Lajmet

Bislimi për Rregulloren e re të BQK-së: Qeveria do të dalë me një listë masash

Numri dy i Qeverisë foli edhe për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Published

on

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ekzekutivi ka ndërmarrë disa hapa që e mbështesin ekonominë në komunat veriore, ndërsa këto komuna i sheh me potencial për gjenerimin e energjisë së ripertritshme.

Në tryezën e organizuar nga Qendra për Dialog Humanitar me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, numri dy i Qeverisë foli edhe për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Me këtë vendim, Bislimi tha se ka për synim rritjen e sigurisë të sistemit bankar dhe sistemit të pagesave.

Bislimi ka shtuar se elementi i parë ka qenë proporcion tejet i madh i shfrytëzimit të monedhave 500 euro në qarkullim. Ai tha se përvojat e muajit të kaluar, kanë treguar se rregullorja e BQK-së ishte e qëlluar.

“Hapi i parë është mbështetja që i ofrojmë ndërmarrjeve, ne këtë e bëjmë përmes programeve të mbështetjes së subvencioneve ne mënyre indirekte. Një mbështetje tjetër që e bëjmë është edhe përmes rritjes së ekonomisë. Mbështetja tjetër është edhe fuqizimi i kërkesës agregate. Dhe shtylla e katërt është mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore e cila mbështet përmes tri kanaleve. Kemi dizajnuar një projekt shumë të madh të BE-së, një program i cili do të mbështeste bashkëpunimin dhe koordinimin e komunave me shumicë serbe me komunat tjera”, tha ai.

E sa i përket Rregullores së BQK-së për dinarin serb, zëvendëskryeministri ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim që të merret me as një monedhë dhe se ky vendim është marrë për t’i mbrojtur qytetarët nga paratë false. Ai ka shtuar se e treta ka qenë çështja e importimit e eksportimit të monedhave në tërësi, përfshirë edhe dollarëve amerikanë, lekëve shqiptarë e dinarit serb.

“Të gjitha monedhave në Kosovës, për të cilat duhet vendosur një ligjshmëri. Kjo është kërkesë e Procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit SEPA nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e nuk mund të anëtarësohesh këtu pa arritur të konsolidosh sistemin e pagesave brenda territorit të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se në afatshkurtër, zbatimi i kësaj mase do të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve që kanë marrë e vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. BQK-ja ka nxjerrë një varg aktivitete e masa që synojnë të zbusin këtë ndikim. Në ditët në vijim edhe Qeveria do të dalë me listë prej 10 masave”, ka shtuar Bislimi.

E ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, foli për masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ndihmesën nga komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

“Mbi të gjitha dua të ju kujtoj që në vitin e kaluar kemi publikuar për herë të parë konkurs publik, kishim rreth 3500 qytetarë që kishin aplikuar. Nga këto 3500 persona ka pasur kategori të ndryshme por që një numër të tyre të madh kemi arritur që t’a pranojmë aplikimin, për ndërtim shtëpish. Kemi dashur që për herë të par të i qasemi problemin dhe jo ta bëjmë ad-hoc që të kemi konkurse. Vitin e kaluar për herë të parë kemi nisur punën për data bazën për të gjithë të kthyerit. Shkurti i viti të kaluar ka treguar që ne jemi të hapur dhe ka treguar që të gjitha ata që kanë të drejt mund të na drejtohen. Dhe strategjia që është miratuar që ka një peshe financiare rreth 32 milionë euro, në 4 vitet e ardhshme do të jetë për kategoritë nga këto 32 milionë euro do të kemi edhe programin ekonomik dhe për kthim”, deklaroi ai.

Gordana Doriq, nga Shoqata e Grave Afariste “Avenija”, tha se gjendja ekonomike në mjediset serbe është kaotike, ndërsa vendimet që i ka ndërmarrë Qeveria i quajti të tmerrshme. Tha se me këto vendime po ndihmon me largimin e serbëve.

“Për sa i përket gjendjes ekonomike në gjendja është kaotike dhe kjo po zgjatë për shumë vite. Këto fjalë që i dëgjova janë tregime të bukura por sinqerisht nuk kanë për të dhënë ndonjë efekt të madh që seriozisht do të ndodh zhvillimi ekonomik në mjediset serbe. Ne në këto vite, nuk kemi ndjerë këtë për më tepër qeveria e tashmë edhe hapat që po i ndërmerr për këto dy vite është e tmerrshme. Ajo po e fuqizon largimin e serbëve nga këto dhe jo fuqizimin e serbeve. Është dëmtuar ekonomia edhe me këto vendime shkelin edhe shumë marrëveshje të tjera. Ndalimi i dinarit sa do që ka arsye ky është vendim ad-hoc, me ndërprerjen e dinarit ju krijoni një situatë kaotike”, tha ajo.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara