Lajmet

Bie numri i emigrantëve të parregullt drejt BE përmes Ballkanit Perëndimor

Published

on

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (FRONTEX), e ashtuquajtura “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, që përfshin edhe Shqipërinë, këtë vit shënoi uljen më të madhe të emigrantëve të parregullt, krahasuar me të gjitha rrugët e tjera kryesore të migrimit drejt BE-së.

Sipas FRONTEX në nëntë muajt e këtij viti janë regjistruar rreth 17 mijë raste të emigrimit të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, një rënie prej 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pjesa më e madhe e emigrantëve të parregullt të evidentuar kanë qenë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

Sipas FRONTEX edhe numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian nga të gjitha rrugët e migrimit të parregullt ra me 42%, në rreth 166 mijë raste në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Rruga e Mesdheut Qendror regjistroi një rënie prej 64% në kalimet e parregullta kufitare, ndërsa kufiri tokësor lindor dhe rruga përmes Afrikës Perëndimore panë rritjet më të larta, përkatësisht me 192% dhe 100% të kalimeve të emigrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Tri vendet kryesore të origjinës së emigrantëve të parregullt që kanë synuar vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të FRONTEX, janë Siria, Mali dhe Ukraina.

FRONTEX tha se mbi tre mijë oficerë dhe personel janë vendosur në të gjithë Evropën, përfshirë dhe Shqipërinë për të ndihmuar në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së.

Sipas Analizës Strategjike të Riskut që FRONTEX publikoi pak kohë më parë për vitin 2024 “rrugët kryesore migratore, si ajo e Mesdheut Lindor, Qendror dhe Perëndimor dhe rruga e Afrikës Perëndimore, ka gjasa të ruajnë prurjet migratore të parregullta në të njëjtat përmasa edhe për vitet e ardhshme”.

Ndërkohë sipas analizës së FRONTEX, Ballkani Perëndimor, ndërsa ka shënuar rënie të ndjeshme në migrimin e parregullt, “vazhdon të jetë një rajon transit për trafikun e llojeve të ndryshme të drogës, të kontrabanduara ose të prodhuara në Evropë si kokaina, hashashi dhe droga sintetike”.

“Sekuestrimi i qindra tonëve drogë nga zbulimin i komunikimeve të koduara dhe mijëra arrestime në mbarë botën, treguan sipas Frontex një pamje alarmante të përmasave të krimit të lidhur me drogën në vitet e fundit”.

“Rrjetet e trafikut të drogës janë bërë më agresive, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të bërë një fitim të shpejtë duke ofruar sasi gjithnjë e më të mëdha”, thuhet në analizën e Frontex.

Lajmet

Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare

Published

on

By

Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.

Sipas Doganës se Kosovës, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar pas analizës së riskut. Gjatë skanimit me rreze X u identifikuan dyshime për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e veturës.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kontrolli u thellua dhe u konfirmua se në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit ishin fshehur mjete monetare të padeklaruara.

Vlera e dyshuar e shumës arrin rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot ne takim Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.

Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin zhvillimet aktuale në vend.

Gjithashtu, Kryetarja Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, në cdo fazë të zhvillimit të shtetësisë.

“Kryetarja Haxhiu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes  Kosovës dhe Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon 25 vite si institucioni me ndikimin më të madh ekonomik në arsimin jopublik

Published

on

By

Në jubileun e 25-vjetorit të themelimit, UBT po konfirmon edhe një herë pozicionin e tij si institucioni me numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat të arsimit të lartë në Kosovë, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Për një çerek shekulli, UBT ka ndërtuar jo vetëm një institucion arsimor modern, por një ekosistem të fuqishëm zhvillimi që gjeneron vende pune, inovacion dhe stabilitet ekonomik. Nga një fillim modest me pak akademik, sot UBT përfshin qindra profesorë, doktorë shkencash, ekspertë dhe profesionistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.

Rritja e vazhdueshme e stafit gjatë këtyre viteve reflekton vizion të qartë strategjik dhe investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor. Ky zgjerim nuk përfaqëson vetëm sukses institucional, por një kontribut konkret në uljen e papunësisë dhe fuqizimin e tregut të punës në Kosovë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se arritja e këtij jubileu përkon me një moment të rëndësishëm zhvillimor për institucionin.

“25 vjet më parë nisëm me një vizion për të ndërtuar një institucion që do të ndikonte realisht në zhvillimin e vendit. Sot, kur UBT është punëdhënësi më i madh në arsimin e lartë privat, mund të themi me bindje se kemi krijuar një model të qëndrueshëm që gjeneron dije, punësim dhe zhvillim ekonomik”, theksoi rektori Hajrizi.

Përgjatë këtij rrugëtimi, UBT ka investuar vazhdimisht në zgjerimin e kapaciteteve akademike, teknologjike dhe kërkimore, duke krijuar një mjedis profesional ku promovohen barazia gjinore, meritokracia dhe zhvillimi i vazhdueshëm.

Në 25-vjetorin e tij, UBT nuk feston vetëm historinë e suksesit, por konfirmon angazhimin për të vazhduar të jetë një shtyllë e ekonomisë së dijes dhe një motor i fuqishëm i punësimit në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

5 milionë euro për gratë ndërmarrëse dhe zhvillimin e zonave rurale në Kosovë

Published

on

By

Agjencia Franceze për Zhvillim, përmes Proparco, ka nënshkruar një marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK) në vlerë prej 5 milionë eurosh, me qëllim fuqizimin e grave dhe komuniteteve rurale.

Nga kjo shumë, 3 milionë euro janë të destinuara për gratë ndërmarrëse, ndërsa 2 milionë euro të tjera për projektet në zonat rurale.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, vlerësoi se këto kredi do të ndihmojnë në rritjen e përfshirjes së grave në biznes dhe zhvillimin e sipërmarrësve në komunitetet rurale. Ai shtoi se sa më shumë gra të jenë të përfshira në biznes dhe sektorin publik, aq më e fortë bëhet Kosova.

Drejtori ekzekutiv i AFK-së, Xhevdet Spahija, theksoi se bashkëpunimi me Proparco do të fokusohet kryesisht në kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, AFK ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.

Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon, u shpreh se partneriteti synon të bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës, duke fokusuar mbështetjen tek gratë sipërmarrëse dhe bizneset në zonat rurale, ku qasja në financa është më e kufizuar.

/Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara