Aktualitet

Biden paralajmëron Rusinë kundër “aktiviteteve të dëmshme”

Biden ka nisur vizitën si President, me një paralajmërim ndaj Rusisë – “përballet me pasoja “të mëdha” nëse përfshihet në “aktivitete të dëmshme” tha ai.

Published

on

Presidenti amerikan, Joe Biden ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Shteteve të Bashkuara, me një paralajmërim ndaj Rusisë, duke thënë se ky vend mund të përballet me pasoja “të mëdha” nëse përfshihet në “aktivitete të dëmshme”.

Biden e ka bërë të qartë synimin e tij për të forcuar lidhjet me aleatët amerikanë, pas tensionimit të lidhjeve me administratën e paraardhësit të tij, Donald Trump.

Duke iu drejtuar trupave amerikane dhe familjeve të tyre në bazën ushtarake RAF Mildenhall në Suffolk, Biden ka thënë se do të ketë mesazh të qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne nuk duam konflikt me Rusinë. Ne duam marrëdhënie stabile dhe të parashikueshme, mirëpo unë kam qenë i qartë. Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen fuqishëm nëse Qeveria ruse përfshihet në aktivitete të dëmshme”.

Lidhjet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë në pikën më të ulët për një varg arsyesh.

Në muajin prill, Putin ka akuzuar fuqitë perëndimore se po tentojnë të përfshihen në punët e Rusisë dhe i ka paralajmëruar që të mos kalojnë “vijën e kuqe”.

Biden ka thënë se në secilën mundësi që do ta ketë gjatë këtij udhëtimi si president, do ta bëjë të qartë se “Shtetet e Bashkuara përkrahin demokracitë në botë që bashkohen kundër sfidave të mëdha dhe për çështjet që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen”.

Presidenti Biden ka arritur në Britani të Madhe të mërkurën.

Ai do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson për t’u pajtuar për “Kartën e re të Atlantikut”.

Kjo marrëveshje është hartuar si version modern i dokumentit për të cilin kanë arritur pajtueshmëri Ëinston Churchill dhe Franklin Roosevelt më 1941, me focus në sfidat si ndryshimet klimatike dhe siguria.

Përgjatë vizitës tetëditore në Evropë, Biden do të takohet me Mbretëreshën britanike Elizabeta II, me liderët e samitit të shtatë vendeve më të industralizuara dhe do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, për herë të parë si president.

Në fund të udhëtimit, Biden do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Gjenevë.

Shtëpia e Bardhë ka dhënjë shenja se Biden synon të diskutojë me homologun e tij rus “një varg çështjesh” duke përfshirë kontrollin e armëve, ndryshimet klimatike, përfshirjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, aktivitetet e Rusisë në fushën e krimeve kibernetike dhe burgosjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Samiti i G7-ës

Liderët tjerë të G7-ës do të arrijnë në Kornuall të Britanisë të premten dhe takimet do të zhvillohen përgjatë fundjavës.

Ky grup përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimi Evropian.

Temë kyçe e diskutimit do të jetë rimëkëmbja nga pandemia e koronavirusit, dhe një sistem më i fuqishëm global që mund t’i mbrojë të gjithë nga pandemitë tjera në të ardhmen.

Në këtë samit pritet të diskutohet edhe për çështje klimatike, si dhe ato të tregtisë.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë Pfizer, në gati 100 shtete në dy vjetët e ardhshme, kanë raportuar mediat amerikane.

Sipas një draft-komunikimi të parë nga Bloomberg News, liderët e G7-ës do të zotohen edhe për ndarje të 1 miliard dozave shtesë në vendet më pak të zhvilluara në vitin e ardhshëm.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

Live

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara