Lajmet
Biden: Nuk besoj që talibanët kanë ndryshuar
Biden: Mendoj se ata po kalojnë nëpër një krizë ekzistenciale.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai nuk beson se talibanët kanë ndryshuar dhe se, sipas tij, ata tani po kalojnë nëpër një “krizë ekzistenciale” lidhur me atë nëse duan legjitimitet në skenën botërore pasi morën pushtetin në Afganistan.
Kur u pyet gjatë intervistës për ABC – që u transmetua më 19 gusht – se nëse ai beson që talibanët kanë ndryshuar, presidenti Biden u përgjigj: “Jo”.
“Mendoj se ata po kalojnë nëpër një krizë ekzistenciale lidhur me atë nëse duan që të njihen nga komuniteti ndërkombëtar si qeveri legjitime. Nuk mendoj se ata duan një gjë të tillë”, tha Biden.
Fuqitë perëndimore po përballen me vendimin se a duhet të merren me talibanët, të cilët i kanë luftuar për pothuajse 20 vjet, pasi militantët më 15 gusht morën nën kontroll Kabulin, pas një ofensive të shpejtë ushtarake, ku morën nën kontroll shumicën e provincave afgane. Marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët ka rritur frikën se grupi fundamentalist do të rikthejë udhëheqjen brutale.
Liderët talibanë kanë thënë se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse – në suaza të parimeve të Islamit. Ata po ashtu janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, bazuar në ligjin islam.
Presidenti amerikan, Biden tha se kërcënimi nga al-Kaida dhe organizatat e lidhura me të “është më i madh në pjesë të tjera të botës sesa në Afganistan”, duke shtuar se bota nuk mund të injorojë “problemet në horizont” që paraqesin bashkëpunëtorët e al-Kaidës në Siri dhe në Afrikën Lindore, ku ai tha se kërcënimi për Shtetet e Bashkuara “është dukshëm më i madh”.
Biden po ashtu u pyet edhe për shqetësimet lidhur me trajtimin e grave dhe vajzave në Afganistan dhe ai tha se forca ushtarake nuk është përgjigja për këtë çështje.
“Ideja që ne të jemi në gjendje të rregullojmë çështjen e të drejtave të grave në mbarë botën përmes forcës ushtarake nuk është ide racionale. Ka shumë vende të botës ku gratë shtypen. Mënyra se si duhet ta trajtojmë këtë çështje është që të bëjmë presion ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar mbi ta, në mënyrë që ata të ndryshojnë sjelljen”, tha Biden.
Sipas Ligjit të Sheriatit, që talibanët imponuan kur udhëhoqën Afganistanin nga viti 1996 deri më 2001, grave dhe vajzave iu ndalua shkollimi dhe punësimi.
Po ashtu, gratë dhe vajzat ishin të detyruara që të mbuloheshin plotësisht gjatë daljes në publik dhe nuk mund të dilnin nga shtëpia pa shoqërinë e një të afërmi mashkull.
Më 18 gusht, Biden po ashtu ka thënë se forcat amerikane mund të qëndrojnë në Kabul edhe përtej 312 gushtit, që është data kur trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Afganistani. Qëndrimi më i gjatë në Kabul mund të ndodhë me qëllim që të evakuohen të gjithë shtetasit amerikanë.
You may like
Lajmet
Shtyhet seanca për miratimin e projektbuxhetit 2026
Published
2 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për shqyrtimin e buxhetit është shtyrë për ditën e hënë në orën 10:00.
Ky vendim erdhi pasi votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat kërkuan kohë shtesë për të analizuar dokumentin prej 700 faqesh.
Deputetët e opozitës u shprehën se analiza e detajuar e materialit është e nevojshme për të pasur hapësirë për propozime dhe amendamente.
Buxheti i paraparë kap vlerën e 4 miliardë eurove dhe përfshin, ndër të tjera, edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Sipas ministrit Murati, këtë pagë do ta përfitojnë ata që kanë mbi 12 muaj përvojë pune. Megjithatë, që ky projektbuxhet të hyjë në fuqi si ligj, ai duhet të miratohet domosdoshmërisht edhe në lexim të dytë.
Lajmet
Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore
Published
2 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për financim me Banka Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë euro.
Marrëveshja u miratua me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, të cilat erdhën nga deputetët e Lista Serbe.
Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.
Programi synon mbështetjen e reformave strukturore, forcimin e disiplinës fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se financimi është me normë interesi zero për qind dhe me periudhë grace prej gjashtë vjetësh para fillimit të kthimit. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat e dakorduara, duke bërë që mjetet të jenë tashmë në dispozicion pas ratifikimit.
Marrëveshja ishte nënshkruar më 19 prill 2024 dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të mbështetur stabilitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.
Lajmet
BE-ja rishikon fondet për Serbinë: Ligjet e reja për drejtësinë “zbehin besimin”
Published
3 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Bashkimi Evropian mund të bllokojë një pjesë të fondeve prej 1.6 miliardë eurosh (hua dhe grante) të dedikuara për Serbinë. Ky paralajmërim vjen pasi Beogradi miratoi disa ligje që, sipas Komisioneres për Zgjerim të BE-së, po “zbehin besimin” te përkushtimi i vendit ndaj shtetit të së drejtës.
Reformat për centralizimin e sistemit gjyqësor, të cilat hyrën në fuqi këtë javë, kanë nxitur kritika të ashpra nga gjyqtarët dhe prokurorët. Ata i shohin këto ndryshime si një mjet për të forcuar pushtetin e Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke dobësuar luftën kundër krimit të organizuar dhe duke penguar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, raporton Reuters.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi për Reuters se këto amendamente po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën e atyre në Bruksel që duan të ecin përpara me integrimin e Serbisë. Ajo konfirmoi se Komisioni po rishikon financimet në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një program ky që lidhet drejtpërdrejt me kushtëzime për sundimin e ligjit.
Ndonëse Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim që në vitin 2014, korrupsioni i përhapur dhe institucionet e dobëta kanë frenuar progresin. Ligjet e reja parashikojnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve dhe u japin më shumë pushtet kryetarëve të gjykatave mbi gjyqtarët e thjeshtë. Kritikët frikësohen se kjo do të asgjësojë pavarësinë e drejtësisë dhe do të rrezikojë hetimet e rëndësishme për korrupsionin e nivelit të lartë.
Ndërsa qeveria serbe ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka pretenduar se ligjet do ta bëjnë sistemin më efikas. Pas reagimeve negative, Serbia i është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion ekspertësh. Komisionerja Kos theksoi se BE-ja pret që, pas marrjes së këtij opinioni, ligjet të rishikohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. /Reuters/
Lajmet
Self: Mbështetje e palëkundur e SHBA-së për Kosovën dhe lidershipin e Osmanit
Published
4 hours agoon
February 13, 2026By
UBTNEWS
Kongresisti republikan Keith Self ka shprehur “besim jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan” të Kongresit amerikan në udhëheqjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një letër e tij mbështetëse, theksoi se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
Duke vlerësuar rolin e presidentes në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit, Self rikonfirmoi mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për objektivat strategjike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe thellimin e partneritetit euroatlantik.
“Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Kjo deklaratë konsiderohet një konfirmim i fuqishëm i mbështetjes amerikane për lidershipin e Presidentes Osmani dhe për drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Shtyhet seanca për miratimin e projektbuxhetit 2026
Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore
Iraku nis riatdhesimin e mijëra luftëtarëve të ISIS-it dhe kërkon mbështetje ndërkombëtare për sigurinë
REL:Konferenca e Munihut-Merz bën thirrje për “ringjalljen” e besimit transatlantik
Miratohet Plani i Rritjes: Kosova përfiton 882 milionë euro nga BE-ja
BE-ja rishikon fondet për Serbinë: Ligjet e reja për drejtësinë “zbehin besimin”
Self: Mbështetje e palëkundur e SHBA-së për Kosovën dhe lidershipin e Osmanit
LDK: Drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të vlejë për të gjithë
Ministrja “Diella” bëhet temë edhe në CNN
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet nga UBT2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT2 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
