Zyrtarët e Bashkimit Europian janë në diskutime mbi mundësinë e rinisjes së eksporteve të gazit natyror nga Rusia përmes tubacioneve drejt BE-së, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Propozimi ka shpërthyer debate të ashpra, pasi mbështetësit e tij argumentojnë se ky hap do të ulte çmimet e larta të energjisë në Europë, duke ndihmuar në përmirësimin e kushteve ekonomike të rajonit dhe duke inkurajuar Moskën të ulet në tryezën e negociatave.
Sidoqoftë, ideja ka hasur kundërshtime të forta nga disa shtete të BE-së, veçanërisht ato të Lindjes, të cilat kanë punuar për të ulur varësinë nga energjia ruse pas fillimit të luftës. Shumë zyrtarë shqetësohen se një hap i tillë mund të minojë përpjekjet e vazhdueshme për të reduktuar ndikimin e energjisë ruse dhe do të rrisë të ardhurat e Moskës, të cilat para luftës përbënin rreth 40% të furnizimeve të BE-së.
Kostot e energjisë kanë qenë një shqetësim kryesor për vendet e BE-së, pasi çmimet e gazit janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, duke shkaktuar vështirësi për industrinë europiane. Shumë shtete të mëdha anëtare të BE-së janë të interesuara për mundësinë e rikthimit të furnizimeve me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia, pasi kjo mund të lehtësonte kostot energjetike.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka ushtruar presion mbi BE-në për të blerë më shumë gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga Amerika, që është më i shtrenjtë se gazi rus. Shtetet si Gjermania dhe Hungaria janë përkrahës të mundësisë për të rihapur furnizimet me gaz nga Rusia, duke argumentuar se ky hap mund të ndihmojë për të ulur kostot dhe për të siguruar një stabilitet energjetik afatgjatë.
Ky debat ka shkaktuar tensione edhe mes eksportuesve të LNG-së amerikane, të cilët kanë shprehur shqetësim se çdo rifillim i gazit rus mund ta bëjë produktin e tyre më të shtrenjtë dhe të vështirë për t’u konkurruar. Kjo mund të ndikojë negativisht në marrëveshjet afatgjata që ata po përpiqen të nënshkruajnë me kompanitë europiane.
Pavarësisht këtyre diskutimeve, objektivi afatgjatë i BE-së mbetet të eliminojë varësinë nga karburantet fosile ruse deri në vitin 2027, dhe Komisioni Europian është duke zhvilluar një plan të detajuar për arritjen e këtij qëllimi./UBTNews/