Kulturë

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë kushtuar studiuesit Injac Zamputi

Published

on

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka çelur një ekspozitë të veçantë dedikuar njërit prej figurave më të shquara të intelektualizmit shqiptar, historianit, studiuesit, kritikut dhe diplomatit, Injac Zamputi. Kjo ekspozitë përbën një homazh të merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushat e historisë, kritikës letrare dhe krijimtarisë letrare.

Vizitorët që do të kenë mundësinë të ndjekin këtë ekspozitë, do të ndeshen me një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprës së Injac Zamputit, një njeri që e ka shkrirë jetën e tij në pasionin për diturinë dhe ndriçimin e të vërtetave të fshehura të historisë. Ajo që do të ndihmojë përkujtimin e figurës së tij do të jetë jo vetëm pasuria e dokumenteve të ekspozuara, por edhe pasqyrimi i ndikimit të tij në fushat e historisë dhe letërsisë.

Injac Zamputi arriti të ngjitet në majat e mendimit kritik dhe akademik, duke ofruar një kritikë të hollë dhe të thellë të artit dhe letërsisë shqiptare. Ai e shprehu forcën e tij krijuese në prozë dhe poezi, ndërsa analizat e tij historike ndihmuan në hapjen e rrugës për zbulimin e aspekteve të panjohura të Shqipërisë nën pushtimin osman. Ajo që e dallon studimin e tij është intuita e një historianit të thellë, që çonte në zbërthimin e mistereve të kaluarës, duke zbuluar fakte dhe dokumente që më parë ishin mbajtur të fshehura nga historiografia tradicionale.

I lindur në Shkodër më 1910, Injac Zamputi ishte një personazh me një biografi të pasur dhe të ngarkuar me ngjarje, që përfshijnë gjithashtu dhe një lidhje të thellë me kulturën dhe historinë shqiptare. Gjyshi i tij nga ana e atit ishte një italian që u vendos fillimisht në Kavajë dhe më pas në Shkodër, një fakt që mund të ketë ndikuar në formimin e tij intelektual dhe mendimor. Pas Luftës së Dytë Botërore, Zamputi kaloi një periudhë të rëndësishme në Gjirokastër, ku shërbeu si mësues letërsie. Më vonë, ai u thirr në Tiranë pas hapjes së Institutit të Shkencave, ku iu besua dega e Historisë së Mesjetës.

Një nga kontributet më të vyera të Injac Zamputit për historiografinë shqiptare është themelimi i disiplinës së diplomatikës, një degë e cila merret me studimin e dokumenteve historikë. Diplomatikën e udhëhoqi me pasion dhe me një vëmendje të madhe për detajet, duke e kthyer atë në një nga disiplinat më të rëndësishme për studimin e historisë së Shqipërisë dhe të rajonit.

Ekspozita, e cila po zhvillohet në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të kuptojnë më thellë ndikimin dhe rëndësinë e figurës së Injac Zamputit në kulturën dhe historiografinë shqiptare. Përmes dokumenteve, shkrimeve dhe objekteve të tjera të ekspozuara, vizitorët mund të ndihen më afër një prej mendjeve më të ndritura të shekullit të kaluar, i cili la një pasuri të pashlyeshme në fushën e studimeve historike dhe letrare.

Në këtë përvjetor të veçantë, veprat dhe kontributet e Injac Zamputit do të vazhdojnë të rrezatojnë dritë për brezat e ardhshëm, duke kujtuar se kultura dhe historia e një kombi është ndërtuar mbi sakrificat dhe përkushtimin e individëve të tillë, të cilët kanë sjellë dritë dhe dije në errësirën e së kaluarës./UBTNews/

 

Continue Reading

Kulturë

Shqiptarët “pushtojnë” NBA-n, valle dhe muzikë tradicionale në parketin e Chicago Bulls

Published

on

By

Një moment i veçantë dhe plot krenari për komunitetin shqiptar është shënuar në një nga arenat më të mëdha të basketbollit në botë, gjatë një ndeshjeje të NBA.

Para përballjes mes Chicago Bulls dhe Phoenix SunsUnited Center, ansambli i komunitetit shqiptar në Illinois dhuroi një performancë mbresëlënëse me këngë dhe valle tradicionale.

Tingujt e muzikës shqiptare pushtuan sallën, ndërsa valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe emocion në parket. Publiku amerikan mbeti i mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të rrallë në skenën e NBA-së.

Kjo natë e dedikuar komunitetit shqiptar dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij  nga Shqipëria dhe Kosova deri në zemër të Chicago.

Momenti i veçantë tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar para botës bukurinë dhe pasurinë e traditave shqiptare.

Continue Reading

Kulturë

Premiera globale e filmit të ri të Malick më 26 maj

Published

on

Regjisori amerikan Terrence Malick pritet të rikthehet në skenën ndërkombëtare me filmin e tij të ri “The Way of the Wind”, i cili do të ketë premierë globale në Netflix më 26 maj.

Projekti, i cili ka qenë në montazh për rreth shtatë vite, konsiderohet ndër më ambiciozët dhe më personalët në karrierën e tij. Filmi sjell një portret shpirtëror të jetës së Jezusit, ndërsa ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes së publikut, duke rritur pritshmëritë për rikthimin e regjisorit.

Në reflektimet e tij, Malick thekson se arti nuk njeh kufij dhe se një imazh arrin te publiku pavarësisht vendndodhjes. Ai pranon rëndësinë e kinemave si hapësira të veçanta, por nënvizon edhe përvojën intime që ofron ekrani personal.

Vendimi për publikimin e filmit drejtpërdrejt në Netflix ka befasuar industrinë, duke shënuar një hap ndryshe për një autor të lidhur tradicionalisht me kinemanë.

“The Way of the Wind” pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm në krijimtarinë e Malick, duke vijuar eksplorimin e temave shpirtërore dhe estetike që e karakterizojnë stilin e tij.

Continue Reading

Kulturë

Italia blen kryeveprën e Rilindjes për 12.6 milionë euro

Published

on

Italia ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore, duke blerë një vepër të çmuar të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.

Bëhet fjalë për pikturën fetare “Ecce Uomo” të artistit Antonello da Messina, e cila ishte nxjerrë në ankand në New York. Vepra paraqet Jezusin me kurorë gjembash dhe një litar në qafë, në momentin kur Pontius Pilate ia dorëzon turmës për kryqëzim.

Piktura vlerësohet jo vetëm për rëndësinë e saj artistike, por edhe për historinë e veçantë që mbart. Ajo është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është ruajtur në një çantë lëkure, çka ka shkaktuar dëmtime në anën tjetër të panelit, ku paraqitet figura e Shën Jeronimit.

Kjo blerje vjen pak kohë pasi Italia investoi rreth 30 milionë euro për një portret të rrallë nga Caravaggio, një nga shpenzimet më të mëdha shtetërore për një vepër arti.

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një strategjie më të gjerë për të rikthyer në Itali vepra me rëndësi të veçantë dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun.

“Ecce Uomo” pritet të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos, përpara se të prezantohet edhe në institucione të tjera kulturore në të gjithë vendin.

Continue Reading

Kulturë

Kinematografia kosovare me projekt të ri ambicioz: “KARMA”

Published

on

Industria filmike në Kosovë po pasurohet me një tjetër projekt ambicioz. Filmi i metrazhit të gjatë “KARMA”, me regji dhe skenar nga Esat Fejza dhe producente Edona Kecmezi, pritet të vijë para publikut me një rrëfim të fuqishëm që ndërthur dramën, humorin dhe reflektimin social. Premiera do të mbahet më 16 prill 2026 në Cineplexx në Prishtinë dhe Prizren, duke u renditur ndër ngjarjet më të pritura kulturore të pranverës në vend.

“KARMA” sjell historinë e tre miqve që ribashkohen pas disa vitesh dhe vendosin të ndërmarrin një plan të pazakontë për të ndryshuar rrjedhën e jetës së tyre. Por vendimet e nxituara i përfshijnë në një zinxhir ngjarjesh të papritura, ku realiteti dhe absurdi përplasen vazhdimisht. Përmes një rrëfimi dinamik dhe shpesh provokues, filmi trajton idenë se askush nuk mund t’i shmanget pasojave të veprimeve të veta.

Në kastin e filmit bëjnë pjesë emra të njohur të skenës dhe ekranit kosovar, si Agron Shala, Labinot Lajçi, Xhemi Agaj, Agron Krasniqi, Ilir Prapashtica, Vedat Haxhiislami, Kumrije Hoxha, Bislim Muçaj dhe Melihate Qena, duke krijuar një ansambël të pasur artistik.

Projekti është realizuar nga Prolog Film L.L.C., në bashkëprodhim me G-On Film Production, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Me një kohëzgjatje prej 87 minutash dhe i realizuar në format 4K me audio True Surround 5.1, filmi synon të ofrojë një përvojë të plotë kinematografike për publikun.

Sipas regjisorit, “KARMA” nuk është vetëm një histori për t’u parë, por një përvojë që synon të nxisë reflektim. Filmi trajton tema si lakmia, tradhtia dhe dilemat morale në shoqërinë bashkëkohore, duke ftuar shikuesit të mendojnë për pasojat e zgjedhjeve që bëjnë në jetën e tyre.

Continue Reading

Të kërkuara