Lajmet

​Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor

Shkaktare Ministria e Financave.

Published

on

Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë arsyet përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër. Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson se vonesa e procedurave të prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

Përveç kësaj shqetësuese mbetet edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që ishte shtyrë ky proces për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati. Berisha ka fajësuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.

Zëvëndëskryeshefi Berisha në një intervistë derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar t shtyhet ky proces, thotë se janë në pritje të vendimit nga Qeveria për propozimin e dhënë për shtyrje.

“Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, deklaron Berisha.

Ai tha se kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti tjetër dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për motin.

“Ne kemi dhënë propozim në kërkesën tonë, ndërsa vendimi mbetet tek Qeveria kur vendos. Propozimi jonë është për vitin e ardhshëm, për shkak se muaji dhjetor është muaji i dimrit, kushteve të vështira dhe rekomandimet ndërkombëtare, sikurse nuk preferohet muajve të dimrit, gjithashtu edhe për muajin gusht me temperatura të larta nuk preferohet. Andaj, duhet të ju shmangem dhe të jemi në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare…Pra, më 1 nëntor nuk fillon”, tha ai.

Berisha thotë se ende nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e mbikëqyrësve dhe regjistrueseve, kjo për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësimin e tyre ende. Ndërkaq, sa i përket tabletëve, ai tha operatori i dytë pritet t’i liferoj me datën 2 nëntor, porse shton se nevojitet kohe për regjistrimin e programeve.

“Jemi në pritje të vendimit, qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë sipas kontratës do t’i liferojë me datën 2 nëntor, mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor”, shtoi Berisha.

Në këtë drejtim, sfidë tjetër Berisha tha se mbetet edhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore.

“Qeveria ka qenë tërë kohen e informuar dhe ne për këtë qëllim kemi kërkuar për rishikim të dytë të datës…Përtej këtyre është edhe një sfidë tjetër, mundësia e bojkotit të komunitetit serb në regjistrimin e popullsisë, çfarë nuk do e dëshironim, sepse në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare kërkohet që pjesëmarrja të jetë afërisht 100 për qind e popullsisë në territorin e caktuar dhe një bojkot nga komuniteti serb, do e vëntë në pikëpyetje dhe rezultatet nuk do të ishin valide. Për të mos shkuar tek kjo, kemi kërkuar afat shtesë…Katër komisionet komunale janë pjesë për katër komunat veriore, janë themeluar me vonesë, edhe pse ato janë themeluar në shtator, baza ligjore është që ato kërkohen të themelohen gjashtë muaj para datës së regjistrimit. Çështja tjetër është situata që ndodhi në shtator, e ka komplikuar edhe më tepër, dhe po shpresojmë se gjatë kësaj periudhe do të ketë një arritje, kështu për një datë tjetër së paku te jemi në harmoni me dispozitat ligjore dhe të kemi një pjesëmarrje qind për qind të komunitet serb”, vijoi Berisha.

Ndërkaq shqetësuese për këtë institucion mbetet edhe mungesa e aplikimeve.

“Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrëseve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre të komisioneve…Vonesa e hapjes së konkursit që është hap me 27 shtator, shumë afër të regjistrimit të popullsisë, sepse në bazë të planit të aktiviteteve është planifikuar që me datën 12 tetor të fillojnë trajnimet e anketuesve, regjistruesve dhe mbikëqyrësve. Ndërsa, me 12 tetor ne kemi bërë rishpalljen për aplikim, për brenda shtatë dite rreth 70 për qind kanë aplikuar për pozitat e regjistrueseve dhe mbikëqyrësve. Tek këta të fundit është situata pak më ndryshe për shkak se aplikimet janë të mjaftueshme, përjashtim katër komunat veriore që mungojnë edhe për 12 mbikëqyrës nuk ka aplikime, ndërsa për regjistrues është situatë pak më ndryshe, edhe pse e kemi rihap, përsëri numri i interesuarave është shumë i vogël”, përfundoi Berisha.

Qeveria e Kosovës pritet që sërish të merr vendim për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në vend. Pas kërkesës të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekzekutivi i vendit pritet që gjatë kësaj jave të merr vendim ta shtyjë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë. Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

Lajmet

Trump premton mbështetje për Libanin pas takimit me presidentin Aoun

Published

on

Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Libanin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin libanez, Joseph Aoun.

“Ka qenë një vend shumë i keqtrajtuar dhe ne do ta trajtojmë siç duhet dhe me respektin që meriton. Ne do ta ndihmojmë shumë”, ka deklaruar Trump, pa dhënë detaje konkrete për mbështetjen.

Presidenti Aoun e falënderoi Trumpin për mbështetjen amerikane, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e SHBA-së ndaj sovranitetit të Libanit, institucioneve shtetërore dhe Forcave të Armatosura Libaneze.

I pyetur për tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor, Trump tha se procesi është duke vazhduar, duke shtuar se forcat izraelite janë në fazën e ridislokimit, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Nga ana e tij, Aoun e vlerësoi qasjen e presidentit amerikan ndaj paqes, duke e cilësuar atë si pjesë të trashëgimisë së tij. Trump iu përgjigj me humor, duke thënë se pajtohet me këtë vlerësim dhe shtoi se presidenti libanez “di si ta kontaktojë”.

Takimi u zhvillua në kohën kur Libani po kërkon mbështetjen e SHBA-së për stabilitet afatgjatë pas muajsh përleshjesh mes Izraelit dhe Hezbollahut. Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se kanë nisur operacionet në tre fshatra të Libanit jugor, në kuadër të një plani pilot për të lehtësuar vendosjen e ushtrisë libaneze, ndërsa forcat izraelite përgatiten të ridislokohen nga disa zona./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore shqiptare

Published

on

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën tradicionale shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe komunitetin akademik, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Rizës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

I lindur më 3 korrik 1937 në Shkodër, Emin Riza zhvilloi një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në dokumentimin dhe mbrojtjen e monumenteve shqiptare.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti-Muze i Gjirokastrës” dhe monografia “Banesa shqiptare me qoshk”. Ai ishte autor i 16 monografive dhe 134 artikujve shkencorë në revista të specializuara.

Emin Riza ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, si dhe një nga kontribuuesit në përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n.

Për kontributin e tij shumëvjeçar, ai ishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe Beratit. Homazhet për akademikun Emin Riza do të mbahen sot në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Tufinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Wizz Air hap bazën në Prishtinë, shton tri destinacione të reja dhe investon 100 milionë euro

Published

on

By

Kompania ajrore me kosto të ulët Wizz Air ka njoftuar hapjen e bazës së saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke zgjeruar njëkohësisht rrjetin e fluturimeve me tri destinacione të reja.

Në ceremoninë e organizuar në aeroport, përfaqësuesit e kompanisë bënë të ditur se nga periudha e ardhshme do të nisin fluturimet drejt dhe nga Brukseli tri herë në javë, Karlsruhe/Baden-Baden katër herë në javë, si dhe fluturime të përditshme drejt Bazelit në Zvicër.

Me këto shtesa, Wizz Air do të operojë gjithsej në nëntë destinacione nga Prishtina. Aktualisht, kompania ofron fluturime për në Londër, Dortmund, Memmingen, Bratislavë, Milano dhe Romë.

Baza e re e Wizz Air në Prishtinë pritet të bëhet funksionale në muajin nëntor dhe, sipas kompanisë, përfaqëson një investim prej rreth 100 milionë eurosh. Si pjesë e këtij investimi, në Prishtinë do të vendoset edhe një aeroplan Airbus A321neo, me kapacitet prej 239 ulësesh.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e cilësoi vendimin e Wizz Air si një tregues të besimit në ekonominë dhe perspektivën e Kosovës.

“Vendimi i Wizz Air për të vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi dhe potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, tregtisë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kurti.

Ai shtoi se ky investim, së bashku me vendosjen e avionit të ri Airbus A321neo, dëshmon se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për industrinë ndërkombëtare të aviacionit.

Sipas Kurtit, bashkëpunimi i institucioneve me operatorët ekonomikë dhe partnerët ndërkombëtarë ka ndikuar në rritjen e besimit ndaj potencialit të Kosovës, duke krijuar kushte më të favorshme për investime të reja dhe zhvillim ekonomik.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kryebashkiaku i New Yorkut e quan Netanyahun “kriminel lufte”, e pranon se s’mund ta arrestojë

Published

on

Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka publikuar të martën një video në platformën X, në të cilën e ka quajtur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, “kriminel lufte”.

Në video, ai ka shprehur pajtimin me qëndrimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) se Netanyahu “duhet të arrestohet dhe të gjykohet”, si dhe ka treguar se administrata e tij kishte shqyrtuar mundësinë nëse qyteti i New Yorkut mund ta zbatonte urdhërarrestin e ICC-së nëse Netanyahu do të vizitonte qytetin, megjithatë, është konstatuar qartë se ata nuk e kanë autoritetin ligjor për ta zbatuar atë urdhër.

Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Netanyahu nuk do të arrestohej gjatë vizitës së tij në SHBA.

Ai ia ka dhënë këtë garanci kryeministrit izraelit pasi Mamdani i kishte thënë gazetës “New York Times” se Netanyahu “e ka vendin në Hagë” dhe se ishte në “diskutime aktive” me departamentin ligjor të qytetit lidhur me mundësinë e arrestimit të tij, nëse ai do të vinte në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

“Benjamin Netanyahu nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë apo formë, ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Trumpi të hënën në një postim në rrjetet sociale, ku nuk e përmendi drejtpërdrejt Mamdanin.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar, Mamdani kishte deklaruar se do të urdhëronte policinë e qytetit të arrestonte Netanyahun në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për shkak të rolit të tij në luftën në Gaza.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, e ka kritikuar të martën postimin e Mamdanit në X, duke thënë “mjaft më” dhe “ju jeni zgjedhur për t’u shërbyer banorëve të New Yorkut”. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara