Kulturë

Avokatja e Amber Heard: Klientja ime nuk dëshiron 100 milionë dollarët e Johnny-t, ajo donte të dërgonte një mesazh

Ky informacion erdhi të premten në një sallë gjyqi të Virxhinias.

Published

on

Amber Heard nuk po kërkon vërtet 100 milionë dollarë për të cilat ajo paditi Johnny Depp. Avokatja e saj tha të premten se ata thjesht kërkuan atë shumë për t’i dërguar një mesazh yllit të “Pirates of the Caribbean” pasi ai kërkoi gjysmën e asaj shume kur e paditi atë për shpifje.

Ky informacion erdhi të premten në një sallë gjyqi të Virxhinias, ndërsa ekipet ligjore për Depp dhe Heard regjistruan argumentet e tyre përfundimtare.

“Johnny Depp paditi për 50 milionë dollarë dhe ne dërguam një mesazh duke thënë: ‘Mirë, atëherë do të padisim për 100 milionë dollarë, sepse shiko çfarë i bëre asaj’. Ne nuk po ju kërkojmë të jepni 100 milionë dollarë”, tha avokatja Elaine Bredehoft para jurisë, duke folur për dëmet kompensuese. “Ne po ju kërkojmë që të shikoni vetëm dëmet në këtë rast dhe thjesht të jeni të drejtë dhe të arsyeshëm në çdo gjë që përcaktoni”.

Avokati i Depp, Benjamin Rottenborn, deklaroi argumentet përfundimtare të të pandehurit duke paralajmëruar anëtarët e jurisë për mesazhin që do t’u dërgonin viktimave të abuzimit në familje nëse do të dilnin në favor të Johnny Depp.

“Nëse nuk keni bërë fotografi, nuk ka ndodhur. Nëse keni bërë foto, ato janë false. Nëse nuk i keni thënë miqve tuaj, ju jeni duke gënjyer. Nëse i keni thënë miqve tuaj, ata janë pjesë e mashtrimit. Nëse nuk ke kërkuar trajtim mjekësor, nuk je lënduar. Nëse ke kërkuar trajtim mjekësor, je i çmendur”, tha Rottenborn.

Rottenborn e quajti rastin “fajësimi i viktimave në rastin më të neveritshëm”. Këto deklarata erdhën pasi avokatët e Depp argumentuan se ai ishte viktima në lidhje.

“Ka një dhunues në këtë sallë gjyqi, por nuk është zoti Depp”, tha avokatja Camille Vasquez. “Dhe në këtë sallë gjyqi ka një viktimë të abuzimit në familje, por nuk është zonja Heard”.

Pas renditjes së 16 dëshmitarëve që kishin dalë në gjykatë për Depp personalisht ose përmes videove live, përfshirë ish të dashurën Kate Moss, ekipi i Depp më vonë tha se përveç motrës së Heard, Whitney Henriquez, “askush nuk u paraqit për znj. Heardnë këtë sallë gjyqi” përveç dëshmitarëve që ishin paguar për të dëshmuar. Ekipi i Heard prezantoi rastin në një pjesë të madhe përmes depozitimeve të videove të regjistruara paraprakisht./UBTNews/

Lajmet

54 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Published

on

Sot shënohen 54 vjet nga hapja e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili nisi më 20 nëntor 1972 në Tiranë, me pjesëmarrjen e albanologëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i këtij tubimi ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e një sistemi të njësuar të drejtshkrimit, me synimin e krijimit të një standardi të përbashkët të gjuhës shqipe.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm luajti edhe delegacioni nga Prishtina. Kongresi u parapri nga një takim me rëndësi i mbajtur në Prishtinë, ku ishin diskutuar dhe përcaktuar disa nga standardet gjuhësore.

Kongresi i vitit 1972 shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e gjuhës shqipe dhe në përpjekjet për njësimin e saj në të gjitha trevat shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara