Lajmet

Betimi i 17 vullnetarëve të rinj, Osmani: Lidhja jonë me ShBA-të tejkalon lidhjet diplomatike

Published

on

Janë betuar 17 vullnetarët e rinj amerikanë të Korpusit të Paqes në Kosovë. Ky është grupi i tetë i vullnetarëve, ku deri më sot në Kosovë kanë ardhur mbi 200 gra e burra. Të njëjtit do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në shkollat e Kosovës, u tha në ceremoninë e betimit të tyre. Grupi i tetë i vullnetarëve do të shërbejnë për dy vjet në Kosovë.

Andrew Fellows në më pak se tre muaj është mësuar të mbajë fjalim në gjuhë shqipe, gjë të cilën nuk e kishte menduar para se të vinte në Kosovë.

“Kosova na mësoi rëndësinë e takimit në kafiteri, tani më shpesh takohemi dhe pijmë kafe sidomos ne që jetojmë në fshat. Ne gjithmonë duam të ndajmë përvojat tona me familje dhe me shkollë, si për shembull ‘çka ke hëngër ti sot’, ‘unë hëngra fli, unë hëngra pite me spinaq ose oriz me pulë’. Ne arritëm të njohim njëri-tjetrin më shumë, sepse ishte vështirë për të gjithë ne që të linim shtëpitë dhe familjet tona për dy vjet. Me mësimin dhe adaptimin tonë ne ndamë shprehje ‘çka me bo’, e cila na ndihmojë të përballojmë trajnimin dhe të tejkalojmë vështirësitë”, tha ai pas betimit.

Edhe Peter Appleby bën pjesën në grupin e 17 vullnetarëve të rinj, i cili tha se në fillim pak dinte për Kosovën.

“Kur erdhëm në Kosovë, dinim shumë pak për këtë vend por tani e kemi kuptuar që asgjë nuk krahasohet atë që sheh me sytë e t’u. E kemi parë që familja dhe komuniteti janë të domosdoshme, mirëpritja dhe pritja e mysafirëve janë të jashtëzakonshme dhe njerëzit kanë një kuptim të fortë të vetvetes dhe historisë”, shtoi ai.

Në betimin solemn të këtyre vullnetarëve, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se deri më tani kanë shërbyer mbi 200 vullnetarë në Kosovë.

“Përvoja juaj si vullnetarë në Kosovë do të ndihmojë në formësimin e jetës suaj në shumë mënyra pozitive. Shpresoj dhe pres që ju do ta përqafoni këtë rrugëtim dhe këtë mundësi dhe besoj shumë në ju. Kam qenë po ashtu më parë i bindur më parë se keni ndikim në jetërat e të tjerëve dhe në komunitetet në Kosovë. Jam tejet i bindur se ata do të kenë një ndikim të njëjtë tek ju. Si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës jam i përfshirë në raportet bilaterale dhe nuk kam se si të mos mendojë për këtë miqësinë që ju e trasoni dhe do ta zbatoni nëpërmjet zyrtarëve amerikanë këtu në Kosovë. Ju dëshiroj një sukses të jashtëzakonshëm dhe dy vjet, ndoshta pak sfiduese në Kosovë. Pres me padurim që të ju vizitojë në vendet e juaja”, tha Hovenier.

Presidentja Vjosa Osmani u ka uruar mirëseardhje grupit të tetë të vullnetarëve në Kosovë. Ajo tha se prezenca e vullnetarëve në Kosovë është shembulli më i mirë i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mirëserdhët në një tokë të pasur historike, divergjencë kulturore me peizazhe të mrekullueshme dhe në vendin me mikpritje shumë të mirë, siç e keni parë. Mirëserdhët në vendin e ndryshimit dhe inovacionit dhe rinisë. Sot jam e emocionuar që të mirëpres grupin e tetë të Korpusit të Paqes në Kosovë… Tani jeni pjesë e një komuniteti dhe jetëve tona, puna juaj qoftë në arsim apo zhvillim të komunitetit shkon shumë përtej detyrave të përditshme me çfarë do të ballafaqoheni. Ndikimi i shërbimit tuaj do të matet jo vetëm në projektet që i zbatoni, por shkathtësive që i ndani dhe në buzëqeshjen e fëmijëve. Këto janë gjurmët e vërteta të suksesit tuaj dhe trashëgimisë që secili prej jush do ta lë pas vetës. Është e rëndësishme që të reflektojmë në lidhje me fuqinë dhe thellësinë e partneritet në mes Kosovës dhe ShBA-ve, lidhja jonë tejkalon lidhjet diplomatike. Është rrënjësuar në vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë, shërbimit dhe ndjekjes të së ardhmes më të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Osmani.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se Korpusi i Paqes e ofron këtë mbështetje në Kosovë qysh nga viti 2014.

“Përveç mbështetjes në përmirësimin e mësimdhënies dhe të gjuhës angleze në Kosovë, programi i Korpusit të Paqes jep një kontribut të rëndësishëm edhe në aspektin e shkëmbimeve kulturore duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe përmirësimin e perspektivave dhe mënyrave se si të rinjtë tanë e shohin botën rreth tyre. Në Ministrinë e Arsimit e çmojmë lartë punën e palodhshme të vullnetarëve dhe stafit të Korpusit të Paqes në bashkëpunim me drejtorët e shkollave, mësimdhënësit me nxënësit tanë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies në shkollat tona. Deri më sot Kosova ka mirëpritur mbi 220 vullnetarë të Korpusit të Paqes, për të cilët shkollat tona dhe familjet kanë hapur dyert dhe kanë punuar e jetuar së bashku”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Carolyne Siganda ka prezantuar 17 vullnetarët, ku foli edhe për periudhën prej ardhjes së tyre në Kosovë.

“Përmes klasave intensive të gjuhës, kursantët mësuan gjuhën shqipe, serbe dhe boshnjake. Hulumtuan, shtjelluan historinë dhe kulturat e pasura të Kosovës, ata i zotëruan hapësirën e të mësuarit të Korpusit të Paqes dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë në gjuhë derisa disa po shoqëroheshin me familjet nikoqire dhe njiheshin me komunitetet. Ata u njohën me bujarinë dhe mikpritjen e banorëve të Kamenicës, Koretinit dhe Topanicës. Siç e pamë gjatë shëtitjes me kryetarin e komunës duke vizituar të afërmit e familjeve nikoqire edhe përgatitjen e pasulit me nikoqirët. Ky grup, siç e pamë, janë përballur me seanca të gjata të trajnimeve dhe mësime të ndërlikuara të gjuhës. Derisa disa po mësonin dy gjuhë, shqip, serbisht apo shqip dhe boshnjakisht”, deklaroi ajo.

Për 10 dhjetë javë me radhë, këta vullnetarë u njohën me bujarinë dhe mirëpritjen e Kamenicës, Koretinës dhe Topanicës.

Sot ata përfundojnë programin e trajnimit dhe fillojnë shërbimin dy-vjeçar në Kosovë. Disa si mësimdhënës të gjuhës angleze dhe disa si bashkëpunëtorë në mbështetje të komunave dhe organizatave jo-qeveritare.

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara