Lajmet

Biden thirrje amerikanëve: Vaksinimi është tejet i rëndësishëm

Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit.

Published

on

Presidenti Joe Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe u shpreh se është “tejet e rëndësishme” për amerikanët që të vaksinohen kundër virusit ndërsa infeksionet po rriten përsëri.

Duke folur gjatë një takimi me pyetje-përgjigje nga publiku, në Cincinnati të shtetit të Ohajos, Presidenti Biden tha se kriza e shëndetit publik është kthyer kryesisht në një problem tek të pavaksinuarit. “Ne kemi një pandemi mes atyre që nuk i kanë bërë vaksinat është kaq e thjeshtë”, tha ai gjatë takimit të transmetuar nga rrjeti televiziv CNN.

Presidenti gjithashtu shprehu optimizëm se në muajt e ardhshëm autoritetet do ta miratojnë vaksinën për përdorim edhe tek fëmijët nën moshën 12 vjeç. Por ai kritikoi ata amerikanë që gëzojnë të drejtën të vaksionohen që ende hezitojnë ta marrin atë. “Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të futeni në njësinë kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni”, tha zoti Biden në forumin e Universitetin Mount St. Joseph. “Pra është tejet e rëndësishme që ne të gjithë të veprojmë si amerikanë që të kujdesemi për njëri-tjetrin”

Deklarata e presidentit vjen ndërsa në Shtetet e Bashkuara rastet me COVID-19 gati u trefishuan gjatë dy javëve të fundit mes një sulmi me informacione të rreme rreth vaksinave që po mbingarkon spitalet e po lodh mjekët. “Stafi ynë është i zhgënjyer”, thotë Chad Neilsen, drejtor i parandalimit të infeksioneve në “UF Health Jacksonville”, një spital në Florida, që po anulon operacionet e të tjera procedura për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të pavaksinuar e të infektuar me COVID-19, që janë shtruar aty. Sot në këtë spital janë 134 pacientë me COVID, nga një minimum prej 16 personash në mesin e muajit maj.

Në të gjithë SHBA-në, mesatarja javore e rasteve të reja ditore u rrit gjatë dy javëve të fundit në më shumë se 37,000 të martën, nga më pak se 13,700 në 6 korrik, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Zyrtarët e shëndetësise ia hedhin fajin variantit delta si dhe ngadalësimit të normave të vaksinimit. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vetëm 56.2% e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Në Luiziana, zyrtarët e shëndetësisë raportuan 5,388 raste të reja me COVID-19 të mërkurën, shifra e tretë më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Shtrimet në spital u rritën në 844 në të gjithë shtetin, nga 600 që ishin në mesin e muajit qershor. Autoritetet në Nju Orlins u kërkuan banorëve të rifillojnë të mbajnë maska brenda.

Utah raportoi 295 persona të shtruar në spital për shkak të virusit, shifra më e lartë që nga muaji shkurt. Gjatë javës së fundit në këtë shtet janë konfirmuar mesatarisht rreth 622 raste të reja në ditë, rreth trefishi i infeksioneve të shënuara në fillim të qershorit. Të dhënat shëndetësore tregojnë se rastet e reja janë pothuajse tërësisht të lidhura me njerëz të pavaksinuar.

Jeremy Johnson, pastori kryesor i një prej kishave më të mëdha të Misurit, flet rreth arsyeve që japin besimtarët për të mos u vaksinuar kundër COVID-19. Ai thotë se dëshiron që ata të dinë se jo vetëm është diçka e mirë që ata të vaksinohen, por se kjo është një gjë që Bibla e nxit. “Mendoj se një pjesë e madhe vjen prej frikës”, thotë pastori Johnson. “Ata thonë: “unë kam besim tek Zoti, jo tek shkenca. Por e vërteta është se shkenca dhe Zoti nuk janë dy gjëra mes të cilave ata duhet të zgjedhin”.

Aktualisht shumë kisha në Mizuri kanë klinika vaksinimi. Ndërkohë, rreth 200 udhëheqës kishash kanë nënshkruar një deklaratë duke u kërkuar të krishterëve të vaksinohen. Të mërkurën ato njoftuan një fushatë në vijim të kësaj çështjeje. Kundërshtimi ndaj vaksinimit është veçanërisht i fortë mes protestantëve ungjillorë të bardhë, të cilët përbëjnë më shumë se një të tretën e banorëve të Misurit, sipas një raporti të vitit 2019 nga Pew Research Center.

Të mërkurën kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se punonjësve të spitaleve si dhe atyre që punojnë në klinikat shëndetësore që menaxhohen nga autoritetet e këtij qyteti, do t’u kërkohet të vaksinohen ose të testohen çdo javë, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar rritjen e rasteve me COVID-19.

Urdhri i zotit De Blasio nuk do të zbatohet për mësuesit, punonjësit e policisë apo punonjës të tjerë të qytetit, por është pjesë e një përqendrimi intensiv të autoriteteve tek nevoja për vaksinim ndërsa infeksionet me variantin Delta po rriten. Numri i dozave të vaksinave që injektohen çdo ditë në këtë qytet ka rënë në më pak se 18,000, nga një kulm prej më shumë se 100,000 dozash në fillim të prillit. Rreth 65% e të gjithë të rriturve janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me rreth 60% të personelit në spitalet publike./VOA

Lajmet

Seanca konstituive e Kuvendit mbahet më 9 shtator

Published

on

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari në Facebook.

Ai ka thënë se deri atëherë pret që kjo marrëveshje të shoqërohet “me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.

“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Marta Kos anulon vizitën në Serbi pas glorifikimit të Ratko Mlladiqit

Published

on

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar se ka vendosur të anulojë vizitën e planifikuar në Serbi, pas reagimeve ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit pas vdekjes së tij.

Në një postim në platformën X, Kos ka thënë se Mlladiqi ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ajo ka theksuar se glorifikimi i tij është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës.

“Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kos.

Për këtë arsye, ajo ka vendosur që, në këtë moment, të mos e realizojë vizitën e planifikuar në Serbi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuza e parë për Prekazin: 35 të akuzuarit janë të gjallë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Sipas Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë janë persona të gjallë ndaj të cilëve do të zhvillohet procedura gjyqësore.

Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.

Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.

Ndërsa prokurori Valdet Gashi, ka thënë se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë. Ai e ka cilësuar rastin si shumë kompleks.

“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve”, është shprehur Gashi. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Dogana e Kosovës grumbullon mbi 1.3 miliard euro të hyra, shënohet rritje prej 6 për qind

Published

on

By

Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 1 miliard e 347 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë një vizite në këtë institucion, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e vlerësoi këtë ecuri si dëshmi të përmirësimit të vazhdueshëm të performancës ushtarake dhe administrative të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, për periudhën 2021–2025 rritja mesatare e të hyrave doganore ka tejkaluar gati trefish normën e rritjes ekonomike, me një total prej 8 miliardë e 380 milionë eurosh të mbledhura.
Në kuadër të reformave për lehtësimin e veprimtarisë afariste, është përmbyllur shtetëzimi i terminaleve doganore dhe është zbatuar deklarimi i mallrave para arritjes, masë kjo që ka reduktuar kohën e procesimit të mallrave me rreth 70 për qind. Paralelisht, me vënien në funksion të skanerit në Merdarë dhe avancimin e projekteve si Dritarja e Vetme Kombëtare dhe Tranziti i Përbashkët, institucioni ka forcuar kontrollin kufitar dhe luftën ndaj kontrabandës.
 /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara