Lajmet nga UBT

Biblioteka e UBT-së po pasurohet me librat e publikuara nga stafi akademik

Published

on

“Arkitektura e ndërtesave Publike në Prishtinë:1945-1990”, është libri i ri i sapo publikuar i profesorit të UBT-së, Dr.Sc. Arbër Sadiki, libër që do ta pasuroj në aspektin akademik bibliotekën e UBT-së.

Ky libër, tashmë gjendet edhe në bibliotekat e UBT-së, ku studentët e Arkitekturës dhe Planfiikimit Hapësinor, sipas dekanit të fakultetit, Dr.Sc. Lulzim Beqiri, do të kenë mundësi të përdorin në hulumtime apo edhe për studime.

Dekani Beqiri falënderoi autorin për kontributin e dhënë, teksa shtoi se libra të tillë janë shumë përmbajtjesor për studentët.

Libri trajton një ndërlidhje në mes të faktorëve shoqëror e formësues të arkitekturës së ndërtesave publike të Prishtinës në periudhën kohore prej vitit 1945 deri në vitin 1990.

Kërkimi fillimisht është përqendruar në shqyrtimin e karakteristikave thelbësore shoqërore, kulturore dhe politike, në mënyrë që më pas të përcaktohet shkencërisht ndikimi i këtyre faktorëve në arkitekturën e ndërtesave publike në Prishtinë përgjatë periudhës së përcaktuar. Kjo nënkupton qasjen analitike ndaj të gjitha rrethanave shoqërore të kohës. Ndërtesat më domethënëse të kësaj kategorie të ndërtuara brenda periudhës kohore të cilën mbulon hulumtimi, sipas të gjeturave në libër janë valorizuar, sistemuar dhe krahasuar me ndërtesa të së njëjtës periudhë të ndërtuara në qytetet tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë.

lajme

Në UBT do të organizohet Konferenca Ndërkombëtare “TURK-COSE 2025” me pjesëmarrje nga pesë shtete

Published

on

UBT do të jetë nikoqir i Konferencës së VII Ndërkombëtare të Botës Turke për Shkencë dhe Inxhinieri – TURK-COSE 2025, e cila do të mbahet nga 13 dhe 14 nëntor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

Kjo ngjarje e madhe shkencore do të organizohet në formën fizike dhe online, duke mbledhur studiues, profesorë dhe kërkues nga e gjithë bota.

Konferenca organizohet në bashkëpunim mes UBT-së, Universitetit Kirgizo-Turk “Manas” (KTMU – Kirgizi), Universitetit Teknik të Azerbajxhanit (AZTU – Azerbajxhan), Universitetit “Akhmet Yasawi” (Kazakistan) dhe Universitetit “Niğde Ömer Halisdemir” (NOHU – Turqi).

TURK-COSE 2025 do të përqendrohet në tema bashkëkohore të fushave të ndryshme shkencore dhe teknologjike, përfshirë:

  • Teknologjitë e Informacionit dhe Telekomunikimit
  • Shkencat Natyrore dhe të Aplikuara
  • Shkencat Fizike dhe Teknike
  • Inxhinierinë e Ndërtimit dhe Teknologjitë Arkitekturore
  • Shkencat Bujqësore dhe Mjedisore
  • Transportin dhe Energjjinë e Rinovueshme

Në fokus do të jenë edhe konceptet moderne si Industria 4.0, Inteligjenca Artificiale, Interneti i Gjërave (IoT), Energjia e Gjelbër, dhe Qytetet e Mençura.

Në konferencë do të marrin pjesë folës nga të paktën pesë shtete të ndryshme, ndërsa gjuhët zyrtare të punimeve do të jenë: turqishtja, kazakishtja, kirgizishtja, azerbajxhanishtja, anglishtja dhe rusishtja.

Punimet e pranuara dhe prezantuara do të publikohen në Librin e Abstrakteve dhe Librin e Punimeve me ISBN, ndërsa versionet e zgjeruara në anglisht do të kenë mundësi botimi në revista të indeksuara si SCOPUS, TRDizin dhe Crossref.

Organizatorët ftojnë studiues, akademikë, profesionistë dhe studentë të diplomuar të kontribuojnë me punime shkencore që reflektojnë zhvillimet më të fundit në shkencë dhe inxhinieri.

Continue Reading

lajme

Vlerësohet lartë modeli UBT 5S në Kongresin e 61-të Botëror të Planifikimit Urban të organizuar nga ISOCARP

Published

on

Në kuadër të Kongresit të 61-të Botëror të Planifikimit Urban (ISOCARP 2025), Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka prezantuar online modelin inovativ të qytetit të mençur UBT 5S. Në këtë prezantim autor ishte edhe Drejtori i Institutit për Studime Urbane, Shqiprim Ahmeti. Ky model inovativ vendos Kosovën në qendër të modeleve ndërkombëtare për planifikimin urban dhe integrimin e teknologjisë në qytetet e së ardhmes.

Këtë vit, kongresi po mbahet në Riad të Arabisë Saudite, nën temën qendrore: “Qytetet dhe Rajonet në Veprim: Rrugët e Planifikimit drejt Qëndrueshmërisë dhe Cilësisë së Jetës”.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e qasjeve sistematike, përdorimit të teknologjive digjitale dhe prototipeve të vogla, për të krijuar një model të integruar që përfshin të gjitha grupmoshat dhe sektorët e një qyteti.

Aktualisht, ekosistemi përfshin rreth 17,000 persona dhe kombinon zona komunitare, arsimin, infrastrukturën, shërbimet shëndetësore dhe aktivitetet bujqësore, duke u mbështetur në teknologji si 5G për monitorim dhe analizë në kohë reale.

Pjesëmarrësit në kongres vlerësuan modelin e UBT-së si një shembull model të qytetit të mençur dhe rezilient, duke nënvizuar rolin kyç të universiteteve në udhëheqjen e inovacionit dhe planifikimit urban të qëndrueshëm.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell programin e mençur për sigurinë kibernetike në Konferencën më të madhe të IEEE-së për Teknologji dhe Siguri – “Smart Security for Smart Cities”

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi në Romë rezultatet e punës shkencore dhe inovative të ekipit të UBT-së dhe Universitetit të Sofjes për zhvillimin e programit të mençur për sigurinë kibernetike, i cili po implementohet tashmë në qytetin e mençur të UBT-së. Ky prezantim rriti interesimin e pjesëmarrësve, të cilët shtruan pyetje dhe shprehën kërkesën për implementimin e këtij modeli edhe në vende dhe sisteme të tjera në botë.

Gjatë Konferencës më të madhe të IEEE-së për Teknologji dhe Siguri, Rektori Hajrizi prezantoi temën “Advanced Techniques for Reconnaissance and Enumeration in Internal Network Security Assessments”, duke përfshirë rezultatet e punimeve shkencore të realizuara nga ai dhe kolegët nga UBT dhe Universiteti i Sofjes për Teknologji, në kuadër të programit për avancime shkencore.

Në kuadër të konferencës dhe panairit të teknologjisë, Rektori pati mundësinë të takojë përfaqësues dhe ekspertë nga ushtritë pjesë e Aleancës së NATO-s, ushtria italiane dhe amerikane, universitete të ndryshme nga e gjithë bota, si dhe përfaqësues të kompanive kryesore të sektorit teknologjik. Ai gjithashtu takoi Prof. DePonte, udhëheqësin e konferencës, me të cilin ranë dakord për nismat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit në fusha specifike.

Rektori Hajrizi prezantoi punën e bërë në UBT në fushat e shkencës dhe teknologjisë që lidhen me sektorin e mbrojtjes, sigurisë dhe menaxhimit të infrastrukturës kritike dhe të qëndrueshme, duke vënë theks të veçantë në sigurinë kibernetike, robotikë, teknologjinë e droneve, 5G, Internet of Things, Digital Twins dhe Inteligjencën Artificiale. Ai prezantoi gjithashtu një sërë projektesh të financuara nga UBT dhe Bashkimi Evropian, të cilat kanë rezultuar me produkte dhe aplikacione inovative.

IEEE është një nga organizatat më prestigjioze në botë, dhe punimet e saj vlerësohen jashtëzakonisht shumë ndërkombëtarisht. Prof. Dr. Edmond Hajrizi është anëtar i rregullt i IEEE-së dhe kontribuon prej vitesh me punime dhe organizimin e eventeve të saj. UBT ka një kontribut të spikatur në kuadër të konferencave të IEEE-së.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Fushata e klikimeve dhe e votave: Kur rrjetet sociale nuk përputhen me kutitë e votimit

Published

on

By

Autore: Diona Hajrizi dhe Diellza Beka – studente të vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT

Nga 13 shtatori, kur nisi fushata për raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë, e deri më 11 tetor, një ditë para mbajtjes së tyre, kandidatët për kryetar të kryeqytetit e zhvilluan fushatën e tyre elektorale jo vetëm në terren, por edhe në rrjetet sociale, duke synuar që të jenë “in” me kohën përmes platformave si Facebook dhe TikTok.

Megjithatë, rezultatet përfundimtare të raundit të parë nuk përputheshin gjithmonë me ato të klikimeve dhe shikimeve në platformat digjitale. Kjo tregon se angazhimi politik në Kosovë ende kërkon bashkërendimin mes fushatës tradicionale dhe asaj moderne, me një dominim të vazhdueshëm të asaj të parës – në shtëpi, kafene apo oda.

Fushata online: Kush ndikoi më shumë në publik

Të dhënat e grumbulluara tregojnë se kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, ishte më e klikuar dhe më e shikuar në rrjetet sociale sesa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ndonëse ky i fundit arriti të kualifikohej për në balotazh.

Rezultati përfundimtar i raundit të parë të zgjedhjeve për Prishtinën, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i renditi kandidatët kështu: Përparim Rama (LDK) mori 35 mijë e 595 vota, apo 33.71 për qind, Hajrulla Çeku (LVV) mori 35 mijë e 77 vota, apo 33.21 për qind, Uran Ismaili (PDK) mori 29 mijë 203 vota, apo 27.65 për qind, Bekë Berisha (AAK) mori 3 mijë 298 vota, apo 3.12 për qind, dhe Besa Shahini (PSD) mori 1 mijë 652 vota, apo 1.56 për qind.

Por në arenën digjitale, përparësitë ishin disi të ndryshme.

Uran Ismaili – më shumë shikime, më pak pëlqime

Postimet e kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, në Facebook arritën 16 milionë shikime, 230 mijë pëlqime dhe 3 mijë shpërndarje. Përmbajtja e tij ishte kryesisht e fokusuar në prezantimin e programit katërvjeçar dhe takimet me qytetarët.

Në TikTok, ai shënoi 10 milionë shikime, 250 mijë pëlqime dhe 40 mijë shpërndarje, duke shfrytëzuar trendet për të tërhequr vëmendjen e të rinjve. Me 26 milionë shikime gjithsej në të dy rrjetet, Ismaili del kandidati më i shikuar në total, por jo më i pëlqyeri.

Përparim Rama – dominim në Facebook

Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, numëroi 18 milionë shikime, 500 mijë pëlqime dhe 8 mijë shpërndarje në Facebook, ku fushata e tij u fokusua në projektet e realizuara dhe planin për katër vitet e ardhshme.

Në TikTok, Rama grumbulloi 2 milionë shikime, 60 mijë pëlqime dhe 8 mijë shpërndarje, duke u renditur i dyti për nga popullariteti në rrjetet sociale. Totali i tij në të dy platformat arriti në 20 milionë shikime dhe 560 mijë pëlqime.

Besa Shahini – mesazhe autentike dhe përmbajtje sociale

Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, u vlerësua për stilin e saj autentik në komunikim. Ajo kishte 7 milionë shikime, 28 mijë pëlqime dhe 1 mijë shpërndarje në Facebook, ndërsa në TikTok arriti 4 milion shikime, 60 mijë pëlqime dhe 2 mijë shpërndarje.

Videot e saj shpesh fokusoheshin në probleme konkrete të banorëve të Prishtinës, të cilat ajo i përcillte me ton empatik dhe të drejtpërdrejtë.

Hajrulla Çeku – aktiv në terren, më pak online

Kandidati i LVV-së, Hajrulla Çeku, kishte një prezencë më të kufizuar digjitale. Në Facebook regjistroi 4 milionë shikime, 170 mijë pëlqime dhe 6 mijë shpërndarje, ndërsa në TikTok arriti vetëm 150 mijë shikime, 4 mijë pëlqime dhe 600 shpërndarje.

Ai qëndroi i katërti për nga popullariteti në rrjetet sociale, megjithëse arriti të siguronte vendin e dytë në zgjedhje.

Ekspertët: Rrjetet sociale, pjesë e domosdoshme e politikës moderne

Eksperti i komunikimit digjital, Valon Kerolli, thekson se rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i fushatave zgjedhore në Kosovë, duke ndryshuar mënyrën e komunikimit me publikun.

Në Kosovë, rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i fushatave. Tek votuesit e rinj ndikimi i tyre është dominues. Politikanët e kanë kuptuar se komunikimi i shpejtë dhe direkt është më efektiv sesa format tradicionale”, deklaron Kerolli.

Ai shton se përmbajtja kreative dhe organike shpesh ka ndikim më të madh se reklamat e paguara.

Nëse përmbajtja është e mirë dhe autentike, ajo ka më shumë ndikim sesa reklamat. Politikanët duhet të përdorin video të shkurtra e dinamike, sepse këto konsumohen më shpejt dhe ndikojnë më shumë tek audienca e re”.

Ndërsa analisti politik Visar Xani thekson se rrjetet sociale kanë marrë rol qendror në politikën kosovare, duke zëvendësuar format tradicionale të komunikimit.

Çdo reagim, video apo postim mund të kthehet në temë dite dhe të ndikojë në orientimin e opinionit publik”, thotë Xani.

Sipas tij, autenticiteti dhe sinqeriteti i komunikimit janë faktorët që përcaktojnë besueshmërinë e një kandidati.

Kur komunikimi është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, votuesi e ndjen. Por kur përmbajtja bëhet vetëm marketing politik, efekti është i kundërt – krijon lodhje dhe dyshim tek publiku”.

Ai përfundon se, ndonëse rrjetet sociale krijojnë momentum dhe imazh, fitorja në zgjedhje ende varet nga kontakti real me qytetarin dhe struktura organizative në terren.

Rrjetet sociale krijojnë energji, por për fitore duhen edhe besueshmëria dhe kontakti real me qytetarin”.

Edhe pse fushatat digjitale e rritën dukshmërinë e kandidatëve, rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për Prishtinën treguan se shikimet dhe klikimet në Facebook e TikTok nuk garantuan fitore. Kandidatët që dominuan online nuk përputheshin gjithmonë me renditjen finale në kutitë e votimit, duke treguar se autenticiteti, angazhimi në terren dhe kontakti real me qytetarin mbeten çelësi i suksesit politik në Kosovë./UBTNews

Continue Reading

Të kërkuara