Lajmet
Beteja për pushtet në Serbi përmes blerjes së klubit Southampton
Pas blerjes së Southampton-it nga Sollak qëndron një betejë e ashpër për të drejtat e Premier Ligës në Serbi .
Published
4 years agoon
By
Betim GashiSerbia është e dhënë pas futbollit.
Dy klubet më të mëdha të kryeqytetit, Partizani dhe Cërvena Zvezda (Ylli i Kuq), bëjnë pjesë në një nga derbit më të ashpër sportiv në botë, dhe nëse ecni nëpër rrugët e Beogradit do të shihni mbishkrime të mbështetësve të këtyre dy klubeve në pothuajse çdo mur.
Bastoret, me tabela neoni, janë kudo dhe janë të mbushura me burra që pinë duhan pa ndalur dhe janë të përqendruar në ekranet televizive që shfaqin ndeshjet e asaj fundjave.
Futbolli serb u bë kryelajm në mediat ndërkombëtare javën e kaluar, pas njoftimit se Sport Republik, një firmë investimi e mbështetur nga magnati serb i mediave, Dragan Sollak, kishte blerë 80 për qind të aksioneve në ekipit Southampton F.C, që garon në Premier Ligën angleze. Këto aksione ai i bleu për 135 milionë dollarë.
Në Angli, 57-vjeçari Sollak është thjesht një tjetër miliarder i huaj i panjohur.
Por, pas blerjes së Southampton-it nga Sollak qëndron një betejë e ashpër për të drejtat e Premier Ligës në Serbi – një betejë që nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por me një luftë për media të pavarura në një shtet jodemokratik.
Në korrik të vitit 2021, gjiganti i telekomunikimit dhe medias i Sollakut, United Group, humbi nga Telekom Serbia – që mbështetet nga shteti – në një luftë për të drejtën e transmetimit të Premier Ligës angleze (EPL) në rajonin e ish-Jugosllavisë. Telekom e mposhti United Group me një ofertë që mesatarisht arrin në 100 milionë euro për një sezon gjatë periudhës 2022-2028. Kjo raportohet se është një rritje prej 700 për qind në krahasim me ofertën prej 12 milionë eurosh që kanali televiziv SportKlub – që është në pronësi të United Group – pagoi çdo vit në periudhën 2019-22.

Kjo ishte një shumë e madhe për Telekomin, më shumë se transmetuesit që operojnë në territore shumë të pasura dhe me popullsi shumë më të madhe. Në një intervistë për Danas, një gazetë e përditshme në pronësi të United Group, shefi ekzekutiv i SportKlub, Nemanja Simeunoviq tha se “Gjermania, Austria dhe Zvicra që të tria së bashku paguanin 25 milionë euro në vit [për EPL]”, ndërkaq Franca “ka paguar 40 milionë euro”.
Shuma vjetore është pothuajse trefishi i të gjitha fitimeve të Telekomit më 2020, që ishin vetëm 35 milionë euro. Banka Qendrore e Serbisë u desh që të emetonte bono qeveritare për të mbështetur ofertën për marrjen e të drejtave për transmetimin e Premier Ligës. Pjesa tjetër e shumës pritet të mbulohet nga kreditë që do të rrisin borxhin publik si dhe nga fondet e marra nga buxheti i shtetit.
Kjo ofertë kaq e shtrenjtë e Telekomit ka ngritur një pyetje të rëndësishme: Pse shteti serb do të paguante një shumë kaq të lartë për të drejtat e Premier Ligës?
Shumë dyshojnë se motivet e Telekomit janë kryesisht politike. United Group, që u themelua nga Sollaku më 2007, ka në pronësi disa media në Serbi që guxojnë ta kritikojnë Qeverinë e presidentit, Alleksandar Vuçiq. Ndër këto media janë Danas dhe stacionet televizive N1 dhe Nova-S, që nga aktivistët shihen si mbrojtës jetikë të demokracisë së paqëndrueshme të Serbisë.

Që kur hyri për herë të parë në Qeveri më 2012, Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka vendosur kontroll pothuajse të plotë mbi mediat vendase, duke ia shitur kompanitë e dikurshme shtetërore oligarkëve ose duke blerë besnikërinë e magnatëve të njohur të mediave me ofrimin e stimujve financiarë si për shembull kredi shtetërore me interes të ulët dhe lehtësime tatimore. Në këmbim, këta magnatë u siguruan që stacionet e tyre televizive dhe gazetat të shndërroheshin në zëdhënëse të Qeverisë, duke mbytur kështu raportimin kritik, duke qëndruar me të njëjtën linjë politike të Vuçiqit dhe duke sulmuar publikisht kundërshtarët e tij.
Kësaj strategjie shpesh i referohen me “kapje e mediave”, gjë të cilën, Anya Schiffrin, një akademike në Universitetin Colombia të Nju-Jorkut, e ka përshkruar si “një situatë në të cilën qeveritë ose interesat e lidhura me politikën e kontrollojnë median”.
Ajo ka thënë se “përderisa format tradicionale të censurës para publikimit të informacioneve nuk ekzistojnë më në shumë pjesë të botës, media nuk është ende vërtetë e lirë” kur ajo është kapur.
Sipas këtyre parimeve, mosdhënia e të drejtave të transmetimit të Premier Ligës nga United Group mund të jetë një përpjekje e Qeverisë për të ushtruar presion ndaj mediave që ka në pronësi kjo kompani dhe duke i marrë pjesë të tjera të të ardhurave të saj.
“[Telekom Serbia] drejtpërdrejt kontrollohet nga Qeveria [serbe] dhe Alleksandar Vuçiq”, tha profesori Marko Millosavlleviq, udhëheqës i Departamentit të Komunikimit në Universitetin e Lubjanës në Slloveni.
“Arsyetimi [prapa të drejtës së transmetimit] nuk është vetëm që Telekom të bëhet më i rëndësishëm, sa i përket tregut, por gjithashtu që të ulë fuqinë dhe prestigjin –kështu duket – të kundërshtarit kryesor politik. Dhe duket se ata e konsiderojnë United Group dhe zotin Dragan Sollak si një lloj kundërshtari politik”.
Përkatësia politike e Sollakut është vështirë të kuptohet. Vuçiq dhe vartësit e tij, në vitet e fundit kanë bërë përpjekje që ta lidhin Sollakun me ish-kreun e Beogradit dhe liderin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, Dragan Gjillas. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, pas blerjes së Shouthampton-it reagoi në Twitter: “Kjo blerje tregon qartë se çfarë lloj oligarike kishim… kur Serbia udhëhiqej nga partnerët politikë dhe biznesorë të Sollakut. E gjithë kjo [blerja e aksioneve] u arrit përmes përdorimit të parave të qytetarëve serbë, keqpërdorimit të burimeve shtetërore [Telekom] dhe fuqisë politike”.
Pretendimet e Bërnabiqit burojnë nga vitet 2000 kur Sollaku u bë i pasur, para se Vuçiqi të vinte në pushtet, dhe në kohën kur ai potencialisht mund të ketë përfituar nga raportet e tij të afërta me Partinë Demokratike, që atëbotë ishte në pushtet. Në vitin 2000, Sollak themeloi televizionin kabllor dhe ofruesin e internetit SBB, pas rënies së regjimit autokratik të Sllobodan Millosheviqit. Më 2007, SBB u bashku edhe me tre kompani të tjera rajonale për të formuar United Group, që më pas u zgjerua në hapësirën mediatike. Sipas një burimi të afërt me United Group që dëshiron të mbetet anonim, që atëherë Sollak ka shitur shumicën e aksioneve në kompani dhe tani është një aksionar i vogël dhe ka rol mbikëqyrës në bordin e kompanisë, por nuk është i përfshirë në operacionet ditore.

Duke u përballur me shtrëngimin nga Qeveria të aseteve të tij lokale në Serbi, blerja e Southampton F.C mund të jetë një mënyrë që Sollak të luftojë kundër Qeverisë serbe. Simon Chadwick, profesor i sportit në Shkollën e Biznesit Emlyon në Paris, tha se duke pasur në pronësi një klub futbolli, “[Sollak] do të marrë pjesë në takime të nivelit të lartë brenda Premier Ligës… ku vendoset për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me dhënien e kontratave të transmetimit. Prandaj, ai do të luajë rol në formësimin e kritereve për dhënien e kontratave të transmetimit”, që do t’ia shtonin përfitimin Southampton-it dhe mund t’i jepte potencialisht avantazh mbi grupin Telekom.
Pavarësisht përpjekjeve të Vuçiqit, burimi anonim i afërt me United Group tha se Telekomi ka bërë pak që të dëmtojë krahun mediatik të United Group në Serbi, teksa tregu lokal përbën vetëm rreth 10 për qind të biznesit të përgjithshëm. United Group ofron shërbime të telekomunikimit, internetit dhe televiziv në mbarë shtetet në juglindje të Evropës, përfshirë të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Bullgarisë dhe Greqisë.
Biznesi i kompanisë në Greqi, për shembull, ka trefish vlerë më të madhe sesa në Serbi.
Burimi anonim tha se hyrja e Sollakut në Premier Ligë është krejtësisht një lëvizje komerciale dhe nuk lidhet me mosmarrëveshjet me Telekomin dhe se Sport Republic është një entitet krejtësisht i ndarë në United Group, që nuk ka asnjë lidhje financiare me Southampton.
Duke shpjeguar logjikën pas kësaj blerjeje, Nick Harris nga ueb-faqja Sporting Intelligence, tha se bazuar në performacën në ligë, “Southampton do të fitojë ndërmjet 100 milionë funte dhe 160 milionë funte çdo sezon nga transmetimi i Premier Ligës”. Nëse ky ekip arrin të dalë në top-tetëshen më të mirë, Sollak “do të ketë një aset që mund të jetë fitimprurës në baza vjetore, por po ashtu një aset që do të vlejë mbi 200 milionë funte”, tha Harris.
Blerja e Southampton-it është vetëm lëvizja e fundit nga një magnat i huaj që blen një klub futbolli në Premier Ligën Angleze. Më 2021, kjo ligë mori vendimin kundërthënës për të miratuar shitjen e Newscastle United te një fond sovran i Arabisë Saudite, që gjithashtu është në pronësi të Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman. Bin Salman kaloi kriteret e vendosura nga liga pavarësisht se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, trupi i të cilit thuhet se është gjymtuar në ambasadën saudite në Stamboll më 2018. Kritikët pretendojnë se kjo ngjarje tregon se ai nuk do të duhej të kishte kaluar kriteret e ligës angleze.
Përderisa bota e ka hequr vëmendjen nga abuzimet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite dhe rastit të tmerrshëm të Khashoggit, ka po ashtu akuza në Serbi lidhur me shqetësimet për dështimet etike sa i përket shitjes së të drejtave televizive ndaj Telekomit, me pretendimet se EPL e ka lejuar veten që të përdoret nga Vuçiqi në përpjekjet e tij për të heshtur opozitën politike dhe për çimentuar qeverisjen jodemokratike.
“Besoj se Premier Liga është bashkëfajtore – jo ligjërisht sepse nuk ka sanksione ndërkombëtare kundër regjimit të Vuçiqit apo Telekom Serbia, por në terma etikë”, tha profesor Millosavlleviq. “Premier Liga përmes shitjes së të drejtave të transmetimit, po lejon praktika të dyshimta biznesore dhe po rrit kapjen e medias në rajon, duke e shndërruar futbollin britanik në një mjet direkt politik për fuqi dhe kontroll”.RFE
Lajmet
DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Published
25 minutes agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.
Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?
Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.
Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.
Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.
Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte
Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/
Lajmet
57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë
Published
2 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Dy persona janë arrestuar në Vlorë pasi u kapën me 57 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, sipas njoftimi të Policisë se Shtetit.
Operacioni i koduar “Brotherhood”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, çoi në prangosjen e F. M., 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, dhe L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë. Ata akuzohen për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Sipas policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, uniformat blu ndaluan dhe kontrolluan një automjet tip “Volkswagen Touran”, me të cilin po udhëtonin të dyshuarit. Gjatë kontrollit u gjet një sasi kanabisi e përgatitur për shitje.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë u zbulua dhe u sekuestrua një tjetër sasi kanabisi, duke e çuar në rreth 57 kg totalin e lëndës së dyshuar narkotike. Po ashtu, në banesën e njërit prej të arrestuarve u gjet një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lajmet
Arrestohet Artan Grubi pas më shumë se një viti në arrati
Published
3 hours agoon
February 23, 2026By
UBTNews
Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.
Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës. /REL/
Lajmet
UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”
Published
2 days agoon
February 21, 2026By
ubtnews
Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.
Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.
Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.
Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.
Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.
Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?
Shpërthen dhuna pasi forcat meksikane të sigurisë vrasin bosin e kartelit të drogës “El Mencho”
Vritet personi i armatosur që tentoi të hyjë në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago
Emrat më të popullarizuar të vajzave që po dominojnë listat
57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë
A do të bëhen realitet aeroplanët e pasagjerëve me një pilot?
Një miliarder me pasaportë malazeze tani po e sheh dinastinë e tij të shuhet nga burgu
FBK nderohet me çmimin “Arritje të Veçantë” në Mbrëmjen Gala “Laureatët 2025” të KOK-ut
Breshkat gjigante rikthehen në Floreana pas 180 vitesh zhdukjeje
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
