Lajmet

Bisedimet për Qipron: Fronte të ashpërsuara

Published

on

Në bisedimet e reja për Qipron në Gjenevë, OKB kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për ishullin e ndarë. Por konfliktet mes Athinës dhe Ankarasë nuk e bëjnë të mundur kompromisin.

Janis Joanu rrallë i vë fre gojës. 59 vjeçari qipriot grek është sipërmarrës në Nikozia, kryeqytetin qipriot të ndarë. Nofka e tij është “Strovolitotis”, sipas emrit të lagjes, nga vjen. Në blogun me të njëjtin emër ai shkruan për gjithçka që është e rëndësishme për të, edhe për vendlindjen e tij Qipron dhe koklavitjen e situatës politike aty.

Joanu dëshiron që ishulli i ndarë për 47 vjet të bëhet sërish një shtet i bashkuar i grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, një shtet që njeh ekzistencën dhe nevojat e të dyja palëve, por kjo nuk u pëlqen shumë bashkëkombasve të tij. Në faqen e Facebook-ut nacionalistët qipriotë grekë e quajnë atë “mik të turqve”. Blogeri nuk ka mirëkuptim për këtë. “Duhet që gjithçka të shtrohet mbi tryezë. Kemi nevojë për një kuadër që përmban zgjidhje për të dy popujt.”

Në qendër të pjesës greke të ishullit bëhet e qartë situata politike. Në sheshe valëviten flamurët blu e të bardhë me rastin e 200-vjetorit të revolucionit grek kundër Perandorisë Osmane. Pas gardhit me gjemba që ndan qytetin ndodhet pjesa veriore e Nikozisë, kryeqyteti i pjesës turke. Aty valëviten flamuj të kuq me gjysmëhënën turke.

Plagët e historisë

Konfliktet mes dy popujve filluan në vitin 1963, tre vjet pas pavarësimit nga Britania e Madhe. Arsyeja: Presidenti i atëhershëm donte me referendum të zbuste ndikimin e qipriotëve turq në qeveri. 11 vite më vonë, më 20 korrik 1974 zbarkuan trupat turke në pjesën veriore të ishullit. Kësaj i parapriu një puç i gardës ushtarake të Qipros, që atëherë mbështetej nga junta ushtarake që sundonte në Athinë. Qëllimi: bashkimi i Qipros me Greqinë.

Megjithëse puçi dështoi, trupat turke nuk u larguan, por e vazhduan pushtimin. Pasuan masakra dhe gjakderdhje nga të dyja palët. Rreth 200.000 vetë u detyruan të largohen nga vendlindja. Rreth 1500 qipriotë grekë deri më sot konsiderohen të humbur, 200 qipriotë turq u vranë nga trupat paramilitariste të palës greke.

Ndarje për pesë dekada

Trupat turke në ishull, 20 korrik 1974

Që nga viti 1974 vija e demarkacionit ndan ishullin në jugun grek, Republika e Qipros e njohur në shkallë ndërkombëtare, anëtare e BE nga viti 2004, dhe “Republika Turke e Qipros Veriore”, që njihet vetëm nga Ankaraja. Në mes ndodhen trupat e paqes së Kombeve të Bashkuara, që janë stacionuar për të ndalur shkallëzimin ushtarak.

Më 23 Prill 2003 administrata turke ndryshoi rregulloret e udhëtimit. Që atëherë “vija e gjelbër” është e kalueshme dhe lidhjet mes banorëve u intensifikuan. Afrimi filloi, por ardhja e Coronës bëri që të mbyllen sërish kufijtë.

OKB kërkon zgjidhje

Tani Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka ftuar nga 27-29 Prill 2021 palët në një takim në Gjenevë. Ai kërkon të vlerësojë situatën, dhe nëse ka një bazë për një zgjidhje. Më parë këto përpjekje i bëri Kofi Annan. Me objektiv final një republikë federale me autonomi të gjerë për të dyja palët dhe një qeveri të përbashkët. Në një referendum pala turke e miratoi këtë plan, por ajo greke e refuzoi. Arsyeja: prezenca ushtarake turke. Annan donte ta reduktonte atë nga 40.000 në 6000 ushtarë. Por për shumë grekë qipriotë kjo nuk mjaftoi, sepse Turqia do të ruante rolin e saj si fuqi garatuese. Nga viti 2014-2017 u zhvilluan bisedime pa rezultat.

Pjesa turke e ishullit ndodhet nën ndikimin e Ankarasë

Një apo dy shtete?

“Ne duam të gjejmë një rrugë, ku të dy popujt të ndjehen të sigurtë, pa fuqi garantuese, pa trupa pushtuese, dhe sidomos pa varësinë nga palë të treta”, deklaroi presidenti grek i Qipros, Nikos Anastasiades para udhëtimit në Zvicër. Ai i mbetet besnik qëndrimit të tij për një shtet të bashkuar qipriot me dy shtete federale. Kurse për presidentin qipriot turk të veriut, Ersin Tatar të zgjedhur në tetor të vitit të kaluar kjo nuk shtrohet më si alternativë. Ai shkon në Gjenevë për të propozuar “vizionin e tij të ri për dy shtete sovrane që jetojnë krah njëra-tjetrës”. Këtë pozicion e kishte përforcuar më parë edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Presidenti i pjesës greke të Qipros, Nikos Anastasiades

Megjithë hendekun e pakapërcyeshëm në dukje mes palëve, OKB dhe Sekretari i Përgjithshëm, Guterres duken të vendosur për të penguar dështimin. Sepse tek Qiproja nuk bëhet fjalë vetëm për një ishull. Në rajonin lindor të Mesdheut gjendja është kritike prej muajsh. Vitin e kaluar, Mevlüt Çavuşoğlu e kërcënoi Greqinë me “Casus Belli” nëse Athina do ta zgjeronte me 12 milje zonën e saj të territoriale të ishujve grekë para brigjeve turke duke shkatërruar kështu pretendimet turke për rezervat e gazit në Mesdheun lindor. Para brigjeve qipriote mendohet se ka rezerva të mëdha gazi, që Greqia, Izraeli dhe Qiproja i pretendojnë për vete.

Presidenti i Qipros Veriore, Ersin Tatar

Konflikte mes Athinës dhe Ankarasë

Kësaj i shtohet edhe kursi antieuropian i presidentit Erdogan. Më parë çështja e Qipros ishte një mjet presioni kundër Turqisë, në negociatat e dikurshme të anëtarësimit mes Turqisë dhe BE-së. Por Turqia ka kohë që është larguar nga ideja e një anëtarësimi në BE. Frontet tani nuk janë aq të ashpërsuara mes Nikozisë Veriore dhe Jugore se sa mes Athinës dhe Ankarasë.

Alxandros Sarris nuk sheh shumë shpresa për një zgjidhje në Gjenevë. “Për mua do të ishte sukses, nëse palët në fund nuk do të ndahen me grindje”, thotë Sarris, i lindur në Greqi, sot Profesor për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Roterdamit. Ai e bën të qartë. “Ishulli është territori i vetëm në BE nën pushtim ilegal dhe ushtarak. Kjo nuk është çështje e mospajtimeve bilaterale, por e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Turqisë.”

Alexandros Sarris

Ankarasë për momentin i mungon mbështetja ndërkombëtare. SHBA u pozicionuan kundër Erdoganit, kurse tek Moska mungon besimi. Në një kohë që kthesa për çështjen e Qipros mund ta ndihmonte Turqinë. “Një zgjidhje e kësaj grindjeje mund të hapë rrugë për marrëdhënie më të mira mes Ankarasë dhe Brukselit.”

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

Lajmet

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara