Një propozim zyrtar për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 skuadra është paraqitur nga organi drejtues i Amerikës së Jugut, Conmebol.
Turneu do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Argjentinë, Paraguaj dhe Uruguaj.
Kupa e Botës 2026 do të jetë e para me 48 skuadra, por Conmebol dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë për vitin 2030, për të shënuar 100-vjetorin e këtij kompeticioni.
“Kjo do t’u japë mundësi të gjitha vendeve të përjetojnë eksperiencën botërore dhe askush në planet të mos mbetet jashtë kësaj feste,” tha presidenti i Conmebol-it, Alejandro Dominguez, në kongresin e organizatës të enjten.
“Jemi të bindur se kjo festë qindvjeçare do të jetë e veçantë, sepse 100 vite festohen vetëm një herë.”
Ideja u propozua fillimisht në mënyrë “spontane” në një takim të Këshillit të FIFA-s në mars nga presidenti i Federatës Uruguaiane të Futbollit, Ignacio Alonso.
FIFA deklaroi se ka për detyrë të analizojë çdo propozim që vjen nga një prej anëtarëve të saj të Këshillit.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mori pjesë në Kongresin e Conmebol-it të enjten dhe theksoi “rëndësinë e jashtëzakonshme” që do të ketë Kupa e Botës 2030.
Vendimi për të zgjeruar Kupën e Botës 2026 në 48 skuadra u mor më 2017 pas votimit unanim në kongresin e FIFA-s. Kongresi mbahet më 15 maj në Paraguaj, do diskutohet propozimi i Conmebol-it.
Nëse propozimi pranohet, edicioni i vitit 2030 do të përfshijë 128 ndeshje, në krahasim me formatin me 64 ndeshje që u përdor nga viti 1998 deri në 2022.