Çdo vit në ekonominë e rregullt futen shuma të mëdha parash me prejardhje të paligjshme ose nga kontrabanda. Përmes një reforme gjithëpërfshirëse Bashkimi Evropian synon të luftojë më intensivisht pastrimin e parave.
Rregullat tona kundër pastrimit të parave janë më të ashprat në botë, thotë nënkryetari i Komisionit të BE Valdis Dombrovskis. “Por tani ato edhe duhet të zbatohen me konsekuencë”. Kjo ka munguar në vitet e fundit. Shumë shtete anëtare të BE-së nuk i zbatojnë në praktikë rregullat ose janë tepër të dobët në mbikqyrjen dhe rishikimin e transaksioneve financiare të dyshimta. Prandaj Komisioni i BE po propozon tani zyrtarisht atë që është përgatitur në Bruksel prej muash: që një autoritet i ri mbikëqyrës i BE të mbikqyrë vendet anëtare dhe të monitorojë dhe kontrollojë vetë institucionet e mëdha financiare ndërshtetërore, që paraqesin rreziqe.
Valdis Dombrovskis
Ky autoritet i fuqishëm i së ardhmes do të jetë në gjendje të funksionojë pas tre vjetësh dhe pas pesë vjetësh të ushtrojë efektin e tij të plotë. Në parim shtetet anëtare të BE e kanë miratuar krijimin e këtij autoriteti qendror mbikëqyrës, që ekziston ndërkohë edhe për bankat. Por nuk kanë rënë ende dakord se ku duhet ta ketë selinë.
Shifër e konsiderueshme nga paratë e pista
“Pastrimi i paraveështë një kërcënim i qartë për qytetarët, institucionet demokratike dhe sistemin financiar”, pohoi Komisionerja e BE për Shërbimet Financiare, Mairead McGuiness, gjatë prezantimit të propozimeve të reja legjislative. Rreth 1.5 përqind e produktit të brendshëm bruto në BE – që është 133 miliardë euro – del nga biznesi me para “të pista”. “Dimensioni i problemit nuk mund të nënvlerësohet. Rrugët, që kriminelët mund të shfrytëzojnë, duhet të mbyllen”, kërkoi Komisionerja e BE.
Për ta arritur këtë, Komisioni i BE dëshiron t’i bëjë më uniforme rregullat kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën. Në të gjitha vendet anëtare duhet të bëhet transparente, se kush zotëron në të vërtetë cilat kompani ose ofrues të shërbimeve financiare, apo kush zotëron pasuri të patundshme. Firmat anonime dhe personat bedel së shpejti nuk do të ekzistojnë më në BE. Listat e llogarive bankare dhe zotëruesve të tyre do të unifikohen në të gjithë BE-në.
Direktiva numër gjashtë
Me copëtimin e vazhdueshëm të pasurive në njësi më të vogla, me fragmentimin e konstruksionit të firmave dhe transaksioneve elektronike përmes shumë llogarive të huaja bankare, bëhet shumë e vështirë të ndiqen gjurmët e parave, që vijnë nga trafiku i drogës, prostitucioni ilegal, lojërat e paligjshme të fatit, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimet e ngjashme, deklaron Komisioni i BE-së.
Një direktivë e re kundër pastrimit të parave, tashmë me numrin gjashtë, ka për qëllim t’ia vështirësojë krimit të organizuar dhe financuesve të terrorizmit bizneset. Rregullat ashpërsohen sërish në krahasim me direktivën e pestë të aplikuar deri tani. Në shënjestër do të jenë edhe kriptomonedhat, pra monedhat elektronike të krijuara privatisht, si “bitcoins”, të cilat BE i konsideron të përshtatshme për biznes anonim. Në të ardhmen ofruesit e kriptomonedhave do të duhet të tregojnë zotëruesit e llogarive bankare.
Kufizim në vetëm 10.000 euro parave në dorë
Shtetet anëtare debatojnë lidhur me propozimin e Komisionerit të BE Valdis Dombrovskis, që pagesat me para në dorë të kufizohen në maksimalisht 10.000 euro. Paraja kesh është një portë e lehtë për pastrimin e parave. Paratë nga një tregtar droge futen në qarkullim përmes shitjeve të fryra të një picerie, që u përket kriminelëve. Pasuritë e paluajtshme paguhen me valixhe plot me para.
Në disa vende anëtare të BE pagesa me para ka një limit, për shembull në Greqi ai është vetëm 500 euro. Në vendet e tjera, si Gjermania apo Austria, nuk ka kurrfarë limiti. Rreth 70 për qind e të gjitha transaksioneve të pagesave të klientëve në BE bëhen me para në dorë.
Ministri austriak i Financave Gernot Blümel e mbështet luftën kundër pastrimit të parave, por thotë se është iluzion të besosh se kriminelët përdorin vetëm para kesh. “Ne po shohim që kriminelët ekonomikë po kalojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe këtu duhen bërë përpjekje më të mëdha në të ardhmen. Këtë e konsideroj më efektive sesa limitet maksimale arbitrare, që forcojnë prirjen e deritashme për heqjen e parasë kesh”, tha Blümel javën e kaluar në Vjenë. Paraja në dorë duhet të ruhet si mjet pagese, për të cilën nuk nevojiten mjete ndihmëse teknike.
Vladis Dombrovskis, nënkryetar i Komisionit të BE, shqetësohet kryesisht për reputacionin dhe stabilitetin e BE siqendër financiare. “Çdo skandal pastrimi parash është i tepërt”, tha Dombrovskis.
FinCEN Files
Shtatorin e kaluar të ashtuquajturit “FinCen-Files” e bënë të qartë se edhe bankat e mëdha evropiane minojnë rregullat e BE kundër pastrimit të parave. Në vitin 2018 u zbulua se një bankë daneze kishte pastruar për vite me radhë para përmes një dege të vogël në Estoni – deri në 200 miliardë euro. Skandali me “Danske Bank” ka qenë arsyeja e nismave të reja të Komisionit të BE kundër pastrimit të parave, të cilat tani duhet të miratohen nga Parlamenti i BE dhe 27 vendet anëtare.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur takimin konsultativ me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku në takim është shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ndërkohë, Kurti ka marrë pjesë në takim së bashku me nënkryetaren e LVV-së, Arbërie Nagavci, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Para takimit, Kurti është shprehur optimist se bisedimet me LDK-në do të mund të kontribuojnë në ecjen përpara dhe në konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Do të shohim se si do të mund të ecim përpara bashkë që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive”, ka deklaruar Kurti.
Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të partive politike për tejkalimin e ngërçit institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve të Kosovës./A.K/
Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që më 1 shtator, në orën 11:00, të organizojë një protestë përballë ndërtesës së Qeverisë në Sheshin “Skënderbeu”.
Përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, AKK bëri të ditur se protesta organizohet për mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe për kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive. Po ashtu, kërkohet zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti qendror, financim i drejtë për komunat dhe ndalimi i ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.
Lidhur me këtë vendim, Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaroi zyrtarisht: “Protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të Komunave dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Vendimi ka nxitur edhe reagime të ndryshme mes krerëve të komunave.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për qasje totalitare dhe për ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se komuna e tij nuk do të marrë pjesë në këtë protestë, duke deklaruar se Rama nuk mund të flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave. /E.A/
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Lumbardh Dellova, ka ecur me hapa të sigurt drejt suksesit që në ndeshjen e tij të parë zyrtare në futbollin turk. Paraqitja e tij impresione me fanellën e Amedsporit i ka siguruar një vend me meritë në formacionin më të mirë të javës së parë të kampionatit.
Në përballjen ku Amedspori triumfoi me rezultat të thellë 3-0 ndaj Erzurumsporit, 27-vjeçari kosovar ishte një nga figurat qendrore në fushën e lojës. Përveç stabilitetit dhe sigurisë absolute që tregoi në repartin defensiv, Dellova dha një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në fazën sulmuese duke asistuar te goli i parë i skuadrës së tij.
Sipas platformës së specializuar të statistikave, Sofascore, Dellova u vlerësua me notën e lartë 8.2. Statistikat e tij gjatë 90 minutave dëshmojnë kontrollin e plotë që pati në lojë: ai kompletoi 72 pasime me një saktësi të lartë prej 91 për qind, si dhe krijoi tri pasime kyçe për bashkëlojtarët e tij.
Kjo paraqitje startuese jo vetëm që e vendos Dellovën në mesin e lojtarëve më të dalluar të raundit të parë në Turqi, por dëshmon edhe formën e tij të shkëlqyer në prag të sfidave të ardhshme si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren. /E.A/
Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar për “pasoja” pas konfirmimit se dronët e prodhuar në Britani janë përdorur në sulmet e fundit ndaj objektivave ushtarake dhe industriale në Rusia. Në një deklaratë zyrtare, Ambasada e Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar e akuzoi Britaninë se “po zgjedh me vetëdije përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, duke shtuar se “sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt… aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj Moskvës dhe në zona të tjera thellë brenda Rusisë, duke synuar veçanërisht rafineritë e naftës dhe qendrat logjistike të gjigantit të shitjeve online Wildberries. Lidhur me këtë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se qëndrojnë “krahas Ukrainës” dhe shtoi: “Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e kësaj qeverie për t’iu kundërvënë agresionit rus, në Ukrainë dhe kundër Mbretërisë së Bashkuar e aleatëve tanë”.
Rusia e ka kërcënuar edhe më parë Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në furnizimin e Ukrainës me teknologji dronësh dhe raketa “Storm Shadow”. Ambasada ruse tha se “veprimet e Londrës do të sjellin pashmangshmërisht pasoja për të cilat do të duhet të përgjigjet”, por pa dhënë detaje mbi llojin e masave që po shqyrton Moska. Faza e fundit e luftës ka prekur drejtpërdrejt furnizimet me karburant në Rusi dhe ka goditur ekonominë e saj.
Mbretëria e Bashkuar është ndër mbështetëset më të mëdha ndërkombëtare të Ukrainës që nga nisja e pushtimit ushtarak në shkurt 2022. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se Britania mbetet e përkushtuar për të siguruar pajisjet e nevojshme që Ukraina të mbrohet nga pushtimi ilegal i presidentit rus Vladimir Putin. Ndërkohë, Ukraina ka përdorur javët e fundit edhe teknologji vendore të dronëve dhe raketave, përfshirë raketën e lundrimit FP-5 Flamingo.
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, forcat ukrainase kanë lëshuar qindra dronë drejt rajonit të Moskvës. Guvernatori rajonal Andrey Vorobyov njoftoi se një vajzë 10-vjeçare u lëndua dhe një depo e platformës Wildberries u dëmtua. Në të njëjtën kohë, 17 persona u vranë nga sulmet ruse në Ukrainë, përfshirë 10 viktima në një fshat në verilindje të vendit.
Dy kompani britanike njihen për prodhimin e dronëve të dërguar në Kiev. Një burim ushtarak konfirmoi për BBC-në se dronët e Mbretërisë së Bashkuar janë përdorur në sulmet e fundit brenda Rusisë, të cilat raportohet se kanë shkaktuar mbi 35 miliardë stërlina dëme ekonomike. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pat deklaruar në vitin 2024 se dronët me komponentë britanikë u përdorën për të sulmuar territorin rus, përfshirë një depo karburanti në rajonin e Rostov-it. /BBC/