Një foshnjë siriane jetime, e lindur nën rrënojat e shtëpisë së saj të shembur pas tërmetit të javës së kaluar, është zhvendosur në një “lokacion të sigurt” nga një autoritet shëndetësor.
Drejtoria e Shëndetësisë mori këtë vendim për të mbrojtur vajzën, Aya, nga rrëmbimi i mundshëm dhe mashtrimi i birësimit, tha një burim për BBC.
Të hënën u raportua për një incident të dhunshëm në spitalin ku po trajtohej ajo.
Kreu i drejtorisë së shëndetësisë, mjeku Ahmad Hajj Hassan, mohoi të ketë pasur përpjekje për ta rrëmbyer atë.
“Akuzat për rrëmbim ishin keqkuptim. Kjo është një çështje tërësisht e brendshme që lidhet me spitalin dhe nuk ka asnjë lidhje me foshnjën”, tha ai për BBC.
Mijëra njerëz ofruan adoptimin e foshnjës javën e kaluar, pasi historia e saj u raportua gjerësisht nga mediat vendase dhe ndërkombëtare.
Gjithsesi, drejtoria e shëndetësisë është e vendosur që të ketë prioritet mirëqenien e saj dhe të veprojë me kujdes me procesin e birësimit, sipas burimit.
Nëna e Aya-s shkoi në lindje menjëherë pasi shtëpia e tyre familjare në qytetin e Jidayris u shkatërrua nga tërmeti 7.8 ballë që goditi Turqinë jugore më 6 shkurt. Ajo vdiq pasi lindi Aya, e cila ishte ende e lidhur me kordonin e kërthizës kur u gjet nga ekipet e shpëtimit.
Babai i Aya-s, katër vëllezërit e motrat dhe një hallë vdiqën gjithashtu në katastrofë.