësi të madhe për rritjen e konkurrencës përmes implementimit të teknologjive digjitale. Ai thekson se për të qëndruar konkurrues në një treg gjithnjë e më global, bizneset në Kosovë duhet të investojnë në disa teknologji kyçe që mund të përmirësojnë efikasitetin dhe inovacionin. Siç vë në dukje ai, “teknologjitë digjitale janë jo vetëm një mjet për përmirësimin e efikasitetit, por edhe një mundësi për t’u dalluar në një treg konkurrues.”
Sipas tij, Sistemet ERP (Enterprise Resource Planning) janë një nga teknologjitë më të rëndësishme që mund të implementojnë bizneset kosovare. Ato ndihmojnë në menaxhimin e burimeve dhe proceseve të ndryshme të biznesit, nga inventari dhe financat deri tek burimet njerëzore dhe zinxhiri i furnizimit, duke mundësuar një menaxhim më të saktë dhe efikas.
Përveç kësaj, Zuzaku vlerëson rëndësinë e shërbimeve të cloud computing për bizneset kosovare, pasi ato ofrojnë fleksibilitet dhe mundësi për të ulur kostot. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bizneset që nuk mund të përballojnë investimet e mëdha në infrastrukturë fizike. Cloud computing lejon ruajtjen dhe qasjen në të dhëna dhe aplikacione nga çdo vend, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt menaxhimin e informacionit.
Gjithashtu, inteligjenca artificiale dhe analiza e të dhënave janë teknologji të tjera thelbësore për bizneset që synojnë të marrin vendime më të informuara dhe të ofrojnë shërbime më të personalizuara për klientët e tyre. Ato ofrojnë mundësinë për të analizuar të dhënat e mëdha dhe për të nxjerrë rekomandime që mund të përmirësojnë proceset dhe produktet e biznesit.
Siç thotë Zuzaku, “këto teknologji ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për bizneset për të optimizuar operacionet e tyre dhe për të qëndruar konkurrues në tregje globale”. Integrimi i këtyre teknologjive në strategjitë e biznesit është një hap i domosdoshëm për t’u siguruar që ato të mund të përfitojnë nga avantazhet që ofron digjitalizimi, duke e ndihmuar procesin e rritjes dhe zhvillimit.

Mundësitë dhe sfidat e digjitalizimit për bizneset kosovare…
Në temën e digjitalizimit dhe ndikimit të tij në bizneset kosovare, eksperti Agim Zuzaku vuri theksin te mundësitë dhe sfidat që kjo qasje sjell për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas Zuzakut, përfshirja e digjitalizimit në bizneset kosovare ofron një potencial të madh për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e talenteve lokale. Me adoptimin e teknologjive moderne, si inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave dhe platformat digjitale, kërkesa për profesionistë të kualifikuar është në rritje.
“Kjo kërkesë ka krijuar hapësirë për përgatitjen e kuadrove të afta për t’u përballur me sfidat e transformimit digjital. Fakulteti i Sistemeve të Informacionit në UBT ka një rol kyç në këtë drejtim, duke ofruar programe akademike dhe trajtime praktike që u japin studentëve aftësitë e nevojshme për të kontribuar në këtë transformim”, theksoi profesori Zuzaku.
Për më tepër, Zuzaku vuri në pah rëndësinë e zhvillimit të burimeve njerëzore për të ndërtuar një infrastrukturë të qëndrueshme të talenteve. Ai theksoi se bashkëpunimi mes akademisë dhe sektorit privat është thelbësor për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të siguruar një konkurrencë të fortë në tregjet globale.
Nga ana tjetër, profesori paralajmëroi për sfidat që sjell digjitalizimi, veçanërisht për sigurinë e të dhënave dhe privatësinë e konsumatorëve. Sulmet kibernetike dhe dobësitë në sistemet e sigurisë përbëjnë kërcënime serioze për bizneset që nuk investojnë mjaftueshëm në këtë fushë.
“Mungesa e përgatitjes dhe e burimeve mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve dhe reputacionin e biznesit. Prandaj, përmirësimi i infrastrukturës së sigurisë dhe trajnimi i stafit janë domosdoshmëri”, tha ai.
Në aspektin e përvojës së klientit, Zuzaku nënvizoi se transformimi digjital ka ndikuar pozitivisht duke rritur shpejtësinë, personalizimin dhe aksesueshmërinë e shërbimeve. Teknologjitë digjitale përmirësojnë ndërveprimin me klientët, transparencën dhe fleksibilitetin, duke forcuar kështu besnikërinë dhe konkurrencën e bizneseve në treg.
Duke u pyetur mbi strategjitë dhe investimet afatgjata që duhet të ndërmarrin bizneset kosovare për t’u përshtatur me një treg gjithnjë e më të digjitalizuar, profesori vlerëson rëndësinë e tri shtyllave kryesore: zhvillimin e burimeve njerëzore, transformimin e modeleve tradicionale të biznesit dhe sigurimin e të dhënave. Ai thekson se bashkëpunimet me institucione si UBT mund të ndihmojnë në krijimin e një fuqie punëtore të aftë për t’u përballur me sfidat e tregut të së ardhmes.
Njëkohësisht, kalimi në platforma digjitale dhe marketing online ofron mundësi për zgjerimin e tregjeve, ndërsa investimi në sigurinë kibernetike është thelbësor për ruajtjen e besimit të klientëve. Me planifikim të qartë, këto hapa mund të sigurojnë një avantazh të qëndrueshëm në epokën digjitale!

Gazetare: Dionesa Ebibi
You may like
-
Bislimi: Synojmë ndërtimin e një administrate të përgjegjshme dhe transparente
-
UBT dhe UN Women bashkë për “Luftimin e dhunës me bazë gjinore në epokën e digjitalizimit” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit
-
Studentët e UBT-së në vizitë studimore te Katrori ITS: Mësime praktike mbi AI dhe vendimmarrjen në biznes
Vendi
Siguria nacionale dhe kibernetike: dy rrugë specializimi për një karrierë në fushën e sigurisë në UBT
Published
4 hours agoon
August 17, 2026By
UBTNews
Siguria nuk përcaktohet më vetëm nga kufijtë, institucionet apo rreziqet tradicionale. Sot, një kërcënim mund të vijë nga një krizë emergjente, një zhvillim gjeopolitik, një sulm kibernetik apo një situatë që kërkon reagim të shpejtë institucional.
Pikërisht kjo gamë e gjerë e sfidave kërkon profesionistë që dinë t’i analizojnë rreziqet, të kuptojnë mekanizmat e sigurisë dhe të hartojnë zgjidhje për situata komplekse. Në këtë drejtim është ndërtuar programi Studime të Sigurisë në UBT, i cili u ofron studentëve mundësi të specializohen në dy drejtime: Sigurinë Nacionale dhe Emergjencat Civile dhe Sigurinë Kibernetike.
Programi synon të kombinojë njohuritë teorike me aftësitë praktike, duke i përgatitur studentët për të kuptuar zhvillimet e sigurisë në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Gjatë studimeve, studentët njihen me konceptet themelore të politikave të sigurisë, institucionet dhe akterët e sigurisë, si dhe me rreziqet dhe kërcënimet bashkëkohore.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet zhvillimit të të menduarit analitik dhe kritik, në mënyrë që studentët të jenë në gjendje të analizojnë situata të ndryshme dhe të propozojnë zgjidhje konkrete.
Kurrikula ndërthur disa fusha që janë të rëndësishme për formimin e një profesionisti të sigurisë. Përveç studimeve të sigurisë, studentët marrin njohuri nga ligji, psikologjia, gjeopolitika, institucionet shtetërore, marrëdhëniet ndërkombëtare, politika e jashtme, siguria kibernetike, teknologjia e informacionit dhe metodologjia e kërkimit. Ky kombinim u mundëson studentëve ta shohin sigurinë nga këndvështrime të ndryshme. Ata nuk përgatiten vetëm për të identifikuar një kërcënim, por edhe për të kuptuar shkaqet e tij, ndikimin që mund të ketë dhe mënyrën se si institucionet mund të reagojnë.
Një pjesë e rëndësishme e programit është aftësia për të hartuar dokumente dhe strategji të politikave të sigurisë. Studentët zhvillojnë shkathtësi për përgatitjen e dokumenteve që lidhen me sigurinë nacionale, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike, duke i lidhur njohuritë akademike me nevojat konkrete të institucioneve dhe organizatave.
Në specializimin Siguria Nacionale dhe Emergjencat Civile, fokusi vendoset në kuptimin dhe menaxhimin e rreziqeve që lidhen me sigurinë e shtetit, institucionet përgjegjëse, akterët e sigurisë dhe situatat emergjente. Studentët zhvillojnë aftësi për të analizuar situata të ndryshme të sigurisë dhe për të menduar mbi mënyrat e reagimit dhe menaxhimit të tyre. Ndërsa specializimi në Sigurinë Kibernetike i orienton studentët drejt një prej sfidave më të rëndësishme të kohës. Me rritjen e varësisë së institucioneve dhe organizatave nga teknologjia, mbrojtja e sistemeve dhe informacionit është bërë pjesë thelbësore e sigurisë moderne.
Përmes programit Studime të Sigurisë, studentët njihen me çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit dhe përgatiten për të kuptuar kërcënimet që vijnë nga hapësira digjitale. Një tjetër veçori e programit është mundësia që studentët të përshtatin një pjesë të studimeve me interesat e tyre përmes një numri të gjerë të lëndëve zgjedhore. Kjo krijon hapësirë që secili student të ndërtojë një profil më të përshtatur me drejtimin ku dëshiron ta zhvillojë karrierën.
Mësimdhënia akademike mbështetet në praktikat dhe kurrikulat e programeve të njohura të studimeve të sigurisë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe në literaturën bashkëkohore. Në të njëjtën kohë, programi synon t’u përgjigjet nevojave të tregut të Kosovës dhe të krijojë aftësi që mund të përdoren në praktikën profesionale. Pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit mund të ndërtojnë karrierë në institucione dhe organizata ku kërkohen njohuri në siguri, analiza të rrezikut, menaxhim të emergjencave, politika publike dhe siguri kibernetike.
Mundësitë mund të përfshijnë institucione shtetërore, struktura të sigurisë, organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare, kompani private, institucione që merren me menaxhimin e emergjencave dhe organizata që kanë nevojë për ekspertizë në sigurinë e informacionit.
Formimi i fituar përmes programit u mundëson studentëve të zhvillojnë edhe aftësi kërkimore dhe analitike. Ata përgatiten për të lexuar dhe interpretuar zhvillimet politike dhe të sigurisë, për të ndërtuar argumente të bazuara në analizë dhe për të hartuar dokumente të rëndësishme për politika dhe vendimmarrje.
Në një realitet ku siguria kombëtare dhe siguria digjitale po bëhen gjithnjë e më të ndërlidhura, nevoja për profesionistë me njohuri të gjera dhe aftësi praktike po merr rëndësi të veçantë. Një krizë mund të kërkojë menaxhim institucional, një kërcënim mund të kërkojë analizë politike, ndërsa një sulm ndaj sistemeve kritike mund të kërkojë ekspertizë kibernetike.
Programi Studime të Sigurisë në UBT synon t’i përgatisë studentët pikërisht për këtë realitet: të kuptojnë rreziqet, të analizojnë situatat, të propozojnë zgjidhje dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave të sigurisë.
Me dy mundësi specializimi – Siguria Nacionale dhe Emergjencat Civile dhe Siguria Kibernetike – programi krijon një profil të gjerë akademik dhe profesional për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në një fushë ku analiza, përgjegjësia dhe aftësia për të reaguar ndaj sfidave të reja janë thelbësore.
Lajmet nga UBT
Sistemet e Informacionit në UBT: Nga analist i sistemeve te specialist i të dhënave
Published
2 days agoon
August 15, 2026By
UBTNews
Rreth 170 milionë vende të reja pune pritet të krijohen në mbarë botën deri në vitin 2030, ndërsa teknologjia, inteligjenca artificiale, të dhënat dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi kërkesat e tregut të punës. Kështu vlerëson World Economic Forum në raportin “Future of Jobs Report 2025”, ku profesionet e lidhura me teknologjinë, të dhënat dhe inteligjencën artificiale renditen ndër ato me rritjen më të shpejtë të kërkesës.
Pikërisht në këtë realitet të ri profesional pozicionohet edhe programi Bachelor në Sistemet e Informacionit në UBT, i cili synon të përgatisë profesionistë që dinë ta lidhin teknologjinë me të dhënat, biznesin dhe nevojat e organizatave.
Programi – Sistemet e Informacionit është ndërtuar mbi një qasje që e sheh teknologjinë jo vetëm si mjet teknik, por si pjesë të rëndësishme të funksionimit dhe zhvillimit të një organizate. Sot, sistemet e informacionit janë pjesë e produkteve, shërbimeve, operacioneve dhe proceseve të menaxhimit. Ato ndihmojnë kompanitë dhe institucionet të organizojnë informacionin, të analizojnë të dhënat, të përmirësojnë proceset dhe të marrin vendime më të informuara.
Për këtë arsye, kurrikula e Sistemeve të Informacionit në UBT ndërthur disa fusha të rëndësishme. Krahas njohurive në informatikë, studentët marrin bazë në matematikë, statistika, komunikim dhe funksionet e biznesit. Kështu duke i mundësuar studentit të kuptojë jo vetëm mënyrën se si ndërtohet një sistem, por edhe problemin që ai sistem duhet të zgjidhë.
Gjatë studimeve, studentët zhvillojnë aftësi për të analizuar probleme, për të identifikuar kërkesat e nevojshme teknologjike dhe për të hartuar, zbatuar dhe vlerësuar sisteme, procese dhe programe kompjuterike. Një pjesë e rëndësishme e formimit lidhet edhe me aftësinë për të punuar në grup, për të komunikuar në mënyrë efektive dhe për të përdorur teknikat dhe mjetet që kërkohen në praktikën profesionale.
Kjo qasje lidhet drejtpërdrejt me objektivat e programit, të cilat synojnë që të diplomuarit të jenë në gjendje të aplikojnë njohuritë e informatikës dhe matematikës, të analizojnë probleme dhe të ndërtojnë zgjidhje që përmbushin objektivat e përcaktuara. Po ashtu, programi synon të zhvillojë te studentët aftësinë për të kuptuar ndikimin e teknologjisë në individë, organizata dhe shoqëri, në nivel lokal dhe global.
Një element i rëndësishëm është edhe orientimi drejt nevojave të industrisë. Kurrikula është konceptuar për të përgatitur të diplomuar që mund të hyjnë në pozitat fillestare në fushën e Sistemeve të Informacionit, por që njëkohësisht të kenë bazën e nevojshme për të ndërtuar një karrierë afatgjatë.
I diplomuari në Sisteme të Informacionit nuk kufizohet vetëm në një rol teknik. Formimi i tij e vendos në pikën ku takohen teknologjia, biznesi, të dhënat dhe menaxhimi.
Në tregun e punës, kjo mund të përkthehet në mundësi për të punuar si analist i sistemeve të informacionit, analist biznesi, specialist i teknologjisë së informacionit, administrator i sistemeve, specialist i të dhënave, koordinator i projekteve teknologjike dhe në role të tjera që kërkojnë aftësi për të analizuar dhe përmirësuar mënyrën se si organizatat përdorin teknologjinë dhe informacionin.
Kërkesa për këto aftësi po rritet edhe në tregjet ndërkombëtare. Profesionet e lidhura me sistemet, të dhënat, sigurinë e informacionit dhe zhvillimin teknologjik janë ndër ato që pritet të kenë rritje të ndjeshme gjatë viteve të ardhshme. Kjo e bën një formim të gjerë dhe të përshtatshëm me zhvillimet teknologjike veçanërisht të rëndësishëm për të rinjtë që synojnë një karrierë në këtë sektor.
Programi Bachelor në Sistemet e Informacionit në UBT është ndërtuar pikërisht për këtë realitet. Në vend të një përgatitjeje të kufizuar në një teknologji të caktuar, studentët marrin një bazë të gjerë që u mundëson të përshtaten me ndryshimet e tregut dhe të vazhdojnë zhvillimin profesional edhe pas përfundimit të studimeve.
Kurrikula përfshin edhe komponentë që forcojnë aftësitë analitike dhe sasiore, përmes matematikës dhe statistikave, ndërsa kurset e komunikimit synojnë të zhvillojnë aftësinë për të komunikuar qartë dhe profesionalisht. Njohuritë nga fusha e biznesit u japin studentëve mundësinë të kuptojnë proceset, ekonominë dhe funksionet që qëndrojnë pas organizatave ku teknologjia zbatohet.
Kështu, studenti nuk përgatitet vetëm për të punuar me një sistem, por për të kuptuar të gjithë mjedisin në të cilin ai sistem funksionon.
Në një treg pune ku ndryshimi teknologjik është bërë pjesë e përditshmërisë, një nga aftësitë më të rëndësishme është edhe gatishmëria për të mësuar vazhdimisht. Programi synon pikërisht këtë: të krijojë profesionistë me bazë të fortë akademike dhe praktike, por edhe me aftësi për t’u zhvilluar më tej gjatë karrierës.
Sistemet e Informacionit, në këtë kuptim, ofrojnë një profil që shkon përtej idesë tradicionale të një profesioni vetëm në teknologji. Është një fushë ku njohuritë teknike kombinohen me analizën, komunikimin dhe kuptimin e biznesit.
Për studentët që duan të hyjnë në botën e teknologjisë, por dëshirojnë një profil më të gjerë dhe më fleksibil, Bachelor-i në Sistemet e Informacionit në UBT ofron një rrugë që mund t’i çojë nga auditorët drejt roleve ku teknologjia përdoret për të zgjidhur probleme reale dhe për të krijuar vlerë në organizata.
Vendi
Automobilistika, zhvillimi i dronëve, robotika dhe space engineering, profesione të reja që mund t’i studiosh në UBT
Published
3 days agoon
August 14, 2026By
UBTNews
Automobilistika, automjetet elektrike, robotika, dronët, inteligjenca artificiale, prodhimi i mençur dhe teknologjitë hapësinore nuk janë më vetëm tema të së ardhmes. Në UBT, këto fusha po bëhen pjesë e një programi bashkëkohor të Inxhinierisë Mekanike, duke u ofruar të rinjve në Kosovë mundësinë të përgatiten për profesionet dhe industritë që po ndryshojnë botën.
Këtë perspektivë synon të sjellë programi Bachelor i Shkencave në Inxhinieri e Mekanike në UBT – një program që ndërthur bazat e forta të inxhinierisë me teknologjitë moderne dhe mundësitë e specializimit në fusha që po transformojnë industrinë globale.
Për herë të parë, automobilistika si një nga drejtimet e specializimit
Një nga elementet më tërheqëse për gjeneratën e re të studentëve është Inxhinieria e Automjeteve.
Në vend që automobilistika të shihet vetëm si mekanikë tradicionale, studentët njihen me zhvillimet e reja të industrisë së automjeteve dhe me teknologjitë që po ndryshojnë mënyrën se si projektohen, prodhohen dhe përdoren automjetet.
Përmes këtij koncentrimi, studentët mund të orientohen drejt fushave si:
- Dinamika e Automjeteve;
- Sistemet e Automjeteve;
- Automjetet Hibride dhe Elektrike;
- Mirëmbajtja dhe Diagnostifikimi i Automjeteve;
- Siguria dhe Standardet e Transportit.
Kjo e bën automobilistikën një nga mundësitë më interesante për të rinjtë që e shohin veten në industrinë e automjeteve të gjeneratës së re – nga automjetet elektrike deri te sistemet inteligjente të transportit.
Nga ideja e një droni te Inxhinieria Aeronautike
Një tjetër drejtim që mund të tërheqë veçanërisht të rinjtë është Inxhinieria Aeronautike.
Studentët mund të eksplorojnë fusha si aerodinamika, dinamika e fluturimit, strukturat dhe materialet e avionëve, sistemet shtytëse dhe të fuqisë, mekanika e lodhjes dhe thyerjes, si dhe mjetet ajrore pa pilot – dronët.
Kjo do të thotë se një student me pasion për teknologjinë ajrore nuk duhet ta shohë më këtë fushë si diçka që i përket vetëm industrive të huaja.
Nga projektimi i një strukture fluturuese deri te zhvillimi i sistemeve për mjete ajrore pa pilot, aeronautika mund të bëhet pjesë e rrugëtimit të tij akademik në Kosovë.
Hapi tjetër: teknologjitë hapësinore dhe Space Engineering
Njohuritë në aerodinamikë, materiale, sisteme shtytëse, mekanikë, automatizim dhe mjete ajrore krijojnë bazë për t’u orientuar edhe drejt fushave të avancuara të Space Engineering dhe teknologjive të lidhura me eksplorimin dhe sistemet hapësinore.
Për një gjeneratë që është rritur me satelitët, misionet hapësinore, raketat e ripërdorshme dhe teknologjitë autonome, kjo përfaqëson një mundësi për ta parë inxhinierinë nga një këndvështrim krejt tjetër.
Nga projektimi i një komponenti mekanik deri te sistemet që duhet të funksionojnë në kushte ekstreme – inxhinieria hapësinore fillon me bazat e forta inxhinierike.
Robotë, inteligjencë artificiale dhe fabrika të mençura
Koncentrimi Prodhimi i Mençur i orienton studentët drejt teknologjive si:
- Robotët industrialë;
- Fabrikat e mençura dhe IoT në industri;
- Inteligjenca Artificiale në sistemet e prodhimit;
- Teknologjitë e prodhimit aditiv;
- Mirëmbajtja parashikuese dhe monitorimi i gjendjes.
Studenti nuk përgatitet vetëm për të kuptuar se si funksionon një makinë, por edhe për të kuptuar se si makinat mund të komunikojnë, automatizohen dhe funksionojnë në sisteme të integruara.
Një nga komponentët më të rëndësishëm të programit është orientimi praktik.
Laboratorët ofrojnë mundësi për punë me sisteme të avancuara të prodhimit dhe automatizimit, duke përfshirë sisteme fleksibile të prodhimit, PLC, pneumatikë dhe elektropneumatikë, sensorë, sisteme matëse, motorë AC, robotikë dhe teknologji të tjera të përdorura në industri.
Studentët mund të mësojnë përmes projekteve, eksperimenteve, simulimeve, punës laboratorike dhe praktikës profesionale, duke e lidhur teorinë e fituar në auditor me problemet reale të industrisë.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si mund të përjetohet studimi i inxhinierisë:
- më pak teori të shkëputur nga realiteti dhe më shumë mundësi për të projektuar, ndërtuar, testuar dhe përmirësuar.
Pesë rrugë, një profesion i së ardhmes
Programi u jep studentëve mundësinë që gjatë studimeve të orientohen në fusha të ndryshme të Inxhinierisë Mekanike:
Inxhinieri e Dizajnit dhe Prodhimit
Për ata që duan të projektojnë produkte, të punojnë me CAD/CAM, CNC, metoda të elementeve të fundme dhe teknologji moderne të prodhimit.
Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtëritshme
Për studentët që duan të merren me energjinë e së ardhmes, sistemet e ngrohjes, ventilimit, kondicionimit, efiçiencën energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Prodhimi i Mençur
Për ata që duan robotë, AI, IoT, automatizim dhe fabrika inteligjente.
Inxhinieria e Automjeteve
Për të apasionuarit pas automobilistikës, automjeteve elektrike dhe hibride, sistemeve të automjeteve dhe teknologjive të transportit.
Inxhinieria Aeronautike
Për ata që ëndërrojnë avionët, dronët, aerodinamikën dhe teknologjitë ajrore.
Programi Bachelor i Shkencave në Inxhinieri e Mekanike zhvillohet në nivelin NQF 6 dhe përfshin 180 ECTS, me një strukturë studimore që kombinon lëndët fundamentale të inxhinierisë me specializime të orientuara drejt industrisë.
Gjatë studimeve, studentët përballen me matematikë, fizikë, mekanikë, shkencën e materialeve, CAD/CAM, termodinamikë, inxhinieri elektrike dhe elektronike, prodhim, sisteme mekatronike, automatizim dhe menaxhim të projekteve – përpara se të thellohen në fushën e tyre të preferuar.
Kjo krijon një profil të gjerë profesional: inxhinier që kupton mekanikën, teknologjinë, prodhimin dhe sistemet moderne.
Industria po kërkon profesionistë që dinë të mendojnë përtej një disipline të vetme.
Lajmet
Kimi Aplikative në UBT – Një program që hap rrugën drejt karrierës në shkencë, industri dhe inovacion
Published
4 days agoon
August 13, 2026By
UBTNews
UBT vazhdon të zgjerojë mundësitë për studentët që synojnë të ndërtojnë një të ardhme profesionale në shkencë, teknologji dhe industri, duke ofruar Programin Kimi Aplikative, program ky i dizajnuar për t’i pajisur studentët me njohuri të avancuara shkencore dhe aftësi praktike të kërkuara në tregun bashkëkohor të punës.
Programi Kimi Aplikative në UBT ka për qëllim të formojë profesionistë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshme industriale, mjedisore dhe shkencore përmes aplikimit të njohurive kimike dhe qasjeve inovative. Përmes kombinimit të bazës teorike me punën praktike laboratorike, studentët krijojnë një kuptim të thellë të proceseve kimike dhe mësojnë se si këto njohuri mund të aplikohen në situata konkrete dhe në zgjidhjen e problemeve reale.
Gjatë studimeve, studentët kanë mundësi të thellojnë njohuritë në fusha të rëndësishme të kimisë, përfshirë kiminë organike, inorganike, fizike dhe analitike, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet aplikimit të kimisë në shkencën e materialeve, industrinë farmaceutike, mbrojtjen e mjedisit dhe proceset industriale. Kjo qasje u mundëson studentëve të ndërthurin njohuritë teorike me praktikën, duke zhvilluar aftësi për të analizuar, eksperimentuar dhe gjetur zgjidhje për probleme konkrete.
Një nga veçoritë e rëndësishme të programit është orientimi drejt kërkimit shkencor dhe nevojave të industrisë. Studentët inkurajohen të zhvillojnë të menduarit kritik, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe përgjegjësinë profesionale e etike, duke u përgatitur për një treg pune që kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca të avancuara shkencore dhe praktike.
Këto njohuri dhe kompetenca krijojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional pas përfundimit të studimeve. Të diplomuarit në drejtimin Kimi Aplikative mund të ndërtojnë karrierë në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë industrinë farmaceutike, energjinë, mbrojtjen e mjedisit, laboratorët, industrinë prodhuese, shkencën e materialeve, si dhe fushën e kërkimit dhe zhvillimit. Për më tepër, përgatitja e tyre u krijon mundësi për angazhim në projekte shkencore dhe profesionale, si në Kosovë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm i programit Kimi Aplikative në UBT është licensimi ndërkombëtar, i cili u krijon të diplomuarve mundësi më të gjera për angazhim profesional përtej tregut vendor. Ky orientim ndërkombëtar u mundëson profesionistëve të fushës, në përputhje me kërkesat dhe procedurat e vendeve përkatëse, të zgjerojnë mundësitë e tyre për zhvillim të karrierës dhe të jenë më të përgatitur për konkurrencën në tregun global. Kështu, studentët e UBT-së përgatiten jo vetëm për nevojat e tregut të punës në Kosovë, por edhe për mundësi profesionale në laboratorë, industri, institucione kërkimore dhe kompani ndërkombëtare.
Në kuadër të misionit të tij akademik, UBT synon të krijojë një mjedis inovativ dhe dinamik, ku studentët mund të zhvillohen profesionalisht, të angazhohen në kërkime dhe të bashkëpunojnë në projekte që kontribuojnë në zhvillimin shkencor, ekonomik dhe shoqëror. Përmes një arsimi të orientuar drejt standardeve globale dhe kërkesave të shekullit XXI, UBT synon të përgatisë profesionistë të aftë për të sjellë ide të reja dhe për të kontribuar në zgjidhjen e sfidave të së ardhmes.
Në një kohë kur shkenca dhe teknologjia po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në zhvillimin e shoqërisë, programi Kimi Aplikative përfaqëson një mundësi të veçantë për të rinjtë që duan ta shndërrojnë pasionin për kiminë në një profesion me perspektivë. Për studentët që kërkojnë një program që ndërthur shkencën, praktikën, inovacionin dhe mundësitë e karrierës, Kimi Aplikative në UBT është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje profesionale, si në Kosovë, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar.
Apliko në UBT dhe bëhu pjesë e gjeneratës së re të profesionistëve që do të krijojnë zgjidhjet shkencore dhe teknologjike të së ardhmes.
Sulmohet nga hakerët ueb-faqja e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit
Fruthi në Kosovë, 137 raste të konfirmuara – 25 të reja vetëm gjatë javës së fundit
Siguria nacionale dhe kibernetike: dy rrugë specializimi për një karrierë në fushën e sigurisë në UBT
Sfidat dhe shpresat e Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”
Gjini: Infiltrimi i shërbimeve sekrete në institucionet e Kosovës po ndikon në shtet dhe demokraci
Tre të vrarë, mes tyre një grua shtatzënë, pas sulmit me armë në Spanjë
Aksident i rëndë në Unazën e Madhe në Tiranë, përmbyset kamioni dhe karrotreci – lëndohet një person
Rodri mbërrin në Barcelonë: Transferimi prej 76 milionë eurosh drejt finalizimit
Abdixhiku refuzon ftesën e Haxhiut, PDK dhe Aleanca gjithashtu nuk marrin pjesë në takim
Të kërkuara
-
Lajmet2 weeks agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport2 weeks agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet2 weeks agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet2 weeks ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë

