Botë

Biden njofton 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.

Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.

Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.

Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.

Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.

Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.

Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.

Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare./REL/

Aktualitet

Mbështetja për Presidentin Donald Trump bie në nivelin më të ulët të presidencës së tij

Published

on

By

Rënia e nivelit të mbështetjes për Presidentin Donald Trump në pikën më të ulët të presidencës së tij raportohet nga Reuters, ku një shumicë e madhe amerikanësh janë të shqetësuar se lufta e SHBA-së me Iranin do të zgjasë për një kohë të gjatë, sipas një sondazhi Reuters/Ipsos që përfundoi të hënën.

Vetëm 33% e të anketuarve në sondazhin katërditor deklaruan se miratojnë punën e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa 64% e mosmiratojnë atë. Mbështetja për Trump, e cila ra nga 35% sa ishte në një sondazh të mbyllur më herët këtë muaj, është më e ulët se në çdo pikë të mandatit të tij aktual dhe ka barazuar nivelin më të ulët të mandatit të tij të mëparshëm, të arritur në dhjetor 2017.

Pasi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025 me pak më pak se gjysmën e vendit që mbështeste presidencën e tij, popullariteti i Trump këtë vit pësoi një goditje pasi ai urdhëroi sulme ndaj Iranit së bashku me aleatin e SHBA-së, Izraelin. Konflikti që pasoi paralizoi një të pestën e tregtisë globale të naftës, duke nxitur një rritje të çmimit të benzinës që po rëndon mbi familjet amerikane — si dhe mbi aleatët republikanë të Trump që mbrojnë shumicën parlamentare në zgjedhjet e nëntorit.

Trump, i cili bëri fushatë me premtime për të mbajtur inflacionin nën kontroll dhe për të shmangur luftërat e gjata, fillimisht u zotua se konflikti me Iranin do të zgjaste vetëm pak javë. Megjithatë, Irani është treguar rezistent dhe e ka mbajtur tregtinë e naftës përmes Strazit të Hormuzit në masë të madhe të bllokuar, madje edhe pse konflikti është qetësuar. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Tre të vrarë, mes tyre një grua shtatzënë, pas sulmit me armë në Spanjë

Published

on

Tre persona, përfshirë një grua shtatzënë, janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë pas një sulmi me armë në Isla Cristina të Spanjës.

Sipas autoriteteve, autori dyshohet se mbërriti me motor në një banesë në lagjen Rocío dhe hapi zjarr ndaj familjarëve, para se të largohej nga vendi i ngjarjes.

Në mesin e viktimave janë gruaja shtatzënë, njëri prej fëmijëve të saj dhe nëna e saj. Personi i katërt është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Hetuesit dyshojnë se sulmi mund të jetë i lidhur me një konflikt të mëhershëm mes dy familjeve dhe po hetohet si akt i mundshëm hakmarrjeje.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur kërkimet për autorin, i cili vazhdon të jetë në arrati./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Jared Kushner arrin në Izrael pas bisedave me Hamas-in për planin e paqes

Published

on

By

Siç raporton BBC, i dërguari i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka arritur në Izrael, ku pritet të takohet me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Takimi vjen pasi Kushner zhvilloi biseda të rralla me Hamas-in për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën të mbështetur nga SHBA-ja.

Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i Trump-it njoftoi se kishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamas-it dhe grupeve të tjera të armatosura në Gazë. Sidoqoftë, javën e kaluar Izraeli e hodhi poshtë planin prej 15 pikash të Trump-it, i cili po ashtu kërkon tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze. Tetë vende myslimane publikuan të dielën një deklaratë ku dënojnë refuzimin nga ana e Izraelit.

Trump udhëheq Bordin e Paqes, i cili u krijua si një organizatë ndërkombëtare fillimisht për të sjellë paqe në Gazë, por që më vonë u zgjerua për të përfshirë konfliktet në mbarë botën. Sipas BBC, një zyrtar palestinez tha se dhëndri i Trump-it u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamas-it, Khalil al-Hayya. Në një deklaratë të mëvonshme, Hamas u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes që ta “detyrojnë” Izraelin të miratojë planin e veprimit për hapat e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira për të mbajtur pushtetin, me një koalicion që përfshin ministra të cilët favorizojnë një linjë më të ashpër ndaj Gazës. Shumë izraelitë janë po ashtu skeptikë se Hamas është i gatshëm të çarmatoset.

Takimi i Kushner me Hayya thuhet të jetë i pari i këtij niveli që nga marrëveshja e armëpushimit për Rripin e Gazës e arritur vitin e kaluar. Në takim raportohet se morën pjesë edhe të dërguarit e Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov dhe ish-Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, së bashku me përfaqësues të Egjiptit, Katarit dhe Turqisë. Megjithëse nuk ka pasur një deklaratë zyrtare, bisedimet raportohet se u përqendruan në veprime konkrete për çarmatimin e Hamas-it, tërheqjen e trupave izraelite dhe përpjekjet humanitare.

Gjatë qëndrimit në Egjipt, Kushner u takua gjithashtu me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. Sipas medieve izraelite, Mladenov dhe Blair do të takohen po ashtu me Netanyahu-n me qëllim që të çojnë përpara planin e Trump-it. Kryeministri izraelit ka deklaruar se kërkon fillimisht çarmatimin e plotë të Hamas-it për të zbatuar marrëveshjen, duke theksuar se ushtria izraelite nuk do të kryejë asnjë tërheqje pa u çarmatosur realisht Hamas-i.

Netanyahu përballet me presion brenda kabinetit të tij për të vazhduar operacionet. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e cilësoi draftin si “të papranueshëm” dhe u shpreh favorizues ndaj “vrasjeve të targetuara”.

Pas refuzimit të planit nga Izraeli, pati një pauzë në sulmet ajrore izraelite në Gazë, megjithëse sulmet kanë vazhduar më pas. Armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor të vitit të kaluar mbetet zyrtarisht në fuqi, por ushtria izraelite ka kryer sulme pothuajse çdo ditë. Më shumë se 1,200 persona janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamas, shifra këto që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja, ndërsa Unicef raporton se të paktën 300 fëmijë kanë humbur jetën. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Zjarri në Kroaci lë 40 të lënduar, shtatë persona në respirator

Published

on

Zjarri i madh që përfshiu Omishin dhe zonat përreth në Kroaci ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit.

Shtatë pacientë ndodhen në respirator, përfshirë gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar. Mjekët kanë bërë të ditur se i riu është në gjendje të rëndë, por aktualisht nuk është në rrezik për jetën.

Të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie, por janë raportuar edhe dëmtime nga thithja e tymit dhe trauma gjatë evakuimit. Te pacientët me djegie të rënda, sipërfaqja e trupit e prekur varion nga 15 deri në 60 për qind.

Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të disa pacientëve në spitale në Zagreb, por mjekët kanë theksuar se kjo do të bëhet vetëm nëse gjendja e tyre është stabile.

Në mesin e të lënduarve janë kryesisht shtetas kroatë, por edhe dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një polak.

Ndërkohë, shërbimet mjekësore në Split janë përforcuar gjatë natës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ekspozuar ndaj tymit të mos krijojnë panik dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të simptomave serioze./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara