Bella Hadid nuk e di se si kanaçet e Kin Euphorics, që është pije adaptogjene joalkoolike, përfunduan në frigoriferin e saj. Ajo që di është se një ditë, në vitin 2019, ato thjeshtë u shfaqën!
Karriera e saj si supermodele nënkuptonte ditë pune të vazhdueshme, një orar të vrullshëm udhëtimesh botërore dhe paraqitje pas paraqitjeve. Edhe pse mirënjohëse për jetën e saj, ajo filloi të ndihej e lodhur, transmeton UBT News.
“Unë thjesht shkoja në punën tjetër dhe punën tjetër dhe punën tjetër – duke e shtyrë dhe shtyrë vazhdimisht”, thotë ajo. “Më duhej të isha në punë në 7 të mëngjesit dhe të dilja disi natën. Nuk ishte e qëndrueshme”.
Kishte edhe faktorë të tjerë: Hadid thotë se ajo ende vuan nga efektet e sëmundjes Lyme, të cilat përfshijnë mjegullimin e trurit dhe lodhjen.
Kështu, kur ajo hodhi një vështrim në listën e përbërësve të Kin – e cila përfshin GABA, një kimikat nootropik i natyrshëm që promovon relaksim dhe tirozinë, një përmirësues i humorit – ajo vendosi ta hapë atë dhe ta provojë. Ajo donte të provonte nëse do ta qetësonte, dhe rezultati ishte pozitiv.
Dy vjet më vonë, Hadid tani është zyrtarisht një bashkëthemeluese dhe partnere e Kin Euphorics, së bashku me themeluesen Jen Batchelor, përcjell UBT News.
Hadid po merr një rol të rëndësishëm brenda kompanisë. Pijet “Kin” së shpejti do të futen me livando të rritur në fermën e familjes Hadid në Pensilvani. Ajo nuk është e kënaqur vetëm të jetë fytyra e markës – ajo dëshiron ta ndërtojë atë gjithashtu. “Krijimi është gjuha ime e dashurisë”, u shpreh Hadid.
Hadid dhe Batchelor kanë plane të mëdha për pijen Kin, për të cilat ende nuk mund të flasin. Por më e rëndësishmja është të theksohet se “kujdesi për trurin është kujdesi për veten”, siç thotë Batchelor./UBTNews
Para disa ditësh u shënua përvjetori i lindjes së piktorit të njohur holandez Vincent Willem van Gogh, një nga figurat më të rëndësishme të artit modern botëror.
Van Gogh lindi më 30 mars 1853 në Groot-Zundert të Holandës, në një familje me prapavijë fetare, ku i ati ishte pastor. Që në moshë të re ai nisi të merrej me art, duke punuar fillimisht si shitës veprash artistike, ndërsa më vonë iu përkushtua plotësisht pikturës.
Gjatë jetës së tij, Van Gogh kaloi periudha të vështira emocionale dhe ekonomike. Veprat e tij fillimisht karakterizoheshin nga tone të errëta, por pas kontaktit me piktorët impresionistë si Claude Monet, Camille Pissarro dhe Paul Gauguin, ai ndryshoi stilin duke përdorur ngjyra më të çelura dhe më të guximshme.
Jeta e tij personale u shoqërua me sfida të mëdha psikologjike. Një nga episodet më të njohura mbetet ai i vitit 1888, kur, sipas biografëve, ai preu një pjesë të veshit pas një konflikti të fortë. Gjendja e tij mendore u përkeqësua me kalimin e viteve.
Më 27 korrik 1890, Van Gogh qëlloi veten dhe ndërroi jetë dy ditë më pas, në moshën 37-vjeçare, në Francë.
Edhe pse gjatë jetës nuk arriti të shesë shumë piktura, sot ai konsiderohet një nga artistët më të mëdhenj në histori. Veprat e tij, si “Kafja e natës”, mbeten dëshmi e një talenti të jashtëzakonshëm që lëkundej mes gjenialitetit dhe vuajtjes së thellë njerëzore.
Teatri “Migjeni” nga Shkodra do të vijë në Kosovë me shfaqjen mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”, e cila do të prezantohet në Teatrin “Adriana” në Ferizaj më 3 prill, duke filluar nga ora 20:00.
Shfaqja, me regji nga Ilir Bokshi, sjell në skenë aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.
“Pesë fytyrat e heshtjes” trajton dimensionet e brendshme të njeriut – heshtjen, dhimbjen dhe kujtimet, përmes pesë tregimeve të ndërlidhura që ftojnë publikun në reflektim dhe dialog mbi të vërtetat personale dhe kolektive.
Mbrëmë në Berlin, Filharmonia e Kosovës realizoi një koncert të jashtëzakonshëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e dirigjentes Marion Wood, orkestra së bashku me kore ndërkombëtare sollën një eksperiencë unike korale 360°, e cila u prit me entuziazëm nga publiku gjerman.
Në këtë mbrëmje performuan edhe solistët Kaltrina Miftari, Elona Sadiku, Flaka Goranci, André Khamasmie dhe Simon Robinson, me interpretime të nivelit të lartë artistik.
Ky koncert shënon debutimin e Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin gjerman, një hap i rëndësishëm në prezantimin e artit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).
Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.
Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.
“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.