Lajmet

​Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili duket se nuk arriti t’i bindë ata për një takim trepalësh me të martën në Bruksel.

Bislimi u takua dy herë me Lajçakun të martën paradite dhe tha për gazetarë pas takimit se një takim trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi.

Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh. Por kryenegociatori serb Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë Serbe.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyçe siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një çështje kyçe është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, tha Petkoviq.

Ai konfirmoi se i ka dorëzuar të Lajçakut një listë të serbëve të arrestuar të cilët, sipas Petkoviqit, janë “të burgosur politikë”.

Zyra e Kryeministrit njofton se ky takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.

“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve. Zëvendëskryeministri shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.

“Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final. Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces”.

Në komunikatë thuhet po ashtu se sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.

“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, thuhet në njoftim./REL

lajme

Skandali me spiunazh kinez: Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, pranon aferën jashtëmartesore

Published

on

By

Jensen Huang, bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit të inteligjencës artificiale Nvidia, është përfshirë në një skandal të madh personal dhe gjeopolitik pas raportimeve se ka pasur një marrëdhënësi jashtëmartesore me një grua të dyshuar si spiune e inteligjencës kineze.

Raportimet e New York Times bëjnë të ditur se shërbimet amerikane të inteligjencës kishin identifikuar Alice Huang (e njohur edhe si Huang Le), ish-ekzekutive në kompaninë e qendrave të të dhënave Megaspeed me seli në Singapor, si person të rekrutuar nga agjencitë kineze të zbulimit. Përgjimet e inteligjencës zbuluan komunikimet e saj me Huang, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë kombëtare.

Lidhur me ngjarjen, 63-vjeçari Huang ka reaguar me anë të një deklarate publike ku pranoi tradhtinë bashkëshortore, duke shprehur keqardhje të thellë ndaj bashkëshortes së tij Lori dhe dy fëmijëve të tyre:

“I kam qenë i pabesë gruas sime. Veprimet e mia e kanë lënduar atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë arsyetim për atë që kam bërë. Më vjen thellësisht keq.”

Bordi i drejtuesve të Nvidia-s ka njoftuar nisjen e një hetimi të brendshëm, por për momentin ka konfirmuar besimin te udhëheqja e Huang, duke pasur parasysh edhe peshën financiare të kompanisë e cila kap vlerën e rreth 4.5 trilonë dollarëve. Skandali vjen në një periudhë delikate të rivalitetit teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës, ku Nvidia luan një rol kyç në furnizimin e tregut global me çipa të avancuar të inteligjencës artificiale. /BBC/

Continue Reading

lajme

Moti sot në Kosovë: Reshje shiu, vranësira dhe mjegull në mëngjes

Published

on

By

Moti sot në Kosovë do të jetë kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me riga të lokalizuara shiu.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), në orët e hershme të mëngjesit në shumë zona të vendit parashihet të ketë prani të mjegullës, e cila mund të vështirësojë dukshmërinë në komunikacion.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës parashikohet të arrijnë nga 6 deri në 11 gradë Celsius. /E.A/

Continue Reading

lajme

Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë: Sindikata e Infrakos hyn në grevë, pezullohen të gjitha linjat

Published

on

By

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë sot, më 9 nëntor, si pasojë e grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.

Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni me numër 4201, i nisur nga Prishtina në orën 07:50, është ndalur në Fushë-Kosovë pasi Infrakos ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00.

Pas këtij treni, të gjitha linjat e tjera hekurudhore janë pezulluar deri në normalizimin e plotë të situatës.

Trainkos ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët, duke theksuar se shërbimet e transportit do të rikthehen sapo të krijohen kushtet e nevojshme, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim. Punëtorët e Infrakos kishin paralajmëruar këtë grevë qysh gjatë protestës së mbajtur më 26 tetor para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Kërkesat e tyre kryesore përfshijnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, duke drejtuar akuza ndaj bordit dhe menaxhmentit për mosplotësimin e tyre. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosovari Rexhep Rexhepi fiton çmimin kryesor “Aiguille d’Or” që njihet si “Oscari” i orëndreqjes

Published

on

By

Orëndreqësi me origjinë nga Kosova që jeton dhe vepron në Zvicër, Rexhep Rexhepi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” gjatë ceremonisë madhështore të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).

Ky çmim, i cili konsiderohet si “Oscari” i industrisë së prodhimit të orëve, ishte i hapur për të gjitha kategoritë. Rexhepi triumfoi me modelin e tij “Chronograph Flyback”, duke pasuar gjigantin e industrisë Breguet që e kishte fituar atë një vit më parë.

Ora fituese dallon për përmasat elegante dhe fushën në ngjyrë blu të errët të punuar me teknikën tradicionale Grand Feu, e frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit. Çmimi zyrtar i orës fituese është 150 mijë franga zvicerane, rreth 160 mijë euro, mirëpo vlera e saj në tregun e koleksionistëve pritet të jetë dukshëm më e lartë. Rexhepi e nisi karrierën e tij si praktikant 15-vjeçar te kompania e njohur Patek Philippe, ndërsa sot udhëheq markën e tij të pavarur në Gjenevë.

 

Në këtë edicion të GPHG-së garuan 84 orë dhe mekanizma kohorë në 14 kategori të ndryshme. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, ku për herë të parë organizatorët hoqën ndarjet gjinore duke prezantuar kategori të reja teknike si Essential Watch dhe Complication Watch.

Continue Reading

Të kërkuara