Lajmet

Ballkani i hapur: Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura

Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov.

Published

on

Në takimin e radhës të udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”, të mbajtur në Beograd më 4 nëntor, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme.

Në këtë takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Presidenti Vuçiq ka thënë se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura, për përbërjen e të cilit do të vendoset në vazhdim.

“Puna jonë është të shohim se ku kemi ngecur në praktikë”, ka thënë ai në një konferencë të përbashkët për media, duke shtuar se është frustruese që marrëveshjet në nivelin politik nuk janë implementuar në tërësi.

Takimit të udhëheqësve të të tri shteteve i ka paraprirë një takim me përfaqësues të kompanive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vuçiq ka shtuar se afaristët qind për qind e mbështesin këtë iniciativë, porse kërkojnë zbatimin më të shpejtë (të marrëveshjeve).

Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov.

Kryeministri Rama ka deklaruar se fokusi i takimit të sotëm ishte te njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët, pra ata që janë përfitues të kësaj nisme.

Edhe Rama ka thënë se afaristët njëzëri dhanë mbështetje për “Ballkanin e hapur”, mirëpo kërkuan që të zbatohen marrëveshjet politike, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me kalimin në kufij.

“Afaristët eksportojnë fruta të freskëta, perime dhe qumësht – këto janë produkte që mund të qëndrojnë në kufi për ditë të tëra. Nuk është e mundshme të arrini në kufi të premtën mbrëma dhe të prisni deri të hënën sepse qumështi do të bëhet kos”, ka deklaruar Rama.

Rama: Pavarësisht qëndrimit të BE-së, ne nuk heqim dorë

Rama ka thënë se po ashtu është marrë qëndrim i përbashkët për BE-në.

“E kuptojmë situatën në BE, por ata e bllokojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mirëpo ne kemi theksuar se nuk heqim dorë nga përpjekjet tona për t’i ndërtuar vendet tona sipas standardeve të BE-së”, ka theksuar Rama.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me vite janë duke e pritur datën nga Brukseli për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se situata në vendin e tij është mjaft komplekse, mirëpo nuk kanë mundësi të mos jenë të pranishëm në këtë takim.

“Kjo iniciativë është e rëndësishme për zhvillimin e ekonomive tona, dhe për të ardhmen në BE.

Zoran Zaev nuk mori pjesë ashtu siç ishte planifikuar më parë, sepse, ndërkohë ka paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kryeministrit, për shkak të rezultatit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të 31 tetorit në Maqedoninë e Veriut.

I pyetur se a do të ta nxisë Kosovën që t’i bashkohet nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi i rregullon marrëdhëniet me Prishtinën nëpërmjet dialogut të Brukselit dhe se “Ballkani i hapur” është i hapur për të gjithë.

“Ne ua kemi hapur derën edhe Prishtinës, edhe Sarajevës, edhe Podgoricës”, ka porositur Vuçiq.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina deri tash nuk e kanë mbështetur këtë nismë.

Gjatë takimit të sotëm të udhëheqësve të nismës “Ballkani i hapur”, është mbajtur një takim me përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Atlantic Council” (Këshillit Atlantik). Sipas kryeministrit shqiptar, përfaqësuesit e këtij këshilli kanë ardhur nga Uashingtoni për ta mbështetur këtë nismë.

Çfarë është “Ballkani i hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri tashmë në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Qeveria pa koment për takimin e “Ballkanit të hapur”

Qeveria e Kosovës nuk ka dashur që të komentojë takimin që po zhvillohet në Beograd të Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar disa pyetje në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i takon këtij takimi, si dhe mbështetjes që disa shtete perëndimore i kanë dhënë së fundi kësaj iniciative.

Por, në qeveri kanë thënë se “nuk jemi pjesë e kësaj nisme, ndaj nuk do t’i komentojmë zhvillimet e këtyre ditëve”, duke shtuar se qëndrimet e Qeverisë së Kosovës kundër kësaj iniciative “tashmë janë të njohura”.

A po humb Kosova nga refuzimi i “Ballkanit të hapur”?

Në Prishtinë, profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, thotë se nisma “Ballkani i hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Duke qenë pjesë e nismave të tjera më të fuqishme, sipas profesorit Mustafa, Kosova nuk humb asgjë nga refuzimi i “Ballkanit të hapur”.

“Serbia, derisa promovon lëvizjen e lirë të mallrave, ajo shfaq pengesa të mëdha në tregtimin me Kosovën – po i pengon sportistët, nuk po sillet në bazë të marrëveshjeve të Brukselit dhe ka një seri pengesash që bën në tregti me Kosovën, por sigurisht edhe me vendet e tjera, sigurisht sepse ajo praktikon edhe një subvencionim të sektorëve të caktuar sikurse është industria e qumështit apo të tjerat, kështu që e deformon edhe tregtinë e lirë në rajon”, vlerëson ai.

Profesori Mustafa thotë se nisma “Ballkani i Hapur” mund të shndërrohet në një nismë të izoluar që mund të mbetet me vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore si pjesëtare.

Zgjidhja më e mirë për të arritur hapjen e tregut në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas profesor Mustafës, është ai që njihet si Procesi i Berlinit e që është një nismë e udhëhequr nga Gjermania me qëllim të lehtësimit të bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, e që ka mision ndihmën ndaj këtyre shteteve në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në BE.

“Janë të mirëseardhura lehtësimi i tregtisë, evitimi i barrierave, tregtia e lirë, konkurrenca e lirë, por këto sigurohen nëpërmes Procesit të Berlinit dhe ku ekziston një asistencë e vendeve më të fuqishme evropiane dhe në atë drejtim edhe relativizohen konfliktet politike dhe mund të arrihen rezultate më të mëdha”, shprehet profesor Mustafa.

Procesi i Berlinit, i nisur nga kancelarja Gjermane, Angela Merkel në vitin 2014, mes tjerash synonte që fillimisht të lidhte mes vete gjashtë vendet në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik.

Qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Kosovës për “Ballkanin e hapur”, ka qenë se nga kjo nismë do të përfitonte vetëm Serbia dhe se përmes saj (nismës) i hapet rrugë ndikimit nga Rusia dhe Kina.

“‘Ballkani i hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina, si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës….”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 gusht 2021, pasi Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut vendosën ta ndryshonin emërtimin e iniciativës nga “Mini-Shengen” në “Ballkani i hapur”.

Kjo nismë, përplasi edhe Kosovën me Shqipërinë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, muajt e kaluar e ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, po merret me teori konspirative në vend që të jetësojë bashkëpunimin.

Në Shqipëri ftojnë Kosovën të bëhet pjesë e “Ballkanit të hapur”

Por, për dallim prej qëndrimeve kundërshtuese në Kosovë për nismën “Ballkani i hapur”, në Shqipëri mendojnë se kjo do të ishte një mundësi e mirë për avancim të lirisë së lëvizjes, si dhe tregti pa pengesa në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, thotë Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.

“Si qytetar shqiptar dhe si ekonomist, besoj shumë se sa më shumë që liberalizohesh, aq më mirë është, se sa të qëndrosh në ndasitë e vjetra”, thotë Cocoli.

Megjithatë, Cocoli nuk është optimist se në një të ardhme të afërt do të funksionalizohet në tërësi nisma “Ballkani i hapur”.

“‘Ballkani i hapur’ është një proces që edhe drejtuesit e Bashkimit Evropian janë të rezervuar për ta mbështetur, pra sërish era çon ujë në mullirin e Procesit të Berlinit që e dimë të gjithë që është hapja dhe Procesi i Berlinit të dërgon në një komunitet rajonal, në një tregti rajonale sa më të hapur dhe me më pak barriera burokratike”, shton Cocoli.

Ideja e “Ballkanit të hapur” për herë të parë u prezantua në qytetin e Novi Sadit në Serbi më 10 tetor të vitit 2019.

Në lansimin e kësaj iniciative morën pjesë liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Që nga ajo kohë kanë ndodhur disa takime ndërmjet këtyre tri shteteve pjesëmarrëse porse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina refuzojnë të bëhen pjesë e tyre.

Në një takim që u mbajt në Shkup në muajin korrik të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, asokohe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 t’i heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.

Kosova kishte marrë zotime se do të bëhej pjesë e “Ballkanit të hapur” edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua në muajin shtator të vitit 2020.

“Ballkani i hapur” nuk është iniciativa e vetme që bën bashkë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin i Zi dhe Serbinë.

Në vitin 2006, këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për eliminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë./REL

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Lajmet

Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze

Published

on

By

Programi i Gjuhës AnglezeUBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.

Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.

Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.

Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.

Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.

Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.

Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara