Lajmet

BE-ja nuk arrin marrëveshje për çmimin e gazit

Ministrat do të takohen sërish në dhjetor.

Published

on

Ministrat e Energjisë të BE-së nuk arritën të pajtohen për vendosjen e një çmimi tavan të gazit për ta zbutur krizën e energjisë në Evropë, mes përçarjeve të thella mbi propozimin fillestar të cilin disa e vlerësuan si “qesharak”.

Ministrat do të takohen sërish në dhjetor në përpjekje për të tejkaluar këto përçarje, tha ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, vendi i të cilit aktualisht udhëheq presidencën e BE-së.

Ai shtoi se ministrat arritën të miratojnë disa “masa të tjera të rëndësishme”, përfshirë blerjet e përbashkëta të gazit për të shmangur rritjen e çmimeve nga konkurrenca brenda BE-së dhe përshpejtimin e autorizimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Ministri grek i Energjisë, Kostas Skrekas, tha se çmimi i vendosur “në fakt, nuk është një çmim tavan” dhe shtoi se “ne po humbim kohë të vlefshme pa rezultate”.

Plani i vendosjes së çmimit tavan, për të cilin komisioni nuk ishte asnjëherë shumë i interesuar, vendos një çmim maksimal prej 275 eurosh për megavat në orë. Por, këtij çmimi i bashkëngjiten shumë kushte saqë nuk do të ishte aktivizuar as në gusht, kur çmimi i gazit u rrit përkohësisht mbi 300 euro, duke alarmuar Evropën e mësuar me çmime sa 10 për qind e asaj shifre.

Ulja e çmimit të gazit rus

Propozimi do të aktivizohej vetëm nëse çmimi maksimal prej 275 euro do të kalohej vazhdimisht për të paktën dy javë, dhe pastaj vetëm nëse çmimi për gazin natyror të lëngshëm (LNG) ngrihet mbi 58 euro për dhjetë ditë brenda asaj periudhë dyjavore.

Çmimi i gazit me shumicë në Evropë, të enjten ishte rreth 124 euro.

Propozimi i komisionit u pa si propozim neutral i formuluar nën presionin e anëtarëve, si Gjermania dhe Holanda, të cilat kishin frikë se vendosja e çmimit tavan mund t’i dërgonte furnizimet me gaz në tregje më fitimprurëse, veçanërisht në Azi. Megjithatë, të paktën 15 vende të BE-së, më shumë se gjysma e bllokut evropian, e kërkonin çmimin tavan në mënyrë që të zbutet kriza e furnizimit shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përderisa Bashkimi Evropian nuk e ka ndaluar gazin rus, Kremlini e ka ndalur eksportin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura nga Brukseli. Para luftës, furnizimet me gaz rus përbënin më shumë se 40 për qind të të gjithë gazit të importuar në Bashkimin Evropian. Ky furnizim tani ka rënë në më pak se 10 për qind./REL

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara