Sport

Barcelona largohet nga “Camp Nou” në sezonin 2023/24, zbulohet arsyeja

Rikonstruktimi i “Camp Nou” do të shohë rritjen e kapacitetit nga 99,000 në 110,000 ulëse.

Published

on

Gjiganti katalunas, Barcelona, do të largohet nga stadiumi i saj “Camp Nou” për sezonin 2023/24, ndërkohë që do të filloj ndërtimet për rinovimin prej 1.5 miliardë eurosh të stadiumit dhe zonës përreth tij, projekt ky i quajtur “Espai Barca”.

Ata do të zhvendosen në stadiumin “Olympic” me kapacitet prej 60,700 ulëseve, por presidenti i Barcelonës, Joan Laporta tha se do të jetë vetëm për një sezon dhe se ata do të kthehen në “Camp Nou”, edhe pse me një kapacitet të reduktuar derisa puna vazhdon për sezonin 2024/25.

Stadiumi “Olimpic Lluis Companys” ishte më parë shtëpia e Espanyolit nga viti 1997 deri në vitin 2007, dhe priti Lojërat Olimpike në vitin 1992.

Rikonstruktimi i “Camp Nou” do të shohë rritjen e kapacitetit nga 99,000 në 110,000 ulëse, duke përfshirë ndërtimin e një çatie.

“Puna fillon në nivelin e parë dhe të dytë këtë verë dhe kur të bëhet punë e madhe në nivelin e tretë dhe çatinë, ne do të luajmë këtu”, tha Laporta, duke bërë njoftimin në stadiumin Olimpik.

Stadiumi Olimpik i është nënshtruar rreth 15-20 milionë euro përmirësime përpara se Barcelona të mund të transferohet në të gjithë qytetin, duke përfshirë dhomat e reja të zhveshjes, zonën e medias dhe zonat përreth.

Pasi ka kaluar një sezon në Stadiumin Olimpik, klubi do të kthehet në “Spotify Camp Nou” të riemërtuar. Ky sponsorizim kap vlerën e 275 milionë eurosh.

Sport

Irlanda paralajmëron tifozët para ndeshjes me Kosovën

Published

on

By

Irlanda pritet të ketë mbështetjen e një numri të konsiderueshëm tifozësh në ndeshjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Federata e Futbollit të Irlandës ka publikuar udhëzimet dhe informacionet e nevojshme për tifozët që do të udhëtojnë drejt Kosovës, duke përfshirë edhe disa këshilla për qëndrimin e tyre në Prishtinë.

Në njoftimin e saj, federata irlandeze e përshkruan Prishtinën si qytet përgjithësisht të sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë, ndërsa u ka bërë thirrje atyre që të jenë të kujdesshëm me gjërat personale në zonat me shumë njerëz.

Vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe flamujve.

“Flamuri i Kosovës dhe ai i vendit simotër, Shqipërisë, janë shumë të dukshëm në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit, aktual apo nga e kaluara”, thuhet në udhëzimin e Federatës së Futbollit të Irlandës.

Ndeshja Kosovë–Irlandë pritet të zhvillohet para tribunave të mbushura, me stadiumin “Fadil Vokrri” që pritet të jetë në kapacitet të plotë për duelin e së enjtes mbrëma.

D.L

Continue Reading

Sport

Donjeta Sadiku synon medaljen në Kampionatin Evropian

Published

on

By

Donjeta Sadiku do të ngjitet sot në ring në Kampionatin Evropian të Boksit “Sofia 2026”, në një përballje vendimtare për sigurimin e medaljes.

Kampionia mesdhetare e Kosovës do të garojë në kategorinë deri në 60 kilogramë, ndërsa në çerekfinale do të përballet me boksieren holandeze Maund van der Toorn.

Dueli do të zhvillohet nga ora 13:30, në ringun “B”, në Sofje të Bullgarisë.

Një fitore ndaj holandezes do t’i siguronte Sadikut kualifikimin në gjysmëfinale dhe, njëkohësisht, medaljen në këtë Kampionat Evropian.

Selektorja e Kosovës, Marjola Sallauka, shpreson që Sadiku ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt podiumit.

Kampionati Evropian i Boksit “Sofia 2026” po zhvillohet nga 15 deri më 26 shtator në Bullgari.

D.L

Continue Reading

Sport

Kastrioti mëson kundërshtarin në Kupën Evropiane

Published

on

By

Kampioni në fuqi i Kosovës në hendboll, Kastrioti i Ferizajt, ka mësuar kundërshtarin për raundin e dytë të Kupës Evropiane.

Skuadra ferizajase do të përballet me ekipin italian Raimond Sassari, pas shortit të tërhequr të martën në Vjenë.

Kastrioti do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi, më 17 ose 18 tetor, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet në Itali më 24 ose 25 tetor.

Në raundin e dytë të garës marrin pjesë gjithsej 64 skuadra, 19 prej të cilave kanë avancuar nga raundi i parë.

Në raundin e parë të Kupës Evropiane, Kosovën e përfaqësuan edhe Besa Famgas dhe Vëllaznimi i Gjakovës, por të dyja skuadrat u eliminuan.

D.L

Continue Reading

Sport

Formula 1 shkurton garat nga viti 2027, ndryshojnë edhe njësitë e fuqisë

Published

on

By

Garat e Formula 1 do të jenë më të shkurtra nga sezoni 2027, si pasojë e ndryshimeve të planifikuara në njësitë e fuqisë dhe rritjes së rrjedhës së karburantit.

Komisioni i Formula 1 ka miratuar propozimin që distanca standarde minimale e një gare të reduktohet nga 305 në 290 kilometra.

Ky ndryshim lidhet me gjeneratën e re të njësive të fuqisë, e cila do të hyjë në fuqi nga viti 2027. FIA synon të rrisë rolin e motorit me djegie të brendshme përmes rritjes së rrjedhës së karburantit.

Sipas rregullave të reja, motori V6 do të prodhojë deri në 420 kW, ndërsa fuqia maksimale e sistemit elektrik MGU-K do të reduktohet në 300 kW. Përjashtim do të ketë në modalitetin e parakalimit, ku fuqia e MGU-K do të arrijë në 350 kW.

Për të mundësuar rritjen e fuqisë së motorit me djegie të brendshme, rrjedha e karburantit do të rritet me rreth pesë për qind.

Si rezultat, në vitin 2027 raporti i fuqisë së njësisë do të jetë 58:42 në favor të motorit me djegie të brendshme, ndërsa në vitin 2028 pritet të shkojë në 60:40.

Fillimisht ishte diskutuar mundësia e rritjes së kapacitetit të rezervuarit të karburantit, por kjo do të sillte edhe rritje të peshës së makinave. Për këtë arsye, është zgjedhur alternativa e shkurtimit të distancës së garave me 15 kilometra.

Në varësi të karakteristikave të pistës, kjo pritet të nënkuptojë rreth dy deri në tri xhiro më pak për garë.

Ndryshimi do të zbatohet për distancën standarde të garave të Formula 1. Përjashtim do të vazhdojë të jetë Grand Prix i Monakos, i cili tashmë zhvillohet në një distancë më të shkurtër dhe i nënshtrohet rregullave specifike.

Vendimi i Komisionit të F1 duhet të marrë ende miratimin formal të Këshillit Botëror të Sportit Motorik të FIA-s. Pas këtij miratimi, ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga sezoni 2027.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara