Lajmet

Bislimi përmend tri kushte për formimin e Asociacionit

Ai ka thënë se sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë.

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka thënë të martën Parlamentit Evropian në Bruksel se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”.

Ai ka thënë se sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë.

Bislimi ka përmendur se 60 për qind e serbëve në Kosovë jetojnë jashtë pjesës veriore të vendit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Bislimi e ka përmendur Asociacionin kur e ka diskutuar marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën është arritur pajtueshmëri të hënën në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se marrëveshja e përfshin edhe një pikë që parasheh zbatimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën në dialog, por që ajo duhet të sqarohet.

“Ky paragraf duhet të detajohet. Së pari të bëjmë një analizë të marrëveshjeve nga e kaluara. Sepse nuk ka kuptim të diskutohet për disa marrëveshje që janë tejkaluar dhe të cilat tash zgjidhen me marrëveshjen e fundit. Si për shembull marrëveshjet për njohjen e vulave, kadastrat, e tjera, nëse me këtë marrëveshje njihen të gjitha dokumentet. Pra, duhet të shohim se cilat marrëveshja janë akoma të vlefshme, e cilat janë tejkaluar tashmë”, ka thënë ai.

Në debatin e zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shumica e euro-deputetëve e kanë përshëndetur arritjen e pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt.

Bislimi ka thënë se tani fokusi mbetet te darkodimi për planin për zbatimit të marrëveshjes.

“Ajo për çfarë u pajtuam është se nuk do të diskutohet më propozimi, por do të fokusohemi në pjesën e dytë, që është edhe më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me implementimin. Duhet ta fokusojmë energjinë që të dizajnojmë planin për të shmangur paqartësitë, si dhe për të sqaruar obligimet e të gjitha palëve që dalin nga kjo marrëveshje, si dhe sekuencimin e aktiviteteve që do të pasojnë. Duhet të caktohen edhe afatet kohore dhe modalitetet e monitorimit të zbatimit”, ka thënë Bislimi teksa u është përgjigjur deputetëve.

“Vetëm plani i duhur i zbatimit do të sigurojë se kjo nuk do të mbetet vetëm një nga 34 marrëveshjet që janë arritur deri më tash, por ajo do të krijojë një ndryshim pozitiv në raporte”, ka thënë mes tjerash Bislimi.

Bislimi ka përmendur edhe se Kosova pret që të diskutohen edhe obligimet që ekzistojnë për shuarjen e të gjitha strukturave paralele

Duke diskutuar për zhvillimet e 27 shkurtit, Bislimi ka thënë se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – të ndryshojnë qëndrimin e tyre pas kësaj marrëveshjeje.

“Duhet të ketë unifikim të qëndrimit në BE edhe nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nëse vendet e BE-së kanë arritur të kenë qëndrim unik rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, e kanë edhe më të lehtë të pajtohen për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Serbia ka obligim që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, nuk ka më arsye as nga ndonjëra prej pesë vendeve të BE-së që të mos e mbështesin Kosovën, për shembull në anëtarësim në Këshillin e Evropës, apo në procesin e integrimit në BE”, ka dekaruar Bislimi.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara