Botë

BE-ja miraton paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

Published

on

Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të mërkurën një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë, duke goditur “flotën në hije” të Rusisë, ndërkohë që Evropa po kërcënon me ndëshkim shtesë, nëse Moska nuk pajtohet për armëpushim në Ukrainë.

Masat e reja kundër Kremlinit – pra paketa e 17-të e sanksioneve nga BE-ja që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – ishin përgatitur para se liderët evropianë ta jepnin ultimatumin e fundit për Moskën lidhur me përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për paqe në Ukrainë.

Diplomatët – që përfaqësojnë 27 shtetet anëtare të BE-së – e miratuan paketën në e re një takim në Bruksel, sipas presidencës polake të bllokut.

Paketa, e cila pritet të miratohet zyrtarisht të martën që vjen, përfshin futjen në listën e zezë të rreth 200 cisternave të naftës që përdoren për t’i shmangur kufizimet ndaj eksporteve të naftës ruse.

Kompani nga vende si Vietnami, Serbia dhe Turqia, të akuzuara se ndihmojnë në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra, gjithashtu do të përballen me kufizime.

Dhjetëra zyrtarë rusë do t’i shtohen listës prej gati 2.400 personash dhe entitetesh që tashmë përballen me ndalime vizash dhe ngrirje pasurish.

Paketa përfshin gjithashtu sanksione ndaj individëve rusë për sulme kibernetike, shkelje të të drejtave të njeriut dhe akte sabotimi në Evropë.

Zyrtarët e pranojnë se paketa e re e sanksioneve ndaj Moskës është relativisht i kufizuar krahasuar me paketat e mëparshme, pasi BE-së po i vështirësohet puna të arrijë pajtueshmëri për objektivat.

Përveç këtyre masave, liderët e BE-së e kanë kërcënuar Rusisë me “sanksione të mëdha”, nëse ajo nuk e pranon një propozim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për armëpushim 30-ditor në Ukrainë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e paralajmëroi Rusinë të martën se do të përballet me sanksione të tjera evropiane nëse nuk ka “përparim të mirëfilltë” këtë javë drejt paqes në Ukrainë.

Merz i bëri thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të ulet në tavolinën e bisedimeve për të folur për armëpushimin dhe për paqen në Ukrainë, bashkë me presidentin Volodymyr Zelensky, në Stamboll, të enjten.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se mund të marrë pjesë në bisedimet në Turqi nëse Putin dhe Zelensky ulen në tryezë, por deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë nga Kremlini se Putin do të marrë pjesë./REL/

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara