Lajmet

​Bëhet thirrje për drejtësi e mbështetje të viktimave të dhunës seksuale

Published

on

Në luftën gjenocidale të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq kundër popullit të Kosovës, dhuna seksuale u përdor si arma më mizore që ka njohur njerëzimi, u tha në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale.

Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT mbi dhunën seksuale, krerë të shtetit, ambasadorë të huaj, të mbijetuar të dhunës seksuale kanë folur për krimet serbe 25 vjet më parë, ku kanë bërë thirrje për drejtësi e mbështetje të kësaj kategorie.

Presidentja Vjosa Osmani tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Keni arritur që ta dëshmoni çdo kund në botë që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën, në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë sepse ju jeni heroinat, ju jeni krenaria dhe ju jeni vet nderi i Kosovës… Dua të ju siguroj që mbështetja jonë për ju nuk do të ndalet, do të vazhdojë dhe ne gra e burra të Kosovës që do të luftojmë për këtë kauzë do të jemi më shumë e jo më pak çdo vit që shkon të rritet dhe do të vazhdojë. Për këta 25 vjet e kemi kujtuar dhimbjen e së shkuarës, por kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbje ka guxim, shpresë, por mbi të gjitha ka edhe një vendosmëri të palëkundur për drejtësi. Për fat të keq, sikurse edhe në vendet tjera para luftës në Kosovë, edhe në luftën gjenocidale të Millosheviqit kundër popullit tonë, dhuna seksuale u përdor si një armë. Arma më mizore që e ka njohur njerëzimi”, deklaroi e para e shtetit.

Kryeministri Albin Kurti foli për rëndësinë e dokumentimit të këtyre krimeve të luftës, për çka tha se për herë të parë në Kosovë është miratuar edhe strategjia për drejtësi tranzicionale.

“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Andaj krahas mbështetjes së përhershme dhe të thellë e kemi mirënjohjen për to. Si shtet e shoqëri ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme. Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës strategjinë për drejtësi tranzicionale, kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa laureati i Çmimit Nobel për Paqe, doktor Denis Mukwege, tha se viktimat e dhunës seksuale nuk duhet të përjashtohen nga shoqëria, por ato duhet të mbështeten.

“Shumë viktima mbeten shumë të traumatizuara, të lënë anash dhe të përjashtuar nga shoqëria. Gjë që ilustron ndikimin afatgjatë të krimeve seksuale të cilat mbeten një trashëgimi e dhimbshme e luftës në të gjitha shoqëritë. Ajo për çka vendosa të kthehem në Kosovë këtu është para se gjithash të shpreh solidaritetin tim dhe ndjeshmërinë time për viktimat e dhunës seksual dhe të mbijetuarit e luftës… Mos pranimi dhe përjashtimi që ri-viktimizon dhe ri-traumatizon të mbijetuarit çdo ditë duhet të ndalet. Le të ri-pohojmë këtu me zë të lartë dhe të qartë se viktimat nuk janë kurrë fajtor për krimet. Stigma, përçmimi dhe turpi duhet të transferohet në vendin e tyre të duhur, mbi supet e porositësve të tyre, të cilat janë përgjegjësit e vetëm për këto krime të rënda”, tha ai.

Ambasadorja e Guximit, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila gjashtë vjet më parë rrëfeu publikisht për krimin e përjetuar, kujtoi ditën e 14 prillit të vitit 1999.

“Kjo mund të jetë vetëm një tregim për gjithë juve, por për mua në këtë moment po i kthehem 14 prillit 1999 dhe pavarësisht sa kohë ka kaluar kurrë nuk do të largohet nga unë. Lufta kurrë nuk sjell diçka të mirë, por kur është një luftë e drejtë është ndërmjet ushtarëve është ndryshe, mirëpo kur je civil, kur je grua, kur je fëmijë, kur je në duart e armikut atëherë është diçka që nuk mund të krahasohet me të në këtë botë… Ndonjëherë mundohem të jem e mirë gjatë gjithë kohës, është vështirë me qenë në Kosovë kur ke të mbijetuar të tjerë që më kontaktojnë, por ka edhe të mbijetuar që me ligj, që nuk kërkohet nga ata por vetëm ju premtohet të aplikojnë për një pension dhe pastaj shkojnë të aplikojnë dhe ju mohohet kjo. Kjo është diçka që nuk mund të ja fali qeverisë time, duhet të bëjë pak më shumë për këta të mbijetuar. Nuk mund të dëshmosh tek mjeku për diçka që ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti kujtoi vjeshtën e vitit 1998, ku tha se për herë të parë takoi popullatën e prekur nga lufta. Në mesin e tyre, ajo theksoi se grupi më i prekur ishin të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Unë fillova të punoj në kampe duke ju dhënë ndihmën e parë mjekësore personave të cilët kishin parë tmerret luftës. Në mesin e këtyre personave dua të them që pa dyshim ishin disa histori të trishtuara, të fshehta, të cilat nuk kishin zë fare. Ishin të mbijetuarit e dhunës seksuale, që për mua ishin një sfidë e veçantë, sepse si mjeke nuk mund t’i përballoja gjithë ato histori të pa imagjinuara dhe të paharruara njerëzore. Duke punuar me ta ndjeja frikën, turpin, pasigurinë që ata ndjenin për të ardhmen e tyre. Dhe kuptova se përtej ndihmës mjekësore si mjeke e re, ata kishin nevojë të marrin përkrahje emocionale, shpirtërore dhe siguri. Në atë kohë derisa punoja në Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, shërbimet psiko-sociale nuk ishin të njohura në Shqipëri”, deklaroi ajo.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier deklaroi se nuk kanë vend tendencat që nuk kanë pasur spastrim etnik apo gjenocid.“Dëshiroj që të dënoj të gjitha ato përpjekje për të ju ulur dhe për t’i mposhtur të gjitha viktimat apo për të minimizuar të gjitha ato që kanë ndodhur. Ngjarjet të cilat sugjerojnë që nuk ka pasur spastrim etnik apo gjenocid nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar të shekullit 21. Dhe të gjithë ata që kanë përjetuar traumë gjatë luftës meritojnë që të ju shprehet mirënjohje dhe t’iu pranohet ajo që ka ndodhur dhe të mos të hedhim anash atë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ambasadori Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves u shpreh se pasardhësit e të mbijetuarve janë e ardhmja e Kosovës, për çka tregoi se shpesh trauma mund të trashëgohet.
“Pasojat e dhunës seksuale psikologjike dhe sociale vazhdojnë me familjet e tyre, komunitetet dhe shoqërinë përreth. E dimë se dhimbja dhe vuajtjet e një individi barten edhe te gjenerata tjetër edhe nëse ata nuk janë ndikuar drejtpërdrejt. Mund të ketë ndikim në familje, në mënyrën se si përballen me stresin dhe si e bartin sfidat emocionale pa e kuptuar nganjëherë fare. KRCT dhe hulumtimi i tyre tregon se efektet e traumës mund të barten edhe me ADN-në duke ndryshuar mënyrën se si reagojmë ndaj frikës dhe stresit dhe edhe fëmijët mund t’i trashëgojnë dhe sjell depresion dhe ankth”, përfundoi ai.

Konferenca e 25-vjetorit të QKRMT-së lidhur me avancimin e të drejtave dhe ndryshimin e jetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt do të vijojë edhe nesër me panele të ndryshme.

Vendi

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Vendi

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara