Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përkujtoi masakrën e vitit 1921 kundër komunitetit afrikano-amerikan në Tulsa të Oklahomës, duke thënë se SHBA-ja duhet të mësojë nga një prej episodeve më të këqija të trazirave racore.
Për të shënuar 100-vjetorin e ngjarjes, Biden vizitoi qytetin e Tulsës, ku edhe zbuloi iniciativa të reja, që, sipas tij, do të adresojnë pabarazitë racore në pasuri, pronësi shtëpish dhe pronësi biznesesh.
“Ky nuk ishte rebelim, ishte masakër”, tha Biden para një audience në lagjen Grinvud, ndërsa dhunën racore e përshkroi si “njërën ndër më të këqijat në historinë tonë – por jo të vetmen”.
Biden është presidenti i parë amerikan që përkujtoi masakrën e një shekulli më parë.
Në vitin 1921, më 31 maj dhe 1 qershor, Tulsa u përfshi nga trazirat racore dhe vrasjet.
Tulsa, 1 qershor, 1921.
E gjitha filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë – një pretendim që nuk u dëshmua kurrë – dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.
Një turmë e afrikano-amerikanëve – shumë prej tyre të armatosur – në përpjekje për të parandaluar ekzekutimin, u përball me një turmë të njerëzve të bardhë – disa gjithashtu të armatosur – në gjykatën ku po mbahej Rowland, duke çuar në një konfrontim vdekjeprurës, që la të vdekur dhjetë të bardhë dhe dy afrikano-amerikanë.
Pastaj, protestuesit e bardhë vranë afrikano-amerikanë, plaçkitën shtëpi dhe u vunë flakën blloqeve të lagjes Grinvud të Tulsas.
Në vitin 2001, një komision shtetëror i Oklahomës regjistroi zyrtarisht 36 të vdekur: 26 afrikano-amerikanë dhe dhjetë të bardhë.
Por, disa historianë thonë se numri i të vdekurve arrin deri në 300 njerëz – shumica e tyre afrikano-amerikanë.
Gati 10,000 njerëz mbetën të pastrehë dhe biznese të panumërta u shkatërruan, duke i dhënë fund një qendre ekonomike dhe kulturore afrikano-amerikane.
Të mbijetuarve nuk iu dha asnjë kompensim dhe kompanitë e sigurimeve mohuan shumicën e pretendimeve të afrikano-amerikanëve.
Ngjarjet kryesisht munguan në librat e historisë deri në vitet e fundit.
Audienca në Tulsa duke dëgjuar fjalimin e presidentit Biden, 1 qershor, 2021.
“Për shumë gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua në heshtje”, tha Biden.
“Disa padrejtësi janë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme, aq të rënda, saqë nuk mund të varrosen, pa marrë parasysh se sa përpiqen njerëzit. Vetëm me të vërtetën mund të vijë shërimi”, tha Biden.
Biden, i cili pati mbështetjen e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u zotua se do të adresojë çështje të tilla si dhuna e policisë, racizmi dhe pabarazitë.
Qytetarët mirëpresin presidentin Biden në Tulsa, 1 qershor, 2021.
Biden njoftoi gjithashtu se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të udhëheqë përpjekjet për reformën e votimit, në përgjigje të atyre që demokratët i cilësojnë si përpjekje të republikanëve për të miratuar ligje që kufizojnë mundësinë e votimit.
Republikanët i mohojnë pretendimet e demokratëve, duke thënë se ligjet në disa shtete si Xhorxhia, në të vërtetë e zgjerojnë mundësinë e votimit dhe janë më përfshirëse se në një numër shtetesh të udhëhequra nga demokratët.
Biden gjithashtu shpalli disa iniciativa të reja, që administrata e tij shpreson se do të ndihmojnë për të ngushtuar hendekun e pasurisë midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, si dhe do të nxisin investimet në komunitetet afrikano-amerikane, duke zgjeruar qasjen e tyre në pronësinë e shtëpive dhe pronësinë e bizneseve të vogla.RFE
Disa deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë arritur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku pritet të mbahet një konferencë për media e paralajmëruar nga kjo parti.
Në mesin e deputetëve të pranishëm është edhe Artan Behrami, i cili përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur praninë e tij para objektit të Qeverisë.
Përmes këtij reagimi, Behrami i ka bërë thirrje organit kompetent që të thërrasë ditën e sotme seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. /E.A/
Miliona njerëz u bënë dëshmitarë të eklipsit më të rëndësishëm në Evropë prej dekadash të mërkurën, me Diellin që u zhduk prapa Hënës për disa çaste të shkurtra.
Vëzhguesit në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar panë Hënën të mbulonte më shumë se 90% të Diellit — mbulimi më i madh që nga viti 1999 — ndërsa pjesë të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës panë një eklips të rrallë të plotë.
Posa drita nisi të zbehej, turma njerëzish në të gjithë kontinentin ndërprenë atë që po bënin për të kthyer sytë nga qielli e për të parë zhvillimin e këtij spektakli. Disa brohoritën kur u zhdukën rrezet e fundit të Diellit, e të tjerë vështronin në heshtje.
Ata që ndodheshin në shtegun e eklipsit të plotë — zonat ku Hëna e bllokoi tërësisht Diellin — përjetuan errësirë për më pak se dy minuta, përpara se drita të niste të rikthehej.
Eklipsi i plotë nisi në majën e Siberisë në Rusi, me shtegun e ngushtë të mbulimit të plotë që gjarpëronte mes Islandës dhe Grenlandës, përpara se të drejtohej përmes Atlantikut drejt Spanjës veriore.
Vendi i fundit në tokë që pa eklipsin e plotë ishin ishujt e Majorkës dhe Menorkës, përpara se hija të zhdukej në Detin Mesdhe gjatë perëndimit të Diellit.
Spanja ishte një nga vendet më të mira për të parë eklipsin e plotë, me miliona turistë që zbarkuan në vend ditët e fundit për të parë ngjarjen.
Eklipsi i fundit i plotë në Spanjë kishte ndodhur më shumë se një shekull më parë, por vendi pritet të përjetojë një tjetër në gusht të vitit të ardhshëm. Mbulimi i plotë për atë eklips pritet të zgjasë më shumë se gjashtë minuta në disa vende, gjë që ka bërë që ai të pagëzohet si “eklipsi i shekullit”.
Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet kohë për të përjetuar një tjetër eklips si ky. Një eklips pjesor vitin e ardhshëm do të ketë një mbulim rreth 45% në disa rajone, por eklipsi i ardhshëm i plotë diellor në UK nuk do të ndodhë deri në shtator të vitit 2090. /BBC/
Hetuesit e Policisë së Kosovës nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar në pikën kufitare të Merdarës një shtetas të Kosovës me inicialet F.S., i dyshuar për veprën penale “Spiunazh”.
Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi intensiv të kryer nga autoritetet kompetente. Prokuroria Speciale bëri me dije se në bashkëpunim me Policinë do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Përmes një komunikate zyrtare, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë riafirmuan përkushtimin e tyre për ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme, me theks të veçantë ndaj atyre që cenojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. /E.A/
Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të dyshuarin Skender Llugiqi, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Kanosja”.
Skender Llugiqi dyshohet se gjatë një vizite në Kuvendin e Kosovës më 12 gusht 2026, ka kërcënuar ish-kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Incidenti ka ndodhur gjatë ditës së tretë të aktivitetit tradicional ku Kuvendi hap dyert për vizitorët nga diaspora.
Në disa pamje të publikuara në media, i dyshuari dëgjohet në sallën plenare teksa shprehet se Haradinaj “duhet të dënohet dhe të pushkatohet”.
“Nëse duhet me u dënu Millan Radoiçiqi 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me u dënu 40 vjet, 50, 100 vjet, duhet me u pushkatu”, dëgjohet të thotë ai para vizitorëve të tjerë.
Lidhur me ngjarjen, Prokuroria Speciale bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me organet e rendit për zbardhjen e plotë të rastit:
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit dhe vërtetimit të plotë të rrethanave të rastit të ndodhur të mërkurën në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe zyrtari i lartë i AAK-së, Ardian Gjini, i cili e ka dënuar gjuhën e përdorur dhe deklaratat e bëra kundër bashkëpartiakut të tij. /E.A/