Aktualitet

Biden përkujton masakrën e Tulsës: “Disa padrejtësi janë të llahtarshme”

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përkujtoi masakrën e vitit 1921 kundër komunitetit afrikano-amerikan në Tulsa të Oklahomës, duke thënë se SHBA-ja duhet të mësojë nga një prej episodeve më të këqija të trazirave racore.

Për të shënuar 100-vjetorin e ngjarjes, Biden vizitoi qytetin e Tulsës, ku edhe zbuloi iniciativa të reja, që, sipas tij, do të adresojnë pabarazitë racore në pasuri, pronësi shtëpish dhe pronësi biznesesh.

“Ky nuk ishte rebelim, ishte masakër”, tha Biden para një audience në lagjen Grinvud, ndërsa dhunën racore e përshkroi si “njërën ndër më të këqijat në historinë tonë – por jo të vetmen”.

Biden është presidenti i parë amerikan që përkujtoi masakrën e një shekulli më parë.

Në vitin 1921, më 31 maj dhe 1 qershor, Tulsa u përfshi nga trazirat racore dhe vrasjet.

Tulsa, 1 qershor, 1921.
Tulsa, 1 qershor, 1921.

E gjitha filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë – një pretendim që nuk u dëshmua kurrë – dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.

Një turmë e afrikano-amerikanëve – shumë prej tyre të armatosur – në përpjekje për të parandaluar ekzekutimin, u përball me një turmë të njerëzve të bardhë – disa gjithashtu të armatosur – në gjykatën ku po mbahej Rowland, duke çuar në një konfrontim vdekjeprurës, që la të vdekur dhjetë të bardhë dhe dy afrikano-amerikanë.

Pastaj, protestuesit e bardhë vranë afrikano-amerikanë, plaçkitën shtëpi dhe u vunë flakën blloqeve të lagjes Grinvud të Tulsas.

Në vitin 2001, një komision shtetëror i Oklahomës regjistroi zyrtarisht 36 të vdekur: 26 afrikano-amerikanë dhe dhjetë të bardhë.

Por, disa historianë thonë se numri i të vdekurve arrin deri në 300 njerëz – shumica e tyre afrikano-amerikanë.

Gati 10,000 njerëz mbetën të pastrehë dhe biznese të panumërta u shkatërruan, duke i dhënë fund një qendre ekonomike dhe kulturore afrikano-amerikane.

Të mbijetuarve nuk iu dha asnjë kompensim dhe kompanitë e sigurimeve mohuan shumicën e pretendimeve të afrikano-amerikanëve.

Ngjarjet kryesisht munguan në librat e historisë deri në vitet e fundit.

Audienca në Tulsa duke dëgjuar fjalimin e presidentit Biden, 1 qershor, 2021.
Audienca në Tulsa duke dëgjuar fjalimin e presidentit Biden, 1 qershor, 2021.

“Për shumë gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua në heshtje”, tha Biden.

“Disa padrejtësi janë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme, aq të rënda, saqë nuk mund të varrosen, pa marrë parasysh se sa përpiqen njerëzit. Vetëm me të vërtetën mund të vijë shërimi”, tha Biden.

Biden, i cili pati mbështetjen e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u zotua se do të adresojë çështje të tilla si dhuna e policisë, racizmi dhe pabarazitë.

Qytetarët mirëpresin presidentin Biden në Tulsa, 1 qershor, 2021.
Qytetarët mirëpresin presidentin Biden në Tulsa, 1 qershor, 2021.

Biden njoftoi gjithashtu se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të udhëheqë përpjekjet për reformën e votimit, në përgjigje të atyre që demokratët i cilësojnë si përpjekje të republikanëve për të miratuar ligje që kufizojnë mundësinë e votimit.

Republikanët i mohojnë pretendimet e demokratëve, duke thënë se ligjet në disa shtete si Xhorxhia, në të vërtetë e zgjerojnë mundësinë e votimit dhe janë më përfshirëse se në një numër shtetesh të udhëhequra nga demokratët.

Biden gjithashtu shpalli disa iniciativa të reja, që administrata e tij shpreson se do të ndihmojnë për të ngushtuar hendekun e pasurisë midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, si dhe do të nxisin investimet në komunitetet afrikano-amerikane, duke zgjeruar qasjen e tyre në pronësinë e shtëpive dhe pronësinë e bizneseve të vogla.RFE

Continue Reading

Lajmet

Ish-deputetët austriakë vizitojnë UBT-në

Published

on

Një grup i ish-deputetëve të Parlamentit Federal të Austrisë, bashkë me politikanë dhe ekspertë të angazhuar në fushën e arsimit dhe çështjeve sociale, vizituan Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e mirëpriti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me universitetet austriake, duke u angazhuar për të forcuar edhe më tej lidhjet akademike dhe shkencore. Ai gjithashtu falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që Austria ka ofruar për zhvillimin e arsimit dhe kërkimit në Kosovë.

Delegacioni austriak ishte i udhëhequr nga prof. Josef Höchtl dhe përfshinte personalitete të rëndësishme si dr. Ernst Wurz, Stefanie Zobl, dhe Franz Fuchs, ndërsa takimi u zhvillua në praninë e drejtuesve të UBT-së, si dhe të stafit akademik dhe administrativ të universitetit.

Delegacioni u informua për sukseset dhe arritjet e UBT-së, si institucioni më inovativ në Kosovë, që ka një pozicion të fortë si lider në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, si dhe për angazhimin e tij në zhvillimin e teknologjisë dhe bizneseve inovative.

Continue Reading

Lajmet

Eksperti ndërkombëtar i harduerit open source, Jo Hinchliffe, mbajti ligjëratë në UBT

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u zhvillua një ligjëratë e veçantë tematike nga eksperti ndërkombëtar në fushën e harduerit open source, Jo Hinchliffe, në kuadër të aktiviteteve para konferencës Software Freedom Kosova (SFK).

Ligjërata u organizua në bashkëpunim me FLOSSK dhe tërhoqi studentë, profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë nga fusha e inxhinierisë dhe harduerit inovativ.

Jo Hinchliffe, i njohur për projektet e tij kreative dhe pasionin që përcjell tek audienca, ka kontribuar rregullisht në Raspberry Pi Magazine, ndërsa gjatë karrierës së tij ka punuar në projekte të ndryshme të harduerit, përfshirë ndërtimin e raketave dhe zhvillimin e sistemeve inovative harduerike.

Në kuadër të ligjëratës me temën “Certifikimi i një projekti harduerik open source”, Jo Hinchliffe demonstronte dizajnimin e një komponenti në KiCad dhe shpjegonte procesin e aplikimit për certifikim të një projekti open source. Studentët u njohën me standardet ndërkombëtare të dizajnimit dhe certifikimit të projekteve harduerike open source, duke marrë këshilla praktike për zhvillimin e projekteve të tyre inovative.

Ky aktivitet ishte veçanërisht i përshtatshëm për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekatronike dhe fushave të ngjashme, të cilët shprehën interes të madh për zhvillimin e sistemeve harduerike dhe teknologjive moderne. Pjesëmarrësit vlerësuan mundësinë e jashtëzakonshme për të mësuar direkt nga një ekspert ndërkombëtar dhe për të marrë njohuri të vlefshme mbi praktikat më të mira në fushën e harduerit open source.

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Gazmend Ejupi, i ftuar në pritjen mbretërore të Mbreti Charles III për ekonominë krijuese

Published

on

Më 21 tetor 2025, profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Gazmend Ejupi, mori pjesë në një ngjarje të veçantë, me ftesë të British Council, organizuar në nder të Ekonomisë Krijuese të Ballkanit Perëndimor. Pritja u zhvillua nga Madhëria e Tij, Mbreti Charles III, në një atmosferë solemne dhe prestigjioze, ku u promovuan iniciativat që mbështesin krijimtarinë, artin dhe inovacionin në rajon.

Për profesor Ejupin, ky moment kishte një domethënie të veçantë personale. Si ish-banues i Londrës për 20 vite, ai u ndje i lidhur ngushtë me qytetin dhe kulturën britanike, duke shijuar një përvojë që ndërthurte kreativitetin, rrjetëzimin profesional dhe njohjen ndërkombëtare. Pjesëmarrja e tij thekson edhe njëherë kontributin e Kosovës në fushën e ekonomisë krijuese dhe artit digjital.

Gjatë pritjes, përfaqësues të artit, medias, teknologjisë dhe sektorit krijues nga e gjithë Ballkani Perëndimor patën mundësinë të ndajnë eksperiencat e tyre, të diskutojnë sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të ekonomisë krijuese dhe të ngrenë bashkëpunime të reja ndërkufitare.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rindërtimi pas konfliktit: Ekspertët e UBT-së prezantojnë sukseset e Kosovës në Pragë

Published

on

Profesori Lulzim Beqiri dhe profesori Bekim Ceko nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Towards Sustainable Reconstruction of Ukraine Cities”, të organizuar nën drejtimin e profesoreshës Vladimira Silhankova nga MIAS (Masaryk Institute for Advanced Studies) në kuadër të Czech Technical University në Pragë.

Konferenca kishte për qëllim identifikimin e sfidave të rindërtimit në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit dhe hartimin e strategjive zhvillimore nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendore. Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të universiteteve nga Çekia, Polonia, Sllovakia, Austria, Finlanda dhe Gjermania, si dhe universitete nga Ukraina, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve në fushën e rindërtimit urban dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi profesori Beqiri dhe profesori Ceko ndanë eksperiencat e vendit tonë në rindërtimin pas luftës. Ata prezantuan modele të strategjive të zhvillimit urban dhe praktika të suksesshme të projektimit dhe planifikimit hapësinor, të cilat mund të shërbejnë si shembull për Ukrainën në procesin e saj të rindërtimit.

Profesorët e UBT-së theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës, duke vënë në pah se përvoja e Kosovës mund të ofrojë mësime të vlefshme për vendet që kalojnë periudha të vështira pas konflikteve. Konferenca gjithashtu shërbeu si një mundësi për rrjetëzim dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike mes universiteteve të Evropës dhe Ukrainës.

Pjesëmarrja e profesorëve të UBT-së në këtë forum ndërkombëtar nënvizon angazhimin e institucionit për të kontribuar në diskutime globale mbi rindërtimin e qyteteve, zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin shkencor ndërkufitar.

Continue Reading

Të kërkuara