Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
25 nëntor 1992
22 familje në Gllogovc u përzunë nga banesat
Siç shkruan gazeta e sotme “Bujku”, 22 familje shqiptare që banonin në lagjen “Ferronikeli” të Gllogovcit, u përzunë nga banesat e tyre. Autoritetet serbe i detyruan anëtarët e këtyre 22 familjeve të lëshonin banesat e tyre. Shumica e familjeve ishin të ish-punëtorëve të “Ramiz Sadikut”.
Mirret vesh se pas pastrimit dhe meremetimit të këtyre banesave, në to do të vendosen afër 250 refugjatë serbë nga Bosnjë-Hercegovina. Është paraparë që ata të ushqehen në mensën e “Ferronikelit”.
Rol vendimtar në dëbimin e shqiptarëve nga këto banesa si edhe në vendosjen e refugjatëve serbë në to, luajti i ashtuquajturi komisariat për refugjatë, si dhe Bogdan Kecmani -kryetar i Kryqit të Kuq të Serbisë për Kosovën.
25 nëntor 1993
“Le Soar”: Terror i përditshëm psikologjik në Kosovë
Gazeta e njohur belge “Le soar” botoi një artikull më 25 nëntor nga pena e gazetarit të saj Eduard van Velthem, i cili është njohës i mirë i situatës në Kosovë. Në këtë artikull thuhet se arrestimet arbitrare, bisedat informative, pra një varg masash provokuese në betejën e saj kundër atyre që, siç e quan ajo “terrorizëm secesionist” shqiptar në Kosovë, Serbia nuk kursen asgjë në metodat energjike. Raportet e organizatave
humanitare apo të Kombeve të Bashkuara tërheqin vërejtjen rregullisht përkitazi me pikën e vlimit në këtë zonë të Ballkanit. Si dëshmi të fundit gazeta përmend organizatën joqeveritare amerikane Helsinki Uoç dhe përfaqësuesit e saj për Jugosllavi. Ata gjatë qëndrimit në Kosovë patën probleme në Kosovë me policinë serbe.
Qëkur kanë refuzuar vazhdimin e mandatit të misionit të KSBE në këtë rajon, autoritetet serbe, thotë gazeta, kontrollojnë çdo gjë që prek në këtë dosje të përvluar. Dhe askush nuk mund të t’i shmanget në një mënyrë apo tjetër pushtetit të tyre absolut. Gazeta në vazhdim shkruan se përfaqësuesit serbë të komunës së Prishtinës ishin të revoltuar për faktin se shumë gazetarë, personalitete politike apo ekspertë të organizatave humanitare nuk e shohin nevojën që të vijnë, siç thonë ata, as të na shohin. Apartheidi në jetën sociale, kontrolli serb në çdo pore të jetës, atmosfera e frikës, sidomos nëpër fshatra, të kontrolluara nga njësitë speciale: kjo është atmosfera ekzistuese sot në Kosovë, ajo e terrorit të përditshëm psikologjik, e cila në çdo moment mund të rezultojë në gjakderdhje, thotë, në mes tjerash, gazeta belge “Le soar”.
25 nëntor 1994
Represioni në Kosovë
Istog: – Më 19 nëntor, policia e postkomandës së Banjës së Pejës, nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij, Qazim Hakajn nga Orrobërda e Vogël e Istogut, së bashku me vëllain e tij, Cenë Hakajn, të cilët janë rrahur rëndë. Njoftohet se vëllezërit Hakaj janë rrahur edhe më 21 nëntor, ndërsa më 24 nëntor, policia mori edhe vëllain tjetër, Mustafë Hakaj, i cili po ashtu është keqtrajtuar nga ana e policisë.
Pardje, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, mori në shtëpinë e tij, Sylë Maksutajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në Gudenicë të Istogut, i cili u keqtrajtua fizikisht nga ana e policisë. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish dje në stacionin e policisë në Istog.
Mitrovicë: – Dje, rreth orës 10:00, dy policë hynë në shtëpinë e Isuf Jasharit në lagjen “Tavnik” në Mitrovicë, nën pretekst të kërkimit të njëfar Nazmiut, kinse ai u dashka që të paguaj një dënim për kundravajtje në komunikacion.
Pardje, rreth orës 10:00, policia bastisi shtëpinë e Sadik Ademit për të kërkuar djalin e tij, Halit Ademin (21). Bëhet me dije se Halit Ademi tash një kohë gjendet në Gjermani.
Më 18 nëntor, rreth orës 12:00, në të dalë të Mitrovicës, policia serbe i legjitimoi dhe i rrahu pa kurrfarë shkaku nxënësit e shkollës së mesme teknike “Trepça” në Mitrovicë, Canabeg Hysenin (17), Ismet Goxhulin (18), Arsim Istrefin (17), Bekim Sadriun (18) dhe Fahredin Nimanin (17). Bëhet me dije se policia këta nxënës i keqtrajtoi rëndë, ndërsa më së keqi pësoi Canabeg Hyseni. Suharekë: – Dje, rreth orës 13:00, policia bastisi shtëpinë e Adem Salihajt në fshatin Grejkoc të Suharekës, i cili nuk gjendej në shtëpi. Shkaku i bastisjes së shtëpisë së Adem Salihajt tash për tash nuk dihet, ndërsa policia pas kësaj bastisjeje defiloi nëpër fshat nën pretekst së shpërndarjes së disa thirrjeve fshatarëve të Grejkocit.
25 nëntor 1995
Gjermania i akordoi Shqipërisë 63 milionë marka ndihmë
Prishtinë, 25 nëntor (QIK)
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i akordoi Shqipërisë 63 milionë marka ndihmë në kuadër të bashkëpunimit financiar e teknik mes dy vendeve, njoftoi mbrëmë RTSH.
Do të financohen projektet e furnizimit të popullsisë me ujë të pijshëm.
25 nëntor 1996
Nënë Tereza përjetoi sulm në zemër
Nëna Tereze përsëri përjetoi sulm në zemër, që është sulmi i dytë gjatë tri ditëve të fundit.
Ajo po mjekohet në klinikën e Kalkutës.
25 nëntor 1997
Në aeroportin e Beogradit po mbahen 50 qytetarë të kthyer nga Gjermania
“Ka disa ditë që grupi prej 50 – 70 njerëzish, kryesisht nga Kosova dhe nga Sanxhaku, pa kurrfarë arsyeje, po mbahen në ndërtesën e aeroportit të Beogradit”, shkruan “Koha ditore”, duke iu referuar një deklarate të drejtoreshës së Fondit për të drejtën humanitare, Natasha Kandiq, dhënë agjencisë Beta.
Në njoftim thuhet se ky fond, së bashku me Komitetin serb të Helsinkit do të këkrojë nga organet e Jugosllavisë së vetëshpallur lidhur me arsyen e mbajtjes në aeroport të këtyre qytetarëve.
25 nëntor 1998
Në Bubavec u varrosën dy shqiptarë të vrarë në ofensivën e fundit serbe
Dje në Bubavec të Malishevës u varrosën trupat e dy shqiptarëve, Murat Rexhep Kryeziut (55) e Bajram Ali Kryeziut, të vrarë para tre muajsh nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Trupat e tyre u gjetën para disa ditësh, pas kthimit të banorëve nëpër shtëpitë e tyre.