Lajmet

BE pajtohet të reduktojë përdorimin e energjisë me 11.7% deri në vitin 2030

Marrëveshja erdhi në periudhën kur blloku po përpiqet të frenojë varësinë nga energjia ruse dhe të luftojë ndryshimet klimatike.

Published

on

Negociatorët nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën të premten një marrëveshje për të reduktuar konsumin përfundimtar të energjisë në të gjithë bllokun me 11.7% deri në vitin 2030.

Marrëveshja erdhi në periudhën kur blloku po përpiqet të frenojë varësinë nga energjia ruse dhe të luftojë ndryshimet klimatike.

“Kursimi i energjisë është një hap kyç për të shpëtuar planetin”, tha në një deklaratë nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans.

“Gjatë muajve të fundit, evropianët e dëshmuan se janë të gatshëm dhe të aftë për të përballuar këtë sfidë dhe industria jonë ka dëshmuar se mund të optimizojë përdorimin e energjisë dhe proceset e prodhimit”, shtoi ai.

Marrëveshja e Gjelbër do t’i referohet Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare për votim përfundimtar.

Pse BE-ja e rriti përqindjen e reduktimit?

Marrëveshja e së premtes vjen si një ndryshim në një objektiv të mëparshëm prej 9%, të propozuar fillimisht në vitin 2021. Kjo është në kuadër të planeve të BE-së për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.

Megjithatë, kur Rusia e pushtoi Ukrainën, nevoja për vendet evropiane për të reduktuar varësinë e tyre nga karburantet fosile, për të cilat Rusia ishte furnizuesi më i madh, u bë më urgjente.

“Kjo nënkupton ndryshim domethënës për të mirën e klimës dhe disavantazhin e [presidentit rus Vladimir] Putin”, deklaroi Niels Fuglsang, kryenegociatori i Parlamentit.

Çfarë do të thotë marrëveshja për 27 anëtarët?

Marrëveshja vjen si një kompromis midis Parlamentit Evropian, i cili po shkon drejt objektivit shumë më të lartë prej 14%, dhe disa vendeve të BE-së. Kjo do të thotë që shtetet anëtare të BE-së duhet të kursejnë mesatarisht 1.49% të konsumit final të energjisë në vit midis viteve 2024 dhe 2030.

Marrëveshja parashikon që objektivi do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Ndërsa anëtarët e bllokut kanë lirinë të vendosin objektivin e tyre kombëtar jodetyrues, nëse nuk arrijnë objektivin prej 11.7%, Komisioni Evropian do të ndërhyjë për të vendosur një kurs./UBTNews/

Lajmet

Kandiq: Rreth 7 mijë civilë shqiptarë u vranë në 78 ditë

Published

on

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq, i është përgjigjur një qytetareje serbe që kishte fajësuar shqiptarët e Kosovës për fillimin e luftës.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Kandiq ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar rolin e forcave serbe në luftën dhe krimet e kryera në Kosovë.

“Nuk ka luftë pa Serbinë”, ka shkruar Kandiq, duke pretenduar se plani serb për Kosovën ishte zvogëlimi i popullsisë shqiptare në 5 për qind dhe se rreth 800 mijë shqiptarë u dëbuan.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se gjatë 78 ditëve, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7 mijë civilë shqiptarë që, sipas saj, nuk kishin marrë pjesë në konfliktin e armatosur.

Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe FDH-Kosovë dokumentojnë 6,872 civilë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në periudhën 20 mars–14 qershor 1999, ndërsa ICTY ka konstatuar se mbi 800 mijë civilë shqiptarë u deportuan.

Kandiq ka ngritur gjithashtu çështjen e ndjekjes penale në Serbi të komandantëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe MUP-it për operacionet në Kosovë. Sipas saj, edhe 27 vjet pas luftës, nuk ka pasur ndjekje penale në Serbi ndaj komandantëve të lartë për këto operacione, pavarësisht fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Në reagimin e saj, Kandiq ka thënë gjithashtu se pakënaqësia e shqiptarëve ndaj vendimit të fundit në Hagë është e kuptueshme, duke kërkuar që përgjegjësit për krimet në Kosovë të mbahen përgjegjës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

OVL e UÇK-së thërret protestë gjithëpopullore për të premten

Published

on

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore për të premten, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Thirrja u bë e ditur në një konferencë për media, ku Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar të vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me ngjarjet e viteve 1998-1999.

Syla deklaroi se OVL e UÇK-së e konsideron procesin gjyqësor në Hagë si të padrejtë dhe tha se, sipas tij, vendimi i fundit nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin edhe hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshiheshin edhe shqiptarët nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora.

Sipas Sylës, organizatat do të kërkojnë gjithashtu një strategji kundërshtuese ndaj vendimit deri në përfundimin e procesit të apelit, me përfshirjen e institucioneve, partive parlamentare dhe shoqërisë civile.

Ndërkohë, ai njoftoi se OVL e UÇK-së dhe disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do t’i bashkohen edhe protestës së studentëve, e cila është paralajmëruar për sot në orën 16:30.

Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Ata u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Hapat që ndërmerren për apelimin e një vendimi të Speciales

Published

on

By

Ekipet mbrojtëse të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se do të apelojnë aktgjykimin dënues të shqiptuar nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 16 shtator.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për katër pika të aktakuzës për krime lufte, Jakup Krasniqi po ashtu u dënua me 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Gjatë aktgjykimit të shqiptuar në Hagë, trupi gjykues hodhi poshtë akuzat e ZPS-së për krime kundër njerëzimit.

Katërshja e UÇK-së gjendet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Vendimi i trupit gjykues mund të apelohet nga palët e përfshira, nga mbrojtja e cila mund të kërkojë rrëzimin e aktgjykimit në tërësi apo të synojnë uljen e dënimit për pika të caktuara të akuzës, por edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që mund të kërkojë ashpërsim të dënimit.

ZPS-ja mirëpriti vendimin dënues dhe shtoi se do të shqyrtojë të gjithë aktgjykimin, përfshirë edhe rrëzimin e pikave të akuzës që kishin të bënin me krime kundër njerëzimit.

Por, cilat janë procedurat që palët ndjekin për apelim?

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, ose të dyja së bashku, duhet të dorëzojnë atë që quhet njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit, 30 ditë nga shpallja e aktgjykimit.

Më pas, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit – gjykatë që përbëhet nga tre anëtarë – mund të caktojë një prej gjykatësve si gjykatës raportues për procedurën paraapeluese. Gjykatësi raportues ka për detyrë të marrë masat e nevojshme për aspektet procedurale, sikurse janë lëshimi i vendimeve, urdhrave dhe udhëzimeve me qëllim që të përgatitet çështja për shqyrtim. Ai duhet që rregullisht ta informojë panelin e Gjykatës së Apelit, veçmas nëse ka kontestime lidhur me çështjet procedurale.

Më pas, brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi apo gjykatësi raportues e thërret një konferencë ku ngrihen çështje rreth apelit.

Palët që parashtrojnë apel duhet të dorëzojnë dosjen e apelit e cila përmban të gjitha argumentet dhe burime të tjera ligjore ku mbështeten arsyet e apelimit. Kjo duhet të dorëzohet brenda 60 ditësh apo brenda 30 ditësh nga njoftimi për apel, nëse çështja ka të bëjë vetëm me dënimin e shqiptuar.

Më pas palët dorëzojnë të ashtuquajturën dosje të përgjigjes, ku paraqesin argumentet ligjore të tyre. Afatet se kur dorëzohet kjo dallojnë: 30 ditë për argumentet dhe burimet ligjore dhe 15 ditë vetëm për dënimin nga paraqitja e dosjes. Kjo pasohet me dosjen e kundërpërgjigjes për të cilën afatet janë më të shkurtra, 15 dhe 10 nëse ka të bëjë vetëm me dënimin.

Pas gjithë këtyre afateve, Gjykata e Apelit e cakton datën e një seance “nëse është e nevojshme”, thuhet në rregullore.

Rregullorja parasheh që palët mund të dorëzojnë prova shtesë gjatë procedurës së apelimit dhe nëse ato pranohen, pala tjetër mund të paraqesë kundërprova.

Gjatë vendimit, Paneli i Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar, por edhe provat që veçse janë pjesë e dokumentacionit.

Sapo të përfundojnë parashtrimet nga palët, paneli i Apelit mblidhet dhe shqyrton çështjen dhe nxjerr aktgjykim për dokumentacionin e apelit dhe për çdo provë shtesë të pranuar.

Pra, Gjykata e Apelit mund të lërë në fuqi, të zhbëjë ose të ndryshojë aktgjykimin e trupit gjykues apo të mbahet rigjykim.

Megjithatë, nëse kërkesa për apel bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë vendim më të rëndë se shkalla e parë.

Vendimi i apelit shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve. Megjithatë, edhe për këtë mund të kërkohet kohë shtesë, por jo më shumë se një muaji dhe zgjatja e afatit duhet të arsyetohet.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabimi faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.

Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e Apelit, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe më pas në atë Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Mbrojtësit e ish-presidentit, Hashim Thaçi, thanë se procesi i apelimit mund të marrë vite kohë.

Pas 41 muajsh të nisjes së gjykimit, trupi gjykues gjeti fajtorë katër ish-eprorët e UÇK-së për krime lufte, por rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit.

Sipas trupit gjykues, katërshja e UÇK-së, së bashku me udhëheqës të tjerë, kishin për qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas gjykatës, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues tha se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, kontribuuan në zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët.

Në rastin e Thaçit, trupi gjykues tha se ai kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, teksa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, duke përmendur rastin e Behajdin Allaqit.

Për Veselin, Gjykata Speciale përmendi pozitën e tij si shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, organ që, sipas konstatimeve të trupit gjykues, kishte përgjegjësi për identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Dhomat e Specializuara thanë se ai nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, megjithëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Gjykata theksoi se pozita e tij si inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të UÇK-së, krahasuar me disa prej të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa për Krasniqin, që në kohë të luftës kishte qenë zëdhënës i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Studentët protestojnë në Prishtinë: Kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Published

on

By

Dhjetëra studentë janë mbledhur të enjten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe për të kërkuar drejtësi pas verdiktit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të rinjtë e mbledhur në qendër të kryeqytetit mbanin në duar pankarta me mesazhe mbështetëse dhe brohorisnin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin e trupit gjykues në Hagë si të papranueshëm.

Foto: Koha

Continue Reading

Të kërkuara