Lajmet

Azemi kritikon ekzekutivin për 100 eurot

Azemi ka thënë se punëtorët kanë pritur që këto shtesa t’iu dalin për festën e Bajramit.

Published

on

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK) dyshon se vendimi i Qeverisë së Kosovës për shtesa prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat mund të ketë qenë mediatik. Madje ata dyshojnë se numri i aplikantëve, prej 290 mijë punëtorësh, mund të jetë i fryrë.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi deklaroi se Ministria e Financave duhet të dalë dhe të sqarojë për të gjithë punëtorët e sektorit privat se pse ende nuk janë shpërndarë bonuset e premtuara ndërkohë që sektori publik i kanë marrë menjëherë.

Azemi ka kërkuar nga ministri Hekuran Murati të sqarojë nëse ka ndonjë problem tjetër për mos pagesën e shtesave, pasi kanë kaluar një muaj që prej kur u njoftua se punëtorët e sektorit privat dhe publik do të merrnin nga 100 euro më shumë.

“Kemi dyshuar dhe dyshojmë prape se ka qenë një vendim mediatik pasi që kanë kaluar më shumë se një muaj dhe punëtorët e sektorit privat të Kosovës nuk i kanë marrë bonuset nga 100 euro dhe kemi kërkuar zyrtarisht nga ministri i Financave që të del dhe të njoftojë opinionin, ai ka për obligim që punëtorët e sektorit privat të Kosovës të del dhe t’ju tregojë pse po çalon pagesa e këtyre 100 euro a ka qenë një vendim si lojë mediatike apo ka ndonjë telashe të brendshme që ka obligim zyrtarë të del t’i njofton se pse po vonohen këto 100 eurot dhe me të vërtetë nuk ia vlen që edhe të paguhen 1000 euro për shqetësimet, pritjet e gjata nuk janë të vlefshme për sektorin privat vet shteti po i dënon punëtorët e sektorit privat sepse të sektorit publik i kanë marrë që të gjithë”, tha Azemi.

Azemi ka thënë se punëtorët kanë pritur që këto shtesa t’iu dalin për festën e Bajramit.

“Është një keqmenaxhim, keqpërdorim i punëtorëve të sektorit privat pasi që punëtorët e sektorit privat tek ne kanë bërë pyetje se a do të dalin këto mjete për festën e Bajramit për të cilën ne kemi pritë se do të dalin dhe, sadopak do ti gëzojë, por po themi dëmi që iu është bërë me këtë veprim nuk e mbulon as me mija euro sepse punëtorët janë të zhgënjyer, janë të shqetësuar dhe jemi mësuar që të merren vendime dhe ato të mos realizohen nga qeveria, kjo është e padisiplinueshme, dilni dhe tregoni punëtorëve: ‘Po, mjetet do të dalin sot, do të dalin nesër, do të dalin pas një muaji, pas gjashtë muajsh ose i kemi gënjyer punëtorët’, ata kanë të drejtë ta dinë për gjendjen që po sillet”, tha Azemi.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës konfirmoi se për shtesën prej 100 eurosh kanë aplikuar rreth 290 mijë punëtorë. Azemi mendon se kjo shifër mund të jetë e fryrë.

“Unë mendoj që diçka nuk është në rregull dhe jam shumë i bindur se nuk është e vërtetë që kanë aplikuar 290 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës, këto janë vetëm shifra sepse, unë mendoj që ky numër është më i vogël nuk është kaq i madh, me të vërtetë punëtorët duan të dinë se çfarë po ndodhë me këto mjete, apo ka qenë një propagandë për punën e tyre që e bëjnë, jemi shumë të zhgënjyer”, deklaroi Azemi.

Më 12 prill, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një konference për media kishin njoftuar për vendimin për t’i ndarë nga 100 euro shtesë si ndihmë për, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat e pensionistët.

KosovaPress ka pyetur edhe zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me datën se kur pritet të ekzekutohen mjetet shtesë, por i njëjti, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk është përgjigjur.

Vendi

Mbi 100 gramë kokainë dhe marihuanë kapen në Vërmicë

Published

on

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Vërmicës.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, janë gjetur 104.90 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.

Ndërkaq, në rastin e dytë janë zbuluar 5.53 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.

Rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.

/A.K/

Continue Reading

Vendi

Mbyten dy vajza të mitura në Tale

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura, të moshës 11 dhe 9 vjeçe, janë mbytur në det.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tragjedia ka ndodhur rreth orës 12:50. Pas marrjes së informatës, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim të ngushtë me pushuesit e tjerë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë në breg.

“Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg“, thuhet në njoftimin e policisë.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Dyshime për cilësinë: Bllokohen mbi 1 mijë e 400 infuzione në Spitalin e Mitrovicës

Published

on

By

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.

Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KQZ gati për rezultatet përfundimtare: Përfundon rinumërimi i 185 vendvotimeve

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur zyrtarisht procesin e rinumërimit për të gjitha 185 vendvotimet e kontestuara. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka përfunduar sot në orën 12:00 dhe të dhënat e reja tashmë janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.

Me këtë hap, KQZ-ja ka mbyllur teknikisht të gjitha aktivitetet e administrimit të votave dhe është gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, përpara shpalljes zyrtare, duhet të respektohen afatet ligjore për ankesat e mundshme. Elezi sqaroi se sot përfundon afati për ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e mërkurë (17 qershor), ndërsa po ashtu do të pritet nëse do të ketë ankesa për procesin e rinumërimit të përmbyllur sot.

Për më tepër, para se të procedohet tutje, KQZ-ja do të kërkojë një konfirmim zyrtar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vërtetuar nëse ka ndonjë ankesë tjetër ende në shqyrtim.

Në fund, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të hartojë një raport të detajuar për gjetjet në secilin prej 185 vendvotimeve. Ky raport synon të konfirmojë se procesi i parë i numërimit nëpër komuna është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve, raporton Ekonomia Online. /Ekonomia Online/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara